1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: mos kini frikë nga AfD

Kay Alexander Scholz16 Shtator 2014

Një vit e gjysmë pas themelimit AfD arrin të hyjë në tri parlamente landesh. Rezultat sensacional. Për sistemin politik kjo është një sfidë sportive, mendon Kay-Alexander Scholz.

https://p.dw.com/p/1DCfs

Më në fund po lëviz diçka në peizazhin partiak gjerman. Kishte nisur që vendi të gërryhej nga myku i koalicioneve të mëdha. Partitë po bëheshin gjithnjë e më të ngjashme. Vendimet politike konsideroheshin si pa alternativë, për disa probleme të qytetarëve heshtej dhe në vend të kësaj shpallej parulla se gjendja në Gjermani është aq e mirë sa nuk ka qenë kurrë. Pasoja: qytetarët i kthyen krahët politikës, herë nga zhgënjimi, herë nga mungesa e interesit. Një pjesëmarrje alarmuese e ulët në zgjedhje. Një ndër dy qytetarë nuk shkon të votojë, kjo është fatura e gjendjes.

Piratët dështuan

Para dy vjetësh dështoi përpjekja e Partisë së Piratëve për ta riaktivizuar politikën dhe demokracinë. Para së gjithash ishin të rinj me drejtim liberal të majtë që thirrën: ndal, duhet të mendojmë mirë se ç'bën me ne interneti dhe si duhet të përshtatet me të politika. Por piratët u zhdukën prapë, shansi u hodh dëm.

Tani një përpjekje tjetër, këtë herë nga e djathta. Sërish janë kryesisht të rinj, që ia japin votën e tyre një partie të re, Alternativës për Gjermaninë. Pavarësisht nëse janë piratët, apo AfD, ja që brezi që po rritet ka si detyrë të provojë gjëra të reja - qofshin ato edhe më konservatore nga ato që donin prindërit.

Nëse AfD-ja nuk do të bëjë të njëjtin gabim si Piratët dhe të fillojë grindjet brenda partisë, ajo ka shanse të mira që të zërë rrënjë. Në parlamentet e Gjermanisë do të përfaqësohej atëherë një spektër politik, i cili kalon nga më e majta në më të djathtën. Meqenëse nuk vlen vetëm në ekonomi, që konkurenca gjallëron biznesin, kjo mund të sjellë një klimë të re debatesh.

Kush ka frikë nga AfD?

Në të vërtetë, AfD nisi si parti populiste e djathtë dhe u përpoq të merrte hua në lëvizje të ngjashme në Francë ose Britani të Madhe. Por politikanët drejtues të AfD-së së bashku me pjesën kryesore të partisë janë shumë shtresë e mesme - më parë shumë kanë qenë anëtarë të CDU-së ose të FDP-së- sa që të jenë në gjendje vërtet të rrëshkasin në ekstreme. Gjë që nuk do të thotë se AfD nuk u drejtohet edhe skajeve ekstreme politike, për të mbledhur vota. Po frikë nga një kurs ekstremist me urrejtje të hapur kundër të huajve, i llojit të Marie le Penn - it, në Gjermani aktualisht nuk duhet të kemi. Partitë unioniste duhet të shqetësohen pak - sepse ka konkurrencë të re në kampin konservator - djathtas unionistëve.