1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Turqia pa një linjë të qartë kundër terrorit

Baha Güngör24 Shtator 2014

Çfarë qëndrimi mban Turqia ndaj "Shtetit islamik"? Për një kohë të gjatë Ankaraja ka heshtur. Tani ajo është për sulme, por vetë nuk do të japë ndihmë aktive. Erdogani duhet të vendosë më në fund, mendon Baha Güngör.

https://p.dw.com/p/1DJmU
Fotografi: Reuters

Turqia me të vërtetë nuk është për t'u patur zili: Nga njëra anë në kufijtë e saj në rajone të tëra mes dy shteteve fqinje një grupim bën terror për gjoja motive fetare, por ai është grupi më brutal i kohës. Si në Irak ashtu edhe në Siri qindramijëra vetë nuk shohin më mundësi tjetër, veçse të ikin në Turqi, për të shpëtuar kokën. Në të njëjtën kohë Rexhep Taip Erdogan, i cili nuk heziton të përdorë forcën kundër kundërshtarëve në vendin e tij, përpiqet ta prekë me doreza mëndafshi "Shtetin Islamik" (IS) për të mos u armiqësuar me të.

Cili qe çmimi, që u pagua?

49 shtetas turq, që u morën peng nga milicët terroristë të IS në konsulatën e përgjithshme turke në Mosul, u liruan. Por akoma nuk dihet se me çfarë çmimi. Ishte e çuditshme, që xhihadistët nga njëra anë vrasin me brutalitet të shfrenuar pengjet perëndimore, por ndaj pengjeve turke u treguan të butë. A ishte ky shpërblimi për dimensionet deri tani të paqarta të mbështetjes së Turqisë për pjesët fanatike fetare të opozitës siriane në luftën kundër regjimit në Damask?

Baha Güngör
Baha Güngör

E qartë është se Erdogani tani mund të aprovojë shumë më lehtë goditjet nga ajri të aleatëve të tij perëndimorë, të udhëhequr nga SHBA. Madje ai në disa intervista premtoi mbështetje logjistike, por pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Turqisë. Për këtë Turqia heziton, edhe pse vend i NATO-s, aq fort, sa shtabi i përgjithshëm turk reagoi ndaj informacioneve të mediave, se avionët amerikanë për sulmet kundër pozicionet të IS duhet të jenë nisur nga Turqia. Asnjë avion amerikan i armatosur dhe asnjë avion pa pilot nuk lejohet të përdorë hapësirën turke. Kjo vlen sidomos për bazën ushtarake amerikane Incirlik në Mesdhe.

Erdogan duhet të pozicionohet

Nëse Erdogan e ka lënë mënjanë mëdyshjen, tani ai duhet edhe të pozicionohet dhe të përgatitet për një përkrahje të drejtpërdrejtë ushtarake. Asnjë vend perëndimor nuk ka probleme më të mëdha më refugjatë për të përballuar. Numri i refugjatëve nga Iraku dhe tani nga Siria po i afrohet dy milionëshit. Protestat e popullsisë së vet kundër krizës së refugjatëve bëhen gjithnjë e më të forta. Një kthesë pa treguar ashpërsi kundër "shtetit islamik" duket e pamundur.

Politika e jashtme e gabuar po i hakmerret tani Ankarasë. Në transformimet në shtetet arabe Turqia ra në sy me një politikë të çorientuar. Kur në Siri filloi lufta civile, Erdogani shumë shpejt u vu në anën e kundërshtarëve të diktatorit Bashar al-Assad, duke kërkuar rrëzimin e shpejtë të tij. Tani ai shikon se si në Perëndim mendohet që edhe Damasku dhe Bagdadi të përfshihen në luftën kundër terroristëve të IS. Përveç kësaj Turqia tani duhet të pranojë, që edhe kurdët në shtetet fqinje duhet të armatosen nga Perëndimi, për t'u mbrojtur nga milicët e IS.

Jo, me të vertetë Turqia nuk është për t'u patur zili. Me gabimet e saj në politikën e jashtme ajo ka hyrë në një labirint. Rrugën për të dalë që andej ajo mund ta gjejë me aleatët perëndimorë dhe prandaj duhet të mbështesë vendimet e tyre. Rrugë të reja me mëdyshje lidhur me fqinjët, si dhe me terroristët mund t'i sillnin Turqisë një faturë, që nuk mund ta paguajë kurrë. Rolit të saj si fuqi rajonale në Lindje e Mesme Turqia gjtihsesi i ka thënë një herë për një herë lamtumirë.