Komisioni Evropian miraton MSA-në me Kosovën
30 Prill 2015Komisioni Evropian miratoi me (30.04 ) me procedurë të shkruar, tekstin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA)ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.
Me këtë hap, Komisioni Evropian përmbylli procedurën e vet, për t'i hapur rrugë Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian që të pajtohen, para se marrëveshja të hyjë në fuqi. Por para kësaj, marrëveshja duhet të nënshkruhet nga shefja e politikës së jashtme e BE-së, Federica Mogherini dhe qeveria e Kosovës.
Teksti i marrëveshjes së Stabilizim Asoccimin e bën të qartë se Bashkimi Evropian mbetet neutral ndaj statusit të Kosovës dhe nuk paragjykon në asnjë mënyrë qëndrimin e shteteve anëtare ndaj statusit. Në këtë mënyrë thuhet se janë shmangur pengesat që do të mund t'i bënin kësaj marrëveshjeje shtetet anëtare të BE-së që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovën.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, e vlerësoi lartë miratimin nga ana e Komisionit Evropian të tekstit të marrëveshjes së Stabilizim Asociim për Kosovën. ''Miratimi i sotëm nga Komisioni Evropian shënon një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Tani mbetet që Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian të pajtohen para se marrëveshja të mund të nënshkruhet dhe të hyjë në fuqi në fillimvitin 2016. Kur të hyjë në fuqi MSA-ja do të jetë marrëdhënia e parë kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Një marrëveshje e tillë e fuqishme do të forcojë pozicionin e Kosovës në rrjedhat e përgjithshme të politikës së BE-së për Ballkanin Perëndimor", thotë në një deklaratë për media Samuell Zhbogar.
MSA është marrëveshje gjithëpërfshirëse që mbulon bashkëpunimin në një spektër të gjerë sektorësh si drejtësia, tregtia, arsimi, punësimi, energjia, mjedisi dhe një varg politikash në fusha të tjera. Sipas BE-së, synohet që nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të bëhet gjatë verës, përkatësisht gjatë muajit qershor, ndërsa hyrja në fuqi e saj parashihet për fillimin e vitit që vjen.
MSA me Bashkimin Evropian duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në një deklaratë të tij, thotë se Komisioni Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën dhe konfirmoi rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. "Dua t'i përgëzoj qytetarët e Kosovës, partnerët tanë dhe të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces për një punë të mrekullueshme, e cila është dëshmi e qartë e përkushtimit tonë shtetëror dhe vizionit të qartë për të ardhmen. Rruga jonë është trasuar dhe tani duhet t'i përvishemi punës për implementimin e kësaj marrëveshjeje. Do të jetë rrugë e gjatë, por unë jam mëse i sigurt që bashkërisht do t'ia dalim", vlerëson kryetari i kuvendit Kadri Veseli.
Ministri i Integrimeve Evropiane në qeverinë e Kosovës, Bekim Qollaku, në një postim ne rrjetin social thotë se "sipas parashikimeve, nënshkrimi do të ndodhë së shpejti këtë verë, dhe procedurat e pajtimit nga Parlamenti Evropian si dhe ratifikimi në Kuvendin e Kosovës të bëhen shpejt në mënyrë që MSA të hyjë në fuqi më 1 janar 2016".