Konflikti për pronat e kishës në Malin e Zi
19 Janar 2020Shkak është bërë një nen në ligjin e ri për lirinë e fesë, që miratoi në fund të dhjetorit parlamenti malazez. Sipas tij objekte dhe troje, të cilat aktualisht i përkasin Kishës Ortodokse Serbe (SPC) në Malin e Zi i kalojnë shtetit, në rast se kisha nuk vërteton dot se ajo i ka këto prona nën pronësinë e saj edhe para vitit 1918.
Sipas interpretimit të qeverisë në Podgoricë në fund të Luftës së Parë Botërore Mali i Zi u pushtua me dhunë në kuadër të Mbretërisë së Jugosllavisë nga ushtria serbe. Këtë qëndrim e ndajnë edhe shumë politikanë opozitarë malazezë. Sipas këtij qëndrimi, Kisha Autoqefale Ortodokse e Malit të Zi, (MPC) iu nënshtrua patriarkut të kishës serbe, SPC, që e ka selinë në Beograd. Rrjedhoja: kështu kanë kaluar pa të drejtë prona kishtare tek patriarkati serb.
Qartësi ligjore
"Me ligjin e ri ne duam të sjellim qartësi ligjore", thotë ish-kryetari i parlamentit, Ranko Krivokapic në bisedë me Deutsche Wellen. Para vitit 1918, sipas tij, pronat kishtare ishin në pronë të shtetit malazez, vetëm më pas ato i janë dhuruar kishës ortodokse serbe. Kjo duhet të korrigjohet tani, sepse "shteti i Malit të Zi dëshiron të mbrojë thesaret e kulturës së tij. E nuk bëhet fjalë, sipas tij, që pronari i thesareve më të rëndësishme kulturore në Malin e Zi vjen nga një shtet tjetër, si në këtë rast patriarkati serb." Përveç kësaj, sipas tij, SPC refuzon të regjistrohet si person juridik në Malin e Zi, gjë që komunitete të tjera, si Kisha Katolike e Komuniteti Mysliman e kanë bërë prej kohësh.
Nuk ka kadastra të mesjetës
Tërësisht ndryshe e sheh situatën Kisha Ortodokse Serbe. "Ligji kërkon që të provosh vërtetësinë e pronave të kishës dhe manastireve, që janë ndërtuar në shekullin e 13-të apo 14-të. Por ato atëherë i janë dhuruar apo janë krijuar për kishën." Kadastra, në të cilat të jenë shënuar këto nuk ekzistojnë", thotë peshkopi Grigorije Duric. Këto ndërtesa, sipas Duric i përkisnin në vitin 1918 Kishës Malazeze dhe atëherë në pajtim me juridiksionin ortodoks i janë kalaur SPC-së. "Ndryshimet politike në vazhdën e historisë nuk kanë ndonjë rëndësi për kishën", thotë peshkopi.
"Nga ana formale bëhet fjalë për të sqaruar, kujt i përket diçka, dhe jo për të realizuar një pretendim prone për vete", shpjegon Lazaros Miliopoulos,ekspert për çështjet e ortodoksisë në Universitetin e Bonnit. "Kjo është ndryshe në vendet perëndimore. Ai e mirëkupton qëllimin e Malit të Zi për sqarimin e marrëdhënieve të pronës, por e rëndësishme është që shteti të mos e shpronësojë thjesht kishën, pa e kompensuar", thotë ai. "Kjo do të ishte e papajtueshme me normat europiane", thekson Miliopoulos.
Identitet kombëtar
Rëndësi ka të sqarohet, nëse pas fundit të Luftës së Parë Botërore "dorëzimi i pronës së metropolitit të dikurshëm malazez tek kisha ortodokse-serbe ka ndodhur nën kërcënimin e dhunës e me presion apo me vullnet të lirë". Ka dokumente që provojnë, se metropoliti i atëhershëm ka protestuar, por edhe nga ato që provojnë të kundërtën. I gjithë debati ka një dimension politik. Mali i Zi është thellësisht i përçarë në çështjen e identitetit kombëtar. Në një kohë që një pjesë e popullsisë ndjehet si pjesë e kombit më të madh serb, pjesa tjetër e sheh veten si pjesë e pavarur e popullit malazez.
Ranko Krivokapic mendon se në ligjin e kontestuar bëhet fjalë për "konfirmimin dhe mbrojtjen e identitetit malazez. "Kisha Ortodokse Serbe e mohon ekzistencën e malazezëve, dhe me këtë të Malit të Zi. Kjo është problematike. Ata thonë, se janë të gjithë serbë. kjo është pjesë e politikës serbomadhe"- Për politikanin opozitar me sqarimin e çështjes së pronave të kishës do të merrte fund edhe procesi që filloi në vitin 2006 me pavarësinë e Malit të Zi. Një pjesë e këtyre përpjekjeve për pavarësi është edhe "(ri)themelimi i Kishës Ortodokse Malazeze, CPC., që e kupton veten si kisha e vërtetë e malazezëve dhe ngre pretendimin për të gjitha pronat në vend.
Instrumentalizimi i fesë
Edhe peshkopi Grigorije Duric sheh qëllime politike pas ligjit, por krejtësisht të tjera. Sipas tij, presidenti malazez, Gjukanoviç përpiqet "të provokojë një precedent, sepse vetëm ai mund ta shpëtojë." Vlerat e popullaritetit të tij kanë rënë. "Të gjithë e dinë në Malin e Zi, se ai sundon mbi gjithçka në vend dhe se shteti është shteti i tij privat." Sipas Duric, nëse ai ia del si shpëtimtar i kombit, atëherë malazezët sërisht do të mblidhen pas tij. "Ai kërkon përmes fesë të krijojë tensione. Kjo i emocionalizon njerëzit dhe i bën të grinden me njëri-tjetrin, dhe ai të dalë si shpëtimtar dhe zgjidhja e vetme për vendin."
Lazaros Miliopoulos përmend një aspekt tjetër. Për ortodoksinë nuk është e pazakontë lidhja mes kishës e politikës, thotë ai. "Nga ana historike është e provuar që këto kisha gjithmonë kanë funksionuar si kisha kombëtare." Gjatë periudhës së perandorisë osmanenga ana politike ato ishin edhe përfaqësues të interesave të popujve të krishterë kundrejt sulltanit mysliman. „Kjo traditë e lidhur me nacionalizmin e shekullit të 19-të ka çuar aty që të kemi tradita të forta kishtare kombëtare në Serbi, Rumani, Bullgari apo Greqi. Ekziston gjithmonë rreziku i ekzagjerimeve nacionaliste, kur kisha kalon çështje politike, thotë eksperti gjerman.
Të dialogohet
Miliopoulos është i bindur, që mund të gjendet një zgjidhje për këtë përçarje. „Shteti duhet të ulet në një tavolinë me kishën dhe në një format dialogu të kërkojë të zgjidhë problemin, para se të iniciojë një lloj kolektivizimi apo shtetëzimi të dokumenteve kishtarë që janë përcaktuar si të paqartë."
Këtë e rekomandon edhe Komisioni i Venecias. Ai u krijua pas rënies së Murit të Berlinit nga Këshilli i Europës me qëllimin që të ndihmojë shtetet europiano-lindore nga pikëpamja e së drejtës. Në një raport të Komisionit për problematikën e pronave kishtare u rekomandohet palëve të hyjnë në dialog. „Ideja është që të fillohet një proces, që të arrihet tek një ujdi, sepse rruga e nisur tani me siguri nuk të çon aty", thotë Miliopoulos.