Komisioni publikon raportin e progresit 2013
16 Tetor 2013Komisioni i BE-së propozoi këtë të mërkurë (16.10.) dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë në bilancin e tij vjetor të procesit të zgjerimit. Duke hequr kushtet e mbajtura që nga 2009 për statusin e kandidatit për Shqipërinë, Komisioni vë në dukje "përparimet pozitive" të realizuara në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2013, sa i takon normalizimit politik.
Por Tiranës i bëhet thirrje të dyfishojë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, funksionimin e shtetit ligjor dhe reformimin e administratës, përpara se të diskutohet për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Komisioni gjithashtu nënvizon dimensionet e përpjekjeve për të rimëkëmbur ekonominë "e brishtë" të Shqipërisë, të rënduar nga "niveli i lartë i deficitit dhe borxhit publik".
Në pjesën për Kosovën Komisioni e vlerëson vitin 2013 si një vit historik për shtetin e ri ballkanik në rrugën e tij drejt BE-së. Kosova është angazhuar në dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme politike të identifikuara në studimin e fizibilitetit në 2012, thuhet në raport. BE-ja i vlerëson këto përpjekje duke rekomanduar fillimin e negociatave për një Marrëveshje Stabilizim Asociimi me Kosovën.
Komisioni nënvizon nevojën për vazhdimin e përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe ndërtimin e një Kosove inkluzive. Përpjekje të mëtejshme kërkohen në përmbushjen e kërkesave të axhendës evropiane në lidhje me MAS. Fushat prioritare përfshijnë sundimin e ligjit, gjyqësorin, administratën publike, reformën elektorale, të drejtat humane dhe themelore, mbrojtjen e pakicave, tregtinë dhe çështje të tregut të brendshëm si dhe çështje fitosanitare dhe veterinare.