1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni i BE rekomandon për Shqipërinë statusin e kandidatit për në BE

Arben Muka4 Qershor 2014

KE rekomandon statusin e kandidatit në BE për Shqipërinë. Por komisari i zgjerimit Füle u shpreh në Tiranë, se klima konfrontuese politike e dëmtojnë Shqipërinë dhe qeveria e opozita duhet të kenë qasje tek kompromisi.

https://p.dw.com/p/1CByl
Stefan Füle und Edi Rama in Tirana 04.06.2014
Fotografi: DW/A. Muka

Komisari i BE-së për zgjerimin Štefan Füle vlerësoi përparimet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kërkoi që t'i jepet statusi i vendit kandidat për antarësim në BE këtij vendi të Ballkanit.

«Unë jam i inkurajuar nga përpjekjet për reforma », deklaroi Füle të mërkurën (04.06.2014) duke publikuar raportin e progresit. Ai u rekomandoi shteteve të BE-së që në samitin e BE-së në fund të qershorit ta bëjnë Shqipërinë vend kandidat. Shtetet e BE-së dhjetorin e kaluar i kërkuan Komisionit të BE-së që të vlerësojë përparimet e këtij vendi. Füle në raportin e paraqitur tani nxjerr bilancin, që qeveria shqiptare po tregon «një vullnet të vazhdueshëm për të vepruar me vendosmëri në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar ». Gjithashtu sipas tij ky vend është zotuar për reforma të mëtejshme në sektorin e drejtësisë.

Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat Evropiane të Fqinjësisë Štefan Füle qëndroi të mërkurën (04.06.2014) në Tiranë për të artikuluar publikisht rekomandimin për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Füle zhvilloi bisedime të përbashkëta me përfaqësues të qeverisë dhe të opozitës, por dhe me rrjetin e shoqvrisë civile dhe diplomatë përendimorë të akredituar në Tiranë. E kemi bazuar këtë rekomandim tek angazhimi i vazhdueshëm në luftën kundër korrupsionit, reformën gjyqësore gjithëpërfshirëse dhe vendimet që janë ndërmarrë nga Shqipëria që nga raport-progresi i tetorit të kaluar. Shoh argument të fortë për një vendim të plotë nga shtetet anëtare, por përpjekjet duhet të vazhdojnë përtej vendimit të fundit të muajit qershor, me synim qëndrueshmërinë e reformave”, tha Füle gjatë një takimi me gazetarët në krah të kyeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Zyrtari i lartë i Brukselit vuri dhe “gishtin në plagë” te raportet e acaruara mes mazhorancës dhe opopozitës. “Gjithëpërfshirja dhe bashkëpunimi janë prioritete kyce për ecjen përpara. Klima konfrontuese politike e dëmtojnë Shqipërinë. Qeveria dhe opozita duhet të kenë qasje tek kompromisi”.

Pozita dhe opozita vlerësojnë pozitivisht rekomandimin

Kryeministri Edi Rama u tregua i përmbajtur për rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, duke u shprehur se sot jemi më shumë të rënduar nga pesha e përgjegjësisë, pavarësisht votimit në dhjetor nga vendet anëtare, përforcimi i që i ka bërë komisioni rekomandimit na bën të ndjehemi mirë, pasi puna ka vazhduar për një përpjekje të gjithanshme transformuese” Për raportet me kundërshtarët politikë ai bëri thirrje për t'u bërë bashkë në pasjen e një vijë të qartë ndarëse, siç tha ai, “mes kampeve politike dhe kampeve në parlament dhe kampit tonë të përbashkët, të qytetarëve dhe përfaqësuesve të qytetarëve të këtij vendi dhe kampit të trafiqeve e korrupsionit. Të bëhemi bashkë për të ndarë axhendat partiake me axhendën tonë kombëtare, që pikë të parë të vetën ka Shqipërinë europiane, Shqipërinë në Bashikimin Europian”.

Rekomandimi pozitiv nga KE për akordimin e statusit kandidat për Shqipërinë është vlerësuar dhe nga opozita e djathtë. Ish-ministrja e integrimit, aktualisht deputete e PD, Majlinda Bregu, ishte e pranishme në raundin tretë të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri- BE dhe u shpreh se “Shpresojmë që statusi të konfirmohet pozitivisht në fund të muajit”.

Procedurialisht tashmë pritet vendimi i 28 anëtarëve të Bashkimit Europian në fund të këtij muaji nëse do e mbështesin ose jo rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.

Gjermania ende në procesin e marrjes së vendimit

Në intervistë për DW deputeti kristiandemokrat gjerman Roderich Kieseëetter i pyetur mbi shanset që ka Shqipëria për ta marrë në samitin në fund të qershorit dritën e gjelbër nga krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së, theksoi: „Aktualisht është vështirë të thuhet. Mendoj se aktualisht në Bruksel ekziston gatishmëria që Shqipërisë t'i jepet statusi i kandidatit. Por ka dhe disa detyra, që duhet të kryhen. Kanë mbetur edhe disa javë, por dua të them shumë qartë: edhe nëse jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, kjo nuk do të thotë anëtarësim në BE, por detyrim që të kryhen edhe shumë detyra. Pra Shqipëria me siguri që para vetes ka një rrugë shumë të gjatë. Mendoj se për Ballkanin Perëndimor është një sinjal i mirë, kur edhe një vend tjetër e fiton statusin e kandidatit. Por kjo nuk duhet të kuptohet si një sinjal se duhen ndërprerë përpjekjet.“

Deputeti gjerman thekson gjithashtu, se i vlerëson përpjekjet e deritanishme të Shqipërisë për plotësimin e detyrimeve në bazë të katalogut, që e ka marrë prej Komisionit Evropian. Ai shpreh bindjen, se në Shqipëri ekziston vullneti për t'i përmbushur të gjitha këto detyrimeime. Sa i përket pozicionit të Gjermanisë, deputeti Kiesewetter vë në dukje: „Ne ende jemi në procesin e marrjes së vendimit dhe ende nuk kemi marrë ndonjë vendim të qartë. Këtë vendim do ta marrim gjatë këtij muaji, por ende nuk ka ndonjë vendim të qartë të qeverisë gjermane, apo të Bundestag-ut. Ne ende kemi nevojë për informacione shtesë lidhur me zhvillimin e këtij vendi.“

Hapi tjetër për një vend që gëzon statusin e kandidatit për antarësim në BE janë bisedimet për pranimin në BE, të cilat mund të zgjasin me vite.