1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Urrejtja dhe dhuna në internet - kush e mban përgjegjësinë?

8 Prill 2017

Për ofendime, përhapjen e urrejtjes apo thirrje për dhunë në internet, nuk mund të kërkohet përgjegjësi nga rrjetet sociale, por nga personat që i bëjnë ato, mendon Jan D. Walter.

https://p.dw.com/p/2aukP
Symbolbild Tastatur Internet
Fotografi: picture-alliance/dpa/Hildenbrand

Mendimet janë të lira. Kjo vlen edhe për shprehjen e mendimit dhe ndjenjave. Por mund të denohet përhapja e tyre, sepse gjuha - e shkruar apo e folur - është një veprim që arrin efekte të caktuara. Ndaj sanksionohet me ligj.

Se kur janë thirrjet për dhunë dhe ofendimet personale të dënueshme - këtë duhet ta vendosin gjykatësit. Por kush duhet të dënohet për përhapjen e tyre? Personi që i ka përhapur, si dhe ai që ka ndihmuar në përhapjen e gjërave të tilla, thuhet në ligjet gjermane.

Qeveria federale po e zhvendos përgjegjësinë

Facebook & Co. nuk mund të dënohen - as "si ndihmës". Ndaj qeveria gjermane po kërcënon me një ligj të ri, i cili parashikon dënime prej miliona eurosh, në qoftë se platformat në internet nuk i heqin shpejt këto gjëra. Ligji kërkon pra nga platformat që të marrin përgjegjësi për sjelljen e shfrytëzuesve të tyre. Një pjesë e përgjegjësisë kalon pra në duart e sipërmarrjeve.

Por nëse kjo kalon, do të thotë se edhe Daimler apo dhe Audi mund të thirren për përgjegjësi, në qoftë se ndonjë shofer i i këtyre makinave bën ndonjë vepër penale. Kjo ide nuk është diskutuar kurrë seriozisht deri tani. Jo vetëm për shkak të lobit të fuqishëm të automjeteve, por për faktin se është - absurde. A mund të përgjigjet WMF apo Opinel për shkak se një dramë familjare është kryer me një thikë të prodhur nga ato? Apo Hilti dhe Bosch për thyerjen e një kasaforte? Aral apo Shell për një zjarrvënie në ndonjë vendstrehim për refugjatë? Ndonjë debat apo denim nuk ka deri tani as për koncernin Rheinmetall - për shkak të shkeljes së demonstruesve në Kairo me tankset e prodhuara atje.

Makineritë dhe softwarët nuk bëjnë vepra penale

Kërcënimi i Facebookut me denime, për shkak se një shfrytëzues i rrjetit e ka keqpërdorur platformën për shprehjen e mendimit, është absurd. Daimler dhe Audi nuk janë fajtorë nëse dikush vozit ndonjë makinë në qytet 150 km/h, ndaj as Facebook nuk mund të jetë përgjegjës për mendimet e përhapura të shfrytëzuesve. Përgjegjësinë e mbajnë vet ata - pra njerëzit. Ata janë përgjegjës për veprat e tyre.

Nëse qeveria federale vërtet do të bëjë diçka kundër përhapjes së urrejtjes në rrjetet sociale, atëherë prokurorët dhe hetuesit duhet të mbledhin sa më parë të dhënat për përdoruesit. Nëse hetuesia ka nevojë për identifikimin e personave që fshihen pas profileve, për këtë mund të bisedohet. Deri tani është respektuar ndarja e pushteteve dhe kjo është dëshmuar si e mirë për demokracinë. Pse duhet të ndryshojë kjo tani?

Portret, një burrë i veshur me xhaketë e këmishë, që shikon i buzëqeshur në kamera.
Jan D. Walter redaktor dhe autor në redaksinë gjermane