Koment: Një vdekje e mjegulluar nga skandali
13 Tetor 2016Kjo vetëvrasje do të ketë pasoja – në politikë, në drejtësi, në autoritetet e sigurisë. Eshtë ende herët për të argumentuar seriozisht se kush e ka fajin. Por që kemi të bëjmë me një skandal, për këtë nuk ka as dyshimin më të vogël. I pranuari si refugjat, siriani i dyshuar për terror, Xhaber Al-Bakr fillimisht mundet t'i shpëtojë policisë edhe pse aksioni i saj ishte në shkallë të gjerë. Hetimi intensiv vazhdoi një farë kohe pa rezultat. Më në fund bashkatdhetarët e të kërkuarit u kujdesën që ai të mund të arrestohet.
Gjermania merr sërish frymë lirisht, sepse sipas vlerësimit të mbrojtjes kushtetuese rreziku akut për terror duket të jetë tejkaluar. E tani edhe kjo. Figura kryesore, i pandehuri si konstruktor bombash, vret veten në sytë e përmbaruesve. Që ai ia doli kësaj, pavarësisht në çfarë rrethanash, të shtang. Që të burgosurit më të njohur dhe më të rrezikshëm mund t'i shkonte mendja për të vrarë veten, kjo duhet t'u ketë luajtur një rol tek autoritetet.
Me vdekjen e Al-Bakr është shmangur marrja në pyetje e dëshmitarit më të rëndësishëm. Nëse ai do të kishte thënë diçka lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij, mbetet tani thjeshtë një spekulim. Por sidoqoftë ekzistonte shpresa e vakët, se ai mund të fliste. Autoritetet gjermane të sigurisë ndoshta do të kishin mundur të merrnin të dhëna për njerëzit dhe strukturat në prapaskenë. Të dhëna për shmangien e atentateve të mundshme të planifikuara do të kishin qenë shumë të dobishme. Duhet pranuar: kemi të bëjmë me hamendësime, por që janë afër logjikës.
Pavarësisht nga rrahja e mendimeve Al-Bakr e ka tani të sigurtë në qarqet e terrorit islamik një vend të përhershëm në radhët e martirëve. Logjika makabre e cinike: një hero e ka çliruar veten prej kthetrave të të pafeve duke bërë vetëvrasje. Parë nga kjo perspektivë vetëvrasja e Al-Bakrit është një lloj atentati kamikaz. Normalisht në raste të tilla shpërthejnë bomba, ose gjerdanë me lëndë plasëse, ose atentatorët qëllojnë verbërisht. Në rastin e Al-Bakr për fat nuk ka viktima të pafajshme. Por në valën e zbardhjes do të ketë viktima të tjera. Përgjegjës në autoritetet e sigurisë e madje edhe në politikë, që kanë dështuar e si rrjedhojë do të humbasin postet. Gjithçka tjetër do të ishte e pajusitifkueshme.