Koment: Paraqitje e dobët e Junckerit
25 Nëntor 2014Jean-Claude Juncker nuk e shfrytëzoi shansin. Në debatin e zhvilluar në Parlamentin Evropian për shkarkimin e Komisionit të tij, ai edhe një herë u detyrua të shpjegojë se pse në kohën kur ka qenë kryeministër i Luksemburgut, para disa vitesh e ka mbështetur atë që tani si president i Komisionit të BE do ta luftojë: përparësitë fiskale për koncernet e mëdha në Luksemburg dhe në shumë vende të tjera të BE. Juncker thotë tani se është angazhuar për harmonizimin dhe barazinë e tatimeve. Por kjo tingëllon pak e besueshme, sepse fakt është që lehtësimet tatimore për koncernet e mëdha ka qenë dhe janë një prej modeleve të preferuara në Luksemburg.
Presidenti i Komisionit të BE pohon me të drejtë se Luksemburgu nuk ka qenë i vetmi me këtë politikë. Edhe 21 vende të tjera të BE kanë modele të njëjta. Në veçanti kreativë në lehtësimet për koncernet e mëdha kanë qenë Luksemburgu, Holanda, Belgjika, Irlanda, Britania e Madhe dhe Malta. Sipas të drejtës nacionale ky nuk ishte ndonjë problem. Por modelet e kursimeve në konkurrencën evropiane tani po hetohen nga vet Komisioni i BE. Këto vende nuk e kanë shkelur të drejëtn evropiane për tatime, sepse diçka e tillë nuk ekziston fare. Çështjet tatimore janë të rregulluara nga qeveritë e vendeve anëtare. Nëse duan të ndryshojnë këto rregulla, mund ta bëjnë menjëherë. Një kërkesë për dorëheqjen e Komisionit të BE, siç kanë kërkuar populistët e djathtë dhe kritikët e BE, nuk qëndron fare.
Komisioni i BE nuk është përgjegjës për modelet fiskale në Luksemburg dhe vendet e tjera. Megjithatë populisët dhe kundërshtarët e Evropës e shfrytëzuan rastin për të krijuar një atmosferë kundër Junckerit dhe Komisionit si dhe kundër Evropës. Tema e tatimeve gjithmonë është një temë e mirë për kritika të këtilla. Jean-Claude Juncker pati shumë pak argumente për t'iu kundërvënë populistëve në PE. Ai luante rolin e të ofenduarit. Rolin e tij në kohën sa ishte kryeministër i Luksemburgut nuk e ka shpjeguar fare. Ndërsa tani do që si president i Komisionit të shikojë përpara.
Me këtë taktikë ai do të shpëtojë. Kërkesat për shkarkimin e tij nuk kanë kurrfarë shansi, sepse populistët dhe radikalët e djathtë nuk kanë më shumë se 100 vende në PE. Për të shkarkuar Komisionin duhen dy të tretat e votave. Deri tani asnjë prej tetë kërkesave për shkarkimin e Komisionit, në 35 vjetët e kaluara, nuk ka pasur sukses. Juncker mund të jetë pra i sigurt.
Kjo mbase e shpjegon edhe mbrojtjen e tij të pamotivuar dhe retorikën e dobët. Por imazhi i tij si kryetar i Komisionit dhe vet Komisioni janë dëmtuar, jo për shkak se është punuar dobët, por për shkak të punës së dikurshme të shefit të tanishëm. Jean-Claude Juncker ka vënë një rekord: kurrë deri tani një komision nuk është dashur të përballet me kërkesa për shkarkim pas vetëm tre javësh. Ky është një fillim i keq për një evropian të përbetuar. Juncker mund të veprojë shumë më mirë.