1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hungari: Dogmatizëm në vend të shkencës

Fabian Schmidt
5 Gusht 2019

Emërimi nga Orbani i një filologu islamofob në postin e mbikqyrësit të Akademisë së Shkencave është një skandal. Kjo nuk është rruga për ta bërë shkencën konkurruese, mendon Fabian Schmidt.

https://p.dw.com/p/3NJ1E
Ungarn Protest gegen die Zerschlagung der Akademie der Wissenschaften
Fotografi: Reuters/B. Szabo

Kryeministri hungarez Orban, e ka marrë vendimin. Në krye të zyrës së mbikqyrjes së Akademisë së Shkencave, zyrë që ka qenë shumë e diskutueshme, do të merret nga Miklos Maroth. Maroth, 76-vjeçar, është orientalist dhe filolog klasik, që ka rënë herë pas here në sy për shprehjet e pakëndshme kundër islamizmit, të cilat tregojnë mungesë respekti për dinjitetin njerëzor.

Në këtë mënyrë qeveria hungareze tregon drejtimin që ka marrë - kthim në të kaluarën. Jo vetëm sepse Maroth është bërë i njohur për ksenofobinë, por sepse kthimi në të kaluarën përbën thelbin e mësimeve të tij universitare.

Filologët - priftërinjtë e kombit

Për të kuptuar pse emërimi i një filozofi është një shenjë ogurzezë për shkencën e lirë, duhet parë ndryshimi bazë që ekziston midis filologjisë dhe linguistikës. Të dyja disiplinat e shkencës nuk janë dy emërtime të së njëjtës gjë, siç mendojnë shpesh gabimisht laikët.

"Filologët janë priftërinjtë e kombit," pati thënë një herë profesori im i bekuar, profesori i balkanologjisë në Universitetin e Lirë të Berlinit, Norbert Reiter, duke  e vënë pikën mbi "i" për këtë çështje konfliktuale. Profesor Reiter ka qenë përfaqësues i eurolinguistikës së krahasuar një degë shumë e përparuar.

Kurse filologëve si puna e Marothit, intelektualisht u ka ngecur ora në shekullin e 19-të. Metodika dhe mësimet e tyre karakterizohen nga idetë romantike dhe nacionaliste, të mbuluara nga pluhuri i kohës.

Deutsche Welle Fabian Schmidt App
Fabian SchmidtFotografi: DW/P.Henriksen

Në botën e ideve të tyre ekzistojnë gjuhët, familjet e gjuhëve dhe pemët gjenealogjike, të cilat zhvillohen si organizma biologjikë. Sipas tyre "popujt" dhe "gjuhët" krijojnë njësi, që janë të lidhura gjenetikisht. Kjo është filologjia me vendosje kufijsh: ajo çka i ndan "gjuhët" nga njëra tjetra, ndan "popujt" dhe "kombet" dhe anasjelltas.

Obskurantizëm në vend të empirizmit

Për ta thënë qartë, kjo është marrëzi joshkencore dhe obskurantiste. Kjo doktrinë e "gjuhëve" është në thelb normative dhe jo empirike. Ajo është e përshtatshme për të arsimuar mësues, që u kërkojnë nxënësve të shkruajnë dhe flasin "si duhet", në bazë zë gjuhës së normatuar. Në këtë mënyrë krijohen "kombet". Ky mund të jetë një synim politik dhe shoqëror, por ai nuk ka të bëjë aspak me shkencën dhe studimet e pavarura.

Por ajo çka filozofia nuk mund ta bëjë për këtë synim politik është t'i japë kuptimin shkencor dimensioneve të shumëllojta të komunikimit. Këtë mund ta bëjë vetëm linguistika. Ajo nuk merret me "gjuhët", por me gjuhën. Dhe linguistika nuk kërkon të gjejë çfarë është "e drejtë" dhe çfarë është "e gabuar", por i vështron njerëzit në mënyrë empirike direkt në gojë.

Ajo përdor si linjë drejtuese semiotikën, studimin e komunikimit nëpërmjet shenjave. A vijnë shenjat gjuhësore (si leksikologjike, ashtu edhe gramatike) që dy njerëz përdorin me njëri-tjetrin nga njëra apo tjetra "gjuhë", është për linguistët krahasues interesante vetëm si njohuri shkencore.

Kështu nuk lind shkenca moderne

Ky diskutim ishte i nevojshëm për të kuptuar pse nuk mund të krijohet një ambient shkencor modern dhe i hapur ndaj botës me persona të tillë drejtues, ora akademike e të cilëve ka ngecur në periudhat e errëta të kohërave të mëparshme

Një fjalë e urtë popullore angleze thotë: "Qentë e moshuar nuk mësojnë dot hile të reja". Si mund të kuptojë një përfaqësues i denjë i një disipline të papërmirësueshme normative rëndësinë dhe aktualitetin e studimeve empirike të pavarura? Në këtë rast nuk ka rëndësi nëse kemi të bëjmë me shkencat shoqërore apo natyrore. Kur mungon të kuptuarit, asgjë nuk ndryshon.

Emërimi megjithatë tregon se mbas beve të bëra nga ministri hungarez i Inovacioneve László Palkovics, se shfuqizimi i akademisë do ta bënte shkencën hungareze më konkurruese, nuk fshihet asgjë. E gjitha u demaskua si sanksion politik. Kur akademikëve u vihet si kontrollor një filolog klasik, atëherë ata trajtohen sikur të jenë fëmijë.

Sikur qeveria të kishte emëruar në këtë post një profesor inxhinierie 50 vjeçar, atëherë do të kishte të paktën pamjen e dëshirës për inovacione.