1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konfuzion në Qipro në pritje të hapjes së bankave

(dpa) A. Verbica26 Mars 2013

Qeveria qipriote do t'i mbajë të mbyllura të gjitha bankat e vendit deri të enjten. Kjo u njoftua papritur të hënën në mbrëmje nga Banka Qendrore.

https://p.dw.com/p/184Kn
Fotografi: AFP/Getty Images

Në Qipro klientëve të pasur do t'u merret një taksë e posaçme me detyrim, e cila është më e lartë, nga sa mendohej deri tani. Ministri qipriot i Financave Mihalis Sarris i tha radios britanike BBC se taksa e detyrueshme për depozitat monetare mbi 100.000 euro mund të arrijë deri në 40 për qind. Deri tani ka qenë fjala për 30 për qind.

Ndërkohë bankat e vendit, të mbyllura që nga mesi i marsit, do të hapen përsëri, pa përjashtim, ditën e enjte (27.03.2013), bëri të ditur Ministri qipriot i Financave të hënën në mbrëmje vonë. Më parë ishte njoftuar se me përjashtim të dy institucioneve të mëdha financiare të dëmtuara, Bank of Cyprus dhe Laiki Bank, bankat e tjera do të hapeshin që këtë të martë. Siç mësoi agjencia gjermane e lajmeve (dpa) nga Ministria e Financave në Nikosia, bankat e vogla kishin protestuar me forcë, që të mos hapeshin veçmas nga dy të mëdhatë. Ato kanë pasur frikë nga vërshimi i klientëve. Bankat qëndrojnë të mbyllura që nga data 16 mars.

Laiki Bank Group, Qipro
Laiki Bank Group, QiproFotografi: Yiannis Kourtoglou/AFP/GettyImages

Verifikimi i trasferimit të parave jashtë shtetit

Kryetari i Parlamentit qipriot Ginnakis Omirou do të verifikojë tani njoftimet për trasferime shumash jashtëzakonisht të larta parashë jashtë shtetit dhe për tërheqjen e depozitave në javët dhe ditët para mbylljes së bankave. Siç mësoi agjencia gjermane e lajmeve (dpa) nga parlamentarë në Nikosia, Omirou ka kërkuar nga bankat një listë të të gjitha transferimeve jashtë vendit të javëve të fundit. Ai do të verifikojë, nëse zyrtarët e lartë, që ndodhen në qendrat vendimmarrëse të Bankës Qendrore, apo edhe në ndërtesën presidenciale, të cilët ishin në dijeni të vendimit të afërt për mbylljen e bankave, kanë dërguar pjesë të pasurive të tyre jashtë vendit.

Natën duke u gdhirë e hëna (25.03.2013) qeveria e Qipros ra dakord me partnerët e saj ndërkombëtarë për kredi miliardëshe. Si kompensim sektori bankar i vendit mesdhetar duhet të tkurret. Ndryshe nga ndihmat për Irlandën dhe Portugalinë personat me xhirollogari të pasura duhet të kontribuojnë për shpëtimin e bankave.