1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zhdërvjelltësia e re e partisë liberale, FDP

19 Shtator 2017

Të fuqizuar, Demokratët e Lirë synojnë të futen në Bundestag. Madje edhe një pjesëmarrje në qeveri duket e mundshme. Pse jo?

https://p.dw.com/p/2kEQL
FDP Symbolbild - Die Liberalen
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Weigel

Më 24 shtator partia liberale gjermane, FDP do të kthehet pas katër vjetëve në opozitë jashtë parlamentit në Bundestagun Gjerman. Përballë vlerave të qendrueshme në sondazhe prej rreth 10 përqind, kjo është gjithçka tjetër, por jo prognozë e guximshme. Shumë më e vështirë është këtu dhënia përgjigje pyetjes se ç'rol do të luajë kjo parti në parlament ose madje edhe në një qeveri të ardhshme. "Ne nuk përjashtojmë asgjë", tha kryetari i FDP-së dhe kandidati kryesor i partisë, Christian Lindner. "Ne nuk japim premtim për koalicion për diçka të caktuar", tha 38 vjeçari në fund të fjalës së tij njëorëshe në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë të dielën në Berlin. Disa do të thonë: FDP kërkon t'i mbajë hapur të gjitha dyert. Të gjitha ajo nuk duhet t'i mbajë hapur, por të paktën dy duhet t'i mbajë. Sepse po të përfundojnë zgjedhjet parlamentare ashtu si i parashikojnë studiuesit e opinionit prej javësh, nga pikëpamja matematikore janë dy koalicione që diskutohen: vazhdimi i koalicionit të madh i SPD me CDU/CSU ose një koalicion i Unionistëve, Të Gjelbërve dhe të liberalëve të FDP.

Opsione jo të lehta

Të dyja variantet nuk do të jenë të lehta për t'u zbatuar. Në bazën e SPD është rritur malli për një periudhë rigjenerimi në opozitë. Një herë të tretë si partnerë më të vegjël në krah të Angela Merkelit, këtë shumë duan t'ia kursejnë vetes. Një kërkesë e kuptueshme, sepse në hijen e Kancelares që dominon gjithçka, SPD është gjithnjë e më vështirë të dallohet.

FDP Bundesparteitag in Berlin
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrszenka

Alternativa do të ishte një koalicion i Unionistëve, Të Gjelbërve dhe të liberalëve të FDP. Por meqenëse dy partitë e vogla e shajnë njëra-tjetrën gati tradicionalisht, shumë e konsiderojnë një koalicion të tillë gati të përjashtuar. Por megjithë ndryshimet programatike dhe kulturore, presioni ndaj palëve mund të rritet, që të lidhin një aleancë. Që FDP është e gatshme të marrë përgjegjësinë për shtetin, siç pritet edhe nga partitë e tjera, këtë shefi i FDP-së e la të kuptohet. Në lidhje me një pjesëmarrje në qeveri, Lindneri mund të kishte paraqitur shumë pengesa të larta. Po me zgjuarsi nuk e bëri.

Vetëm një kusht absolut përmendi ai: një politikë të re imigrimi. Këtë politikë ai e skicoi në fund të gushtit në intervistë televizive me Deutsche Welle-n: një të drejtë individuale bazë për azil për ata që përndiqen politikisht, mbrojtje e përkohshme humanitare për refugjatët nga zonat e luftës dhe imigrim të kualifikuar. Me këtë koncept, FDP nuk noton në ujërat e djathta, megjithë polemikat. Me vullnet të mirë do të ishte e pranueshme edhe për CDU/CSU dhe për Të Gjelbrit.

Marcel Fürstenau
Marcel FürstenauFotografi: DW

Pikat e kontaktit janë më të mëdha se duken

FDP nga ana e saj duhet të afrohej për temën e ambjentit me Të Gjelbrit dhe për temën e sigurisë së brendshme duhet të afrohet me pozicionet e partive unioniste. Por në këto fusha ka më pak pengesa të pakapërcyeshme, se mund të mendohet. Edhe në politikën e jashtme pikat e kontaktit duhet të jenë të shumta. Qoftë Evropa apo NATO-ja, askush nuk vë asgjë parimisht në diskutim. Edhe në trajtimin e regjimeve totalitare nuk duhet të ketë pengesa të pakapërcyeshme.

Shefi i FDP-së, Lindner dëshiron të pengojë patjetër që partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) të bëhet forca e tretë politike në parlament. Po të përsëritet koalicioni i madh partiak në qeveri, AfD pritet të jetë partia e tretë në Bundestag, për nga madhësia. Ky skenar ndoshta mund ta ndalohet vetëm me një koalicion të Unionistëve, Të Gjelbërve dhe të liberalëve të FDP.

 

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore