1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Morawiecki në Parlamentin e BE - Një fjalim i panevojshëm

5 Korrik 2018

Në sfondin e ngjarjeve në Varshavë, ku po shkatërrohet shteti ligjor, eurodeputetët e kanë kritikuar ashpër kryeministrin polak në Strazburg. Kjo është më se e drejtë mendon Bartosz Dudek.

https://p.dw.com/p/30tI9
Frankreich | Polens Prime Minister Morawiecki im Europaparlament in Strasbourg
Fotografi: Reuters/V. Kessler

Demonstrata në qytete e Polonisë; një presidente e Gjykatës së Supreme, që kundërshton spostimin e saj pasi e nxjerrin me detyrim në pension; eurodeputetët me parrullat "Rule of Law" (shteti ligjor) - kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka zgjedhur çastin më jofatlum për të mbajtur para Parlamentit Europian në Strazburg fjalimin mbi të ardhmen e Europës.

S'ka mbetur më aspak besueshmëri

Fajlimi i Morawieckit kishte shumë teza të drejta: Europa duhet të zhvillohet në radhë të parë ekonomikisht - kjo është e vetëkuptueshme. Europa duhet t'u ofrojë siguri qytetarëve të saj - natyrisht. BE-ja duhet të bëhet më sociale, të luftojë varfërinë dhe të zvogëlojë dallimet mes të varfërve dhe të pasurve - më se e qartë edhe kjo. Madje edhe më shumë: BE-ja duhet t'i kundërvihet pushtetit të koncerneve globale dhe gjigandëve të tillë si Google e Facebook duke i parë ato me sy kritik - e kush mund ta kundëshrtojë këtë?

Dudek Bartosz Kommentarbild App
Bartosz Dudek

E megjithatë problemi i kryeministrit polak ka të bëjë me atë, se ai nuk gëzon më besimin e shumicës së parlamentarëve të BE-së. Kjo për arsye, se pikërisht në të njëjtën ditë në Poloni hyri në fuqi një ligj, që ul moshën e daljes në pension të gjyqatërve të lartë. Ndryshe nga standardet e shtetit ligjor të BE-së, ky ligj nuk vlen për të ardhmen, por ka fuqi prapavepruese duke prekur edhe gjyqtarët që janë sot në detyrë. Me këtë operacion të stisur u nxor me efekt të menjëhershëm në pension presidentja e Gjykatës së Supreme, Malgorzata Gersdorf, sepse ajo nuk i shkon për shtat qeverisë: Një veprim ky mjaft i diskutueshëm, sepse sipas kushtetutës polake mandati i saj i plotë është gjashtë vjet dhe vazhdon deri më 2020. Që nxjerrja në pension e Gersdorf është e jashtëligjshme, këtë e konstatoi edhe Asambleja e Përgjithshme e gjyqtarëve supremë. E për rrjedhojë Gersdorf edhe këtë ditë u paraqit në vendin e saj të punës në gjykatë - e shoqëruar prej demonstruesve dhe kamerave televizive.

Apeli dramatik i lamtumirës 

Gersdorf të martën (03.07) ditën e fundit të saj në detyrë, sipas dëshirës së qeverisë, mbajti një fjalim dramatik në Universitetin e Varshavës. Ajo foli për një krizë të shtetit ligjor në Poloni dhe se po merr fund një epokë e sistemit të drejtësisë me pavarësinë e Gjykatës Supreme. Kemi të bëjmë me një çast historik në hitorinë e Europës, sepse konsensusi demokratik i viteve të pasluftës po vihet në pikëpyetje, pasi forcat ekstreme kanë fituar dominancën. Ajo u bëri thirrje studentëve, që të respektojnë të drejtën dhe parimet europiane. Ata asnjëherë nuk duhet të lejojnë, që të shkatërrohet ideja europiane.

Në fakt në një ditë të tillë të zezë për shtetin ligjor në Poloni do të dëshiroje që në Parlamentin Europian të mos dëgjoje fjalim nga Mateusz Morawiecki, por nga Malgorzata Gersdorf. Morawiecki do të kishte bërë mirë ta kursente këtë fjalim.