1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kompromisi i OBT është një hap i parë

Christian Ignatzi/Eliana Xhani9 Dhjetor 2013

OBT ra dakord në Bali për masa lidhur me liberalizimin e tregut botëror. Ekspertët e ekonomisë shohin shanse të mëdha për rritje ekonomike tek këto vendime, por duhet të pasojnë hapa të tjerë.

https://p.dw.com/p/1AVOX
Fotografi: Reuters

Shefi i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) Roberto Azevedo, foli për një marrëveshje historike. Me lotë në sy ai tha: "E kemi risjellë botën në OBT. Për herë të parë në histori BTO ka arritur vërtet diçka."

Paketa e Balit, e arritur nga OBT, parashikon rënien e barrierave tregtare. Para së gjithash burokracia duhet të reduktohet hap pas hapi. Më pak dëshmi, prova, formularë, çertifikata, këto vlejnë para, thotë Jens Nagel nga shoqata e tregtisë BGA: "Çdo biznes tregtie punëson mesatarisht 25 persona, kërkon 40 dokumente dhe prodhon 200 paketa të dhënash." Edhe doganat e importeve dhe subvencionet agrare duhet të reduktohen. Ato ua vështirëojnë veçanërisht vendeve të varfëra konkurrencën me kombet e idustrializuara nga Evropa. "Këto do t'i japin hov tregtisë botërore", thotë Jürgen Matthes nga Instituti i Ekonomisë Gjermane (IDW) në intervistë me DW.

World Trade
Roberto Azevedo, shefi i OBTFotografi: picture-alliance/dpa

Stimul për rritjen ekonomike

Mundesitë e reja të eksporteve për shumë vende, paraqesin një rritje të mirëpritur ekonomike përballë zhvillimit relativisht të ngadaltë të koniunkturës. "Derisa në vendet e varfëra të vihen në zbatim standardet doganore, do të duhet edhe ca kohë, por për këtë do të ofrohet ndihmë", thotë edhe Rolf Langhammer, ish-zëvendëspresident i IDW në Kiel në bisedë me DW. Ai e vlerëson si sinjal pozitiv përpjekjen për të hequr përfundimisht kufirin e sipërm të lejuar për tregtinë agrare. Kjo do të thotë që një vend mund të eksportojë mallra pa kufizim. Por për sasinë mbi kufirin aktual të sasisë së lejuar, duhet të paguajë taksa të tjera doganore.

Deri të enjten (5.12.) dukej se paketa e Balit nuk kishte shanse të mira. India synon të garantojë që mallrat ushqimore të mbeten të përballueshme financiarisht për të varfërit dhe për këtë arsye ngulte këmbë që të lejohen subvencionet për orizin dhe drithërat për rreth 800 milionë njerëz në nevojë. Disa shtete me në krye SHBA donin që kjo të lejohej vetëm për një kohë të caktuar. Kompromisi i arritur në fund përcakton që India mund të subvencionojë në kufij të përcaktuar qartë ushqimin për të varfërit dhe kjo do të kontrollohet rreptësisht. Rolf Langhammer e sheh megjithatë me ndjenja të përziera këtë marrëveshje: "Problemi është që India tani mund të shkaktonte shtrembërime në tregti." Kompromisi i gjetur nuk është rruga e duhur pasi "një subvencionim i produkteve është gjithnjë i gabuar." Por: OBT nuk kishte alternativë tjetër. "Indianët ishin shumë të vendosur. Pa këtë kompromis nuk do të ishte arritur miratimi i paketës së Balit."

Lajme të mira për sektorin e eksporteve në Gjermani

Krahas vendeve të varfëra edhe Gjermania përfiton nga vendimet e Balit. Shefi i tregtisë së jashtme i Konferencës së Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë gjermane, Volker Treier, foli për një sinjal të rëndësishëm. Paketa e Balit mund t'i sjellë Gjermanisë një impul rritjeje prej 60 miliardë eurosh në vit. Me një pjesë prej 7 për qind në totalin e eksporteve ndërkombëtare Gjermania është numri tre në botë pas Kinës dhe SHBA. Në Gjermani një në katër vende pune është i lidhur me sektorin e eksporteve.

Grenzen in Europa
Fotografi: picture-alliance/ZB

Edhe për vetë OBT mbyllja me sukses e negociatave ishte gati gati jetike, thotë Langhammer: "Organizata mund të humbiste plotësisht rëndësinë, nëse nuk do të kishte arritur marrëveshjen." Prej shtatë vjetësh negociatat kishin ngecur në vend. Gjatë kësaj kohe e gjithë bota i hidhte sytë vetëm drejt marrëveshjeve rajonale, thotë Langhammer, p.sh. tek marrëveshja e tregtisë së lirë mes SHBA dhe BE. Megjithatë mbi këtë marrëveshje paketa e Balit e OBT nuk do të ketë asnjë ndikim, shpreh bindje Jürgen Matthes nga IDW në Köln.

Hapi i parë i axhendës së zhvillimit

Eksperti i tregtisë Langhammer beson se marrëveshja për paketën e Balit mund të jetë udhërrëfyese edhe për negociatat e mëtejshme të të ashtuquajturit raundi i Dohas. Paketa e Balit është pjesë përbërëse e axhendës së zhvillimit, të iniciuar në 2001 nga ministrat e ekonomisë dhe tregtisë të shteteve anëtare të OBT, por të pezulluar në 2006. Synimi i procesit të Dohas është të vërë nën kontroll problemet ekonomike të vendeve në zhvillim duke iu lehtësuar atyre qasjen në tregun botëror.

Pra me vendimet në Bali është vendosur një gur themeli.