1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Merkel mbetet e varur nga Erdogani

25 Janar 2020

Asgjë e re nga vizita e kancelares Merkel në Stamboll: Presidenti turk mund të bëjë kaq presion, sepse ai është kaq i nevojshëm për politikën ndaj refugjatëve. Ky është një çmim shumë i lartë, mendon Marcel Fürstenau.

https://p.dw.com/p/3Wngd
Türkei Merkel mahnt bei Besuch in Istanbul Wissenschaftsfreiheit an
Fotografi: Reuters/U. Betkas

Opozita në Gjermani e ka të lehtë: Ajo mund të kërkojë nga kancelarja, Angela Merkel „fjalë të qarta“ kundrejt Turqisë. Këtë e kërkoi tani edhe politikani liberal, Alexander Graf Lambsdorff. Parimisht ai ka të drejtë: Të drejtat e njeriut dhe ato qytetare shkelen me këmbë në Bosfor dhe Anadoll. Perandoria Erdogan përzihet në luftëra civile në Siri dhe Libi. E megjithatë Lambsdorff e di, se çfarë karte ka në dorë pushtetmbajtësi turk kundrejt Europës e veçanërisht Gjermanisë: marrëveshjen për refugjatët.

Nëse Erdogan hap kufijtë, qindra mijëra vetë munden shumë shpejt në nevojë të vijnë drejt vendeve të BE. Prandaj kancelarja Merkel e lëvdoi mikpritësin, për atë që Turqia ka pranuar miliona refugjatë lufte në Siria. „Kjo është një arritje që duhet vlerësuar shumë, që meriton mirënjohje dhe falënderim“, tha Merkel. Ajo që Merkel nuk tha. Erdogan e bën këtë më pak për arsye humanitare. Ai merr miliarda për qendra refugjatësh pak a shumë me kushte të këqija.

Refugjatët – arma e fortë e Erdoganit

Megjithatë autokrati nga Bosfori kërcënon rregullisht me hapjen e portave. Me këtë ai i përgjigjet kritikës së padëshiruar për shtypjen e kurdëve, për të ashtuquajtur përkrahës të Gylenit brenda e jashtë Turqisë, për arrestimin arbitrar të gazetarëve. Refugjatët në kampet turke janë arma e fortë e Erdoganit, kurse Merkel e pafuqishme. Për ta zbutur pak këtë pamje të kancelares së shantazhueshme, ajo bën atë që di të bëjë më mirë: i paketon mesazhet me retorikë.

Skena më e mirë për këtë ishte inagurimi i kampusit universitar të Universitetit Gjermani-Turk në Stamboll. Merkel kujton, se në kohën e nazistëve, shkencëtarë gjermanë dhe artistë gjetën strehë dhe mundësi studimore në Turqi. E kush mendon në këtë moment, se sot përkundër kësaj në Turqi mjaft intelektualë, gazetarë apo ushtarakë marrin arratinë në Gjermani nga regjimi i Erdoganit?

Tonet kritike të Merkelit mes rreshtave

Sigurisht kryetarja e qeverisë gjermane bën mirë që fjalimin e saj në një universitet nuk e përdor për larje të përgjithshme llogarish me politikën jodemokratike turke. Në vend të kësaj dëgjohen fjali, tek të cilat duhet të zotërosh artin e leximit mes rreshtave: „Ky kampus është për një botë të hapur dhe të ardhme të hapur të studentëve.“ Merkel mund të shtonte, se kjo nuk vlen për fat të keq për të gjithë Turqinë.

E kanë kuptuar të rinjtë mesazhin? Të shpresojmë, por pritshmëri të larta nuk mund të kemi. Sepse njerëzit e ndjekin në Turqi nga afër, se si vepron Erdogani me frymën kritike. Në rast dyshues veprohet pa hezitim. Fjalët inkurajuese të një vizitoreje të një niveli kaq të lartë nga Gjermania nuk kanë për të ndryshuar asgjë. Studentëve, Merkel u ofron me kritikën e saj në rastin më të mirë, vetëm pak mbështetje. Sepse Erdogan i injoron kritikat, dhe vazhdon si më parë.

Erdogan përfiton nga lufta në Siri

Me kalimin e kohës është shumë pak të mbështetesh tek fjalët e bukura, të paktën nëse do të merresh seriozisht si luftëtar për vlerat demokratike. Por në këtë pikë vuan politika gjermane edhe pas vizitës së Merkelit në Turqi. E nuk ka për të ndryshuar asgjë shpejt, para kërcënimit për rritje të numrit të refugjatëve në kufirin siriano-turk.

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel FürstenauFotografi: DW

Erdogan mund të vazhdojë edhe më tej, në kurriz të njerëzve të përndjekur të bëjë pazare të mira, financiare dhe politike. Pak para largimit nga Stambolli, Merkel u shpreh për një verifikim të mirëpritur të fondeve shtesë për ndërtimin e strehimoreve të reja për refugjatët në Sirinë veriore. Aty Turqia ka ngritur një zonë sigurie. Megjithatë jo vetëm për refugjatë të luftës nga vendi fqinj, por edhe për të përndjekur dhe zhvendosur kurdët.

Një çmim i lartë, politik dhe financiar

Me ofertën e saj që mund të përshëndetet nga ana humanitare, Merkel lëviz në një terren të minuar. Për njerëzit në nevojë nuk ka rëndësi, kush i paguan shpenzimet për zbutjen e mjerimit të tyre. Me shumë gjasë, Gjermania do të marrë përsipër një pjesë të madhe të llogarisë, që Erdogani të vazhdojë t’i mbajë të mbyllura kufijtë në drejtim të Europës. Ky do të ishte edhe një herë një çmim i lartë, financiarisht dhe politikisht.

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore