1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania premton 100 milionë euro për Afganistanin

13 Shtator 2021

Në konferencën e donatorëve të OKB-së, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Maas ka premtuar 100 milionë euro ndihmë për Afganistanin. Qeveria gjermane po nxjerr premtime pranimi për aktivistët nga Afganistani.

https://p.dw.com/p/40GWg
Schweiz Flaggen vor dem Völkerbundpalast, Vereinte Nationen
Fotografi: Kim Petersen/imageBROKER/picture alliance

Gjermania ka premtuar 100 milionë euro ndihmë për Afganistanin në Konferencën e mbështetjes në Gjenevë. Bëhet fjalë për ndihmë humanitare për vendin në krizë dhe rajonin, tha ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas. Ai kishte njoftuar më parë se çdo mbështetje për Afganistain nuk do të shkonte përtej "ndihmës së pastër emergjente" për popullatën.

Maasi gjithashtu mbështeti perspektivën e dhënies së "500 milionë eurove të tjera". Fondet do të "sillen për njerëzit në Afganistan kryesisht përmes organizatave të Kombeve të Bashkuara (...)," tha ai për televizionin publik gjerman ARD. Ai tha se ishte optimist se kjo do të ishte e mundur edhe nën talobanët që tani qeverisin Afganistanin, edhe nëse kjo do të kërkonte "bisedime teknike" me ta.

OKB-ja e llogarit nevojën për ndihmë në më shumë se 500 milionë euro

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres e kishte thirrur takimin përballë një "katastrofe humanitare" të afërt në Afganistan. Sipas Kombeve të Bashkuara, pa ndihmë humanitare, gjysma e fëmijëve nën moshën pesë vjeç në vend do të vuajnë nga uria vitin e ardhshëm. Guterresi e përcaktoi nevojën e menjëhershme për ndihmë në pak më shumë se 500 milionë euro. Pothuajse një e treta e kësaj nevoje është krijuar nga marrja e pushtetit nga talibanët.

Afganistani ka vite që varet nga ndihma ndërkombëtare. Në fund të vitit të kaluar, Kombet e Bashkuara kishin bërë thirrje për një ndihmë në vlerën prej 1.1 miliardë eurosh, por fondi përkatës mbetet i pa financuar. "Përtej ndihmës humanitare, qëndrimi ynë i ardhshëm ndaj një qeverie talibane nuk do të varet nga fjalët, por më tepër nga veprat e saj," tha Maasi.

Konkretisht, tha ai, pushtetarët e rinj duhet të lejojnë njerëzit me status mbrojtjeje në Gjermani të largohen nga vendi, të respektojnë "të drejtat themelore të njeriut" dhe nuk duhet të strehojnë terroristë ndërkombëtarë. Deri tani, megjithatë, talibanët janë akoma larg këtyre: "Formimi i një qeverie kalimtare me përjashtimin e grupeve të tjera javën e kaluar nuk ishte sinjali i duhur për bashkëpunimin ndërkombëtar," tha Maasi.

Afganistani është "në një fazë të rrezikshme"

Komisionerja e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, i akuzoi talibanët se i kanë shkelur premtimet e tyre për të mbështetur liritë civile pas marrjes së pushtetit në Afganistan. Sidomos në rastin e të drejtave të grave, tha ajo, realitetet në terren nuk përputhen me premtimet. "Në kundërshtim me premtimet e talibanëve për të mbrojtur të drejtat e grave, gratë janë përjashtuar gjithnjë e më shumë nga jeta publike gjatë tre javëve të fundit," tha Bachelet. Ajo vuri në dukje se në qeverinë e re talibane nuk kishte gra.

Michelle Bachelet
Fotografi: Martial Trezzini/KEYSTONE/dpa/picture alliance

Përveç kësaj, tha ajo, ka pasur raste në të cilat bashkëpunëtorët e ish-qeverisë dhe të afërmit e tyre janë arrestuar në mënyrë arbitrare dhe më vonë janë gjetur të vdekur. Afganistani është në një "fazë të re dhe të rrezikshme" në të cilën shumë gra dhe anëtare të grupeve etnike dhe komuniteteve fetare janë shumë të shqetësuara për të drejtat e tyre, tha Bachelet.

Ministria e Brendshme gjermane nxjerr premtime pranimi

Ndërkohë, Ministria federale e Brendshme filloi të lëshojë premtime pranimi për më shumë se 2.000 aktivistë të të drejtave të njeriut, artistë, studiues, gazetarë dhe njerëz të tjerë potencialisht të rrezikuar nga Afganistani. Këta persona ishin identifikuar nga Ministria e Jashtme se kishin nevojë për mbrojtje të veçantë, krahas ish-punonjësve lokalë të Bundeswehrit dhe institucioneve të tjera gjermane.

Të premten e kaluar, lista e plotë e emrave të aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe personave të tjerë që kanë nevojë për mbrojtje u dërgua nga Ministria e Jashtme gjermane në Ministrinë e Brendshme, tha zëdhënësi i departamentit Steve Alter. Kur dikush është në një listë, "atëherë ai premtim i pranimit vlen; dhe tani u takon autoriteteve të verifikojnë që personi që është para tyre është me të vërtetë personi që është në listë."

Shumica e njerëzve që kanë nevojë për mbrojtje të raportuar nga Ministria e Jashtme gjermane janë ose akoma në Afganistan ose  kanë mbërritur në një vend fqinj. Sipas informacioneve të agjencisë e lajmeve dpa, lista e atyre që nuk janë ish-punonjës lokalë, por që do të përfshihen për shkak të rolit të tyre të ekspozuar në Afganistan përfshin rreth 2.600 vetë. Atyre u shtohen të afërm të ngushtë.

aud (ard, dpa)