Komisioni i ri Evropian: 48 përqind janë femra
10 Shtator 2019Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka paraqitur përbërjen e planifikuar të ekipit të saj. Von der Leyen planifikon që Komisioni i ardhshëm i BE-së të ketë më shumë femra se kurrë më parë: përveç saj, në të do të përfaqësohen dymbëdhjetë femra dhe katërmbëdhjetë meshkuj. Objektivin që kishte, që Komisioni Evropian të përbëhet nga 50 përqind femra, ajo nuk e arriti për pak.
Sidoqoftë, Komisioni i ri është një hap i qartë përpara përballë Komisionit që po largohet, i cili përbëhej nga nëntë femra dhe 19 meshkuj. Për shkak të largimit të planifikuar të Britanisë së Madhe nga BE më 31 tetor, Mbretëria e Bashkuar nuk përfaqësohet më në Komisionin e ri. Komisioni i ri do të fillojë punën e tij në 1 nëntor.
Rezerva ndaj personave të caktuar
Komisioni Evropian mund të krahasohet me një qeveri: çdo anëtar është përgjegjës për një dikaster të caktuar. Çdo shteti anëtar të BE zakonisht i jepet një post në Komision. Prandaj, gjermania von der Leyen duhej t'i kushtonte vëmendje veç kompetencës profesionale dhe ruajtjes së barazisë gjinore të premtuar, edhe caktimit të një komisioneri për çdo vend.
Megjithatë, në Parlamentin Evropian, i cili e ka fjalën e fundit në zënien e posteve, ka ende rezerva në lidhje me kandidatë të caktuar, për shembull për kandidatët nga Hungaria, Polonia dhe Rumania. Ish-ministri hungarez i Drejtësisë, Laszlo Trocsanyi është kritikuar për përfshirjen e tij në reformën juridike të diskutueshme dhe ndërkohë të frenuar. Kundër polakut, Janusz Wojciechowski po zhvillon hetime Agjensia Evropiane kundër mashtrimit për shkak të shpenzimeve të pasakta të udhëtimeve. Rumunia Rovana Plumb akuzohet për korrupsion.
Të martën (10.09.), von der Leyeni do të njoftojë shpërndarjen e detyrave në personelin e saj, në konferencën e saj të parë të madhe të shtypit në Bruksel. Pas dëgjimeve individuale në Parlamentin Evropian, eurodeputetët do të votojnë për të gjithë paketën.
Ajo vetë ishte një surprizë
Gjermanen von der Leyen e paraqitën papritur si kandidate konsensusi për postin e Presidentes së Komisionit Evropian, pas një samiti të tensionuar të BE-së në korrik. Më parë, krerët e shteteve nuk patën arritur të bien dakord për asnjë nga kandidatët kryesorë për presidentë të Komisionit, të cilët bënë fushatë para zgjedhjeve.
Zëvendësit e Ursula von der Leyenit do të jenë holandezi Frans Timmermans, kandidat kryesor i socialdemokratëve dhe ish-Komisionerja e Konkurrencës në BE Margarethe Vestager nga Danimarka, kandidatja kryesore e liberalëve. Deri tani, dihet vetëm se i Ngarkuari me Politikën e Jashtme të BE do të jetë Borrelli nga Spanja.
aud (dpa, dlf, afp)