1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Theresa May si Liza në Botën e Çudirave?

Birgit Maaß
4 Shkurt 2017

Pas dy ditësh debate në Dhomën e Poshtme të Parlamentit, Theresa May doli para Parlamentit me një "White Paper" për hapat që duhet të kalojë Brexit. Por ajo hesht për faktin se sa të vështira janë negociatat me BE.

https://p.dw.com/p/2Wx0r
Theresa May EU Fahne
Fotografi: picture-alliance/empics/N. Carson

Një të ardhme të lavdishme skicon kryeministrja Theresa May: vende të huaja qëndrojnë në radhë për të lidhur marëveshje të tregtisë së lirë me Mbretërinë e Bashkuar dhe për t'i ofruar asaj përparësi. Apo është ajo më tepër si Liza në Botën e Çudirave, pyet Ken Clarke, një deputet konservator dhe njëri nga mbështetësit e BE në partinë e tij - a janë pra të gjitha këto vetëm një fantazi?

Mbledhje qershish?

Theresa May-t i duhet të hedhë dritë në atë që quhet Brexit. Por "White Paper", dokumenti qeveritar i cili duhet ta ndriçojë rrugën për në Brexit, nuk të ndihmon shumë për këtë. Ai formulon synimet ambicioze: një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE, një marrëveshje të re doganore, ama pa paguar shuma gjigante në buxhetin e BE. Se pse duhet ta pranonte këtë BE, i cili është shprehur disa herë kundër lejimit të të pabindurës që të "mbledhë qershitë", kjo është e paqartë.

Skocezëve dhe irlandezoveriorëve, pjesa më e madhe e të cilëve votuan kundër Brexit, dokumenti qeveritar u bën premtime të veçanta: po të mos luajë në të ardhmen më rol të veçantë Brukseli, atëherë parlamentet rajonale (edhe ai i Uellsit) mund të marrin më shumë pushtet. Po edhe këtu mungojnë të dhënat, se cilat kompetenca të reja mund të marrin rrugën për Cardiff, Belfast dhe Edinburg.

Kufiri me Irlandën i hapur

Irlandezoveriorëve, ministri i Brexit, David Davis u jep siguri se kufiri me Republikën e Irlandës do të vazhdojë të qendrojë i hapur, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për procesin e paqes. Po si mund të arrihet kjo, kur njëkohësisht duhet të kontrollohet imigrimi nga shtetet e BE, këtë ministri nuk e shpjegon.

Askush nuk mund të presë nga Theresa May përgjigje për të gjitha. Në fund të fundit shumë gjëra varen nga fakti se me ç'masë vullneti të mirë do t'i zhvillojnë negociatat e ndarjes 27 ish-partnerët. Dhe veç kësaj, ata që luftuan për Brexitin (para së gjithash ministri Davis) nuk kanë paraqitur ndonjë plan në fushatën elektorale, por bënë vetëm premtime: për shembull, 350 milionë paund në javë mund të përcillen në të ardhmen në vend të Bruxelit, në sistemin shëndetësor që lëngon në vend.

Për këta 350 milionë paund tani nuk flitet më - secili e di se ky është një premtim që nuk mund të mbahet. Por megjithatë: kryetarja e qeverisë duhet të jetë e ndershme. Sir Ivan Rogers për shembull, deri para pak kohësh Ambasador i Britanisë së Madhe në BE, paraqet një tabllo krejt tjetër nga qeveria në "White Paper"-in e saj. Ai paralajmëron se Britanisë së Madhe dalja nga BE mund t'i kushtojë deri 60 miliardë Euro. Dhe ai llogarit që mund të nevojiten deri 10 vjet derisa të kenë përfunduar negociatat për marrëveshjet e reja.

Premtimet populiste qenë një shkak se pse shumica e britanikëve votoi kundër BE. Tani kjo duhet të marrë fund. Theresa May duhet të flasë me ndershmëri për atë se sa të vështira mund të jenë vitet e ardhshme. Sepse ndryshe nga Liza në Botën e Çudirave, Brexiti nuk është më ëndërr e disa kundërshtarëve të BE, por realitet i egër për vendin.