1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni Europian: Ekipi "Ursula" para startit

26 Nëntor 2019

Komisioni i ri Europian pritet të marrë bekimin e Parlamentit Europian të mërkurën me vonesë. (27.11.) Ursula von der Leyen, presidentja e re e KE synon një Komision gjeopolitik, të klimës e me shumë më pak shpenzime.

https://p.dw.com/p/3TgTU
Brüssel Ursula von der Leyen
Fotografi: picture-alliance/dpa/Belga/T. Roge

Nuk ishte një fillim i lehtë për ekipin e ri të Komisionit Europian të Ursula von der Leyen: Dy kandidatë nga Franca dhe Rumania dhe një nga Hungaria u refuzuan nga Parlamenti Europian pas seancës dëgjimore. Qeveritë duhet të nisnin emra kandidatësh të rinj, për autoritetin më të lartë të BE. Sidomos presidenti francez, Macron ishte i zemëruar për dështimin, të cilin ai ia veshi personalisht presidentes së Komisionit të ri Europian, ish-ministres gjermane të Mbrojtjes, Ursula von der Leyen.

Pra  u krijuan që në fillim pakënaqësira, që sollën një vonesë prej katër javësh. Ekipi i ri i KE nuk filloi nga puna më 1 nëntor, sipas planit, por i merr përsipër detyrat më 1 dhjetor. Deri pak ditë para votimit final kishte paqartësi, sepse Britania e Madhe nuk dëshiron të emërojë një kandidat për komisionin e ri. Juristët e Komisionit Europian arritën në përfundimin, se Ursula von der Leyen mund të fillojë legalisht nga puna edhe me 26 komisionerë, pa britanikun. "Këtë po e bëjmë tani, nuk kemi ndonjë model legal, sepse Brexit është për të gjithë tokë e panjohur", thotë një diplomat i BE. Megjithatë Komisioni Europian ka nisur një procedurë për shkelje të marrëveshjeve kundër Britanisë së Madhe, që me gjasë do të trajtohet nga Gjykata Europiane. Nëse britanikët do qëndrojnë më gjatë në BE, mund që ata çdo kohë të emërojnë një komisioner në Bruksel. Ursula von der Leyen duhet të gjejë pastaj një sektor për të ardhurën/in nga Londra.

Brüssel Von der Leyen Team EU-Kommission
Von der Leyen prezanton ekipin e saj në BrukselFotografi: picture-alliance/dpa/AP/V. Mayo

Komisionerë në disa kategori

Për shpërndarjen e detyrave në komisionin e ri, "Ekipi Ursula", rrethi më i ngushtë i punonjësve pranë saj, ka menduar një model kompleks, ku balancohen interesat e shteteve anëtare të vogla e të mëdha, atyre më të varfra dhe atyre më të pasura në BE, interesat e anëtarëve lindorë dhe veriorë. Ursula von der Leyen ka arritur një kompromis që i kënaq të gjithë. Për këtë ajo ishte e bindur në shtator. Von der Leyen do të ketë tre zëvendëspresidentë ekzekutivë. Mes tyre Frans Timmermans nga Holanda e Margrethe Vestager nga Danimarka, dy politikanë të njohur në BE, që donin vetë ta merrnin postin e presidentit të KE. Përveç kësaj do të ketë edhe pesë zëvendëspresidentë të tjerë, që do të drejtojnë sektorë me emra plot fantazi. Komisioneri grek, Margaritis Shinas, zëdhënës i KE deri më tani do të drejtojë sektorin  e "Nxitjes së Stilit Europian të Jetës", ku bëjnë pjesë Arsimi, Punësimi dhe Migracioni. Emrin e parë "Mbrojtje e Stilit Europian të Jetesës", von der Leyen duhet ta ndryshonte pas kritikave të forta nga Parlamenti Europian. Ky propozim bie erë "populistësh të djathtë", dhe është dezorientues, u tha nga deputetët e majtë të Parlamentit Europian.

Frans Timmermans do duhet të merret me "Një Kontratë Ekologjike" për BE, ku futen Mbrojtja e Klimës, Mbrojtja e Mjedisit dhe Politika Energjitike. Ky sektor do të jetë një nga pikërëndesat e KE. Ursula von der Leyen ka kërkuar një ligj gjithëpërfshirës për mbrojtjen e klimës 100 ditë pas fillimit të detyrës.

Europäisches Parlament in Brüssel | Josep Borrell, Außenminister Spanien
Josep BorrellFotografi: Reuters/Y. Herman

"Ministri i ri Jashtëm" i BE do të jetë Joseph Borrell. Ai do të ketë në fokus Çështjet Ushtarake të BE, e do të merret me zgjerimin e Unionit të Mbrojtjes. Tek ky sektor do të jetë edhe komisioneri për Zgjerimin, Olover Varhelyi nga Hungaria. Ky do të punojë që të hapen sa më shpejt bisedimet e anëtarësimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, konnkretisht me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Franca e bllokon këtë hap me Holandën e Danimarkën. Kurse komisioneri Urpilainen do të merret me zgjerimin e bashkëpunimit me vendet afrikane.

12 femra, 15 meshkuj

Zëvendëspresidentët dhe 15 komisionerët sipas tematikës do të ndahen në grupe pune dhe projekte të ndryshme. Në porosinë e Ursula von der Leyen thuhet, se puna e 26 komisarëve të BE duhet të jetë kolegiale, transparente dhe e shpejtë. Në punën e komisionit të ri duhet të vihet theksi tek aspekte të politikës së jashtme. "Ky do të jetë një komision gjeopolitik", ka thënë von der Leyen.

Një premtim presidentja e re nuk e mbajti. Që komisioni i ri të ishte i barabartë në numrin e grave dhe burrave. Tani në fund ekipi ka 12 femra dhe 15 meshkuj. Megjithatë ky është komisioni më femëror që ka pasur ndonjëherë BE. Von der Leyen madje është e para femër në krye të KE.

Belgien l Europaparlament befragt Ersatzkandidaten für von der Leyens EU-Kommission - Oliver Varhelyi
Hungarezi, Oliver Varhelyi, përgjegjës për zgjerimin dhe fqinjësinëFotografi: Getty Images/AFP/J. Thys

Ursula von der Leyen, e njohur për ditë të gjata pune, do të vendosë një rekord të ri. Ajo do të ketë në fund koston më të ulët të shpenzimeve të akomodimit dhe sigurimit të të gjithë krerëve të mëparshëm. Ashtu si ministre e Mbrojtjes, ajo do ta kalojë natën në një apartament në krah të zyrës së presidentes së re, 25 metra katrorë, ku është instaluar së fundmi edhe një dush. Zëdhënësi i von der Leyen ka thënë, se me këtë ulen shumë shpenzimet e sigurisë. Ndërtesa e Komisionit Europian, ku von der Leyen do të kalojë natën i ka rojet 24 orë. Në fundjavë von der Leyen do të bëjë atë që e bëjnë edhe shumë funksionarë të BE. Ajo do të shkojë në shtëpi, tek bashkëshorti i saj, Heiko pranë Hannoverit.

 

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE