Koment i të ftuarit: Shpresë e re për Bosnje-Hercegovinën
24 Janar 2021Më 20 Janar kabineti federal e bëri të ditur zyrtarisht kandidaturën e ministrit të mëparshëm federal të Bujqësisë, Christian Schmidt për postin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkësisë Ndërkombëtare. Më në fund! Në javët e kaluara në mediat boshnjake u publikuan disa teori konspirative për këtë, që të gjitha nuk kishin të bënin aspak me të vërtetën. Duhet shënuar, se Gjermania me kandidaturën e Christian Schmidtit e merr „iniciativën për të kthyer këtë vend më shumë në axhendë politike botërore. Qeveria gjermane ka interes të madh në zhvillimin e Bosnje-Hercegovinës dhe e mbështet perspektivën e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian."
Me kandidaturën e Christian Schmidt, -propozimi erdhi drejtpërdrejt nga kancelarja Merkel-, bëhen të qarta disa gjëra: Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (angl. Office of the High Representative, shkurt "OHR") nuk shkrihet. Përkundrazi me forca të reja dhe me një politikë të re të bashkësisë ndërkombëtare do të marrë sërish influencë.
Përfaqësuesi i lartë aktual, Valentin Inzko dhe unë që nga tetori 2020 flasim për një "fazë të tretë” të këtij institucioni. OHR është aty për të garantuar implementimin civil të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje. Kjo detyrë nuk është pëmbyllur ende. Bosnja ka nevojë në rrugën e tranzicionit drejt demokracisë dhe në BE edhe më tej për shumë mbështetje. Në këtë pikë avantazhi i Christian Schmidt është që merret prej disa vitesh me këtë vend dhe e kupton atë.
Jo veprime të veçuara, jo plan sekret
Gjermania nuk do ta kishte marrë iniciativën, nëse gjithçka do duhej të mbetej tek e vjetra. Përkundrazi, propozimi tregon, se Republika Federale e mbështet Bosnjen. Pas kandidaturës së Christian Schmidit nuk qëndron, siç pretendojnë disa, ndonjë veprim i veçuar apo plan sekret me Rusinë; ajo pason përkundrazi në një „akordim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe anëtarët e komisionit të drejtimit të Këshillit për Implementimin e Paqes."
Zëra të tillë janë të pakuptueshëm dhe të papajtueshëm me kandidaturën e Christian Schmidtit. Bosnja duhet ta ndryshojë kushtetutën në fuqi prej 25 vjetësh, nëse ky vend dëshiron ta nxjerrë nga qorrsokaku aparatin shtetëror disfunksional dhe më në fund të jetë i aftë për veprim. Parimet demokratike duhet të jetohen, dhe më në fund të zbatohen shumë nga vendimet në fuqi të Gjykatës Europaine për të Drejtat e Njeriut.
Ndryshimet kushtetuese kanë qenë dhe mbeten çështje e boshnjakëve
Dua të përmend këtu dy analiza të mira për gjendjen në Bosnje: „Wilson Center Paper" dhe tjetra „Democratization Policy Paper". Të dyja analizat përmbajnë propozime të mira, dhe në asnjërën prej tyre nuk lexon, që Përfaqësuesi i Lartë që ato të vihen në jetë me të ashtuquajturin „Bonn Powers", kompetencat e dhëna komisioni. Ashtu si më parë mbetet në fuqi qëndrimi, se ndryshimet kushtetuese duhet t'i bëjnë boshnjakët vetë. Kështu ishte në kohën time si Përfaqësues i Lartë, kështu do të mbetet edhe më tej. Iniciativat civile duhet të luajë rolin kryesor, por absolutisht e nevojshme është edhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare. Me kënaqësi konstatoj, se në Bosnje nuk mungojnë inciativa të tilla aktualisht.
Përfaqësuesi i lartë mbetet i rëndësishëm
Dua të theksoj edhe njëherë, se posti i OHR nuk është më kot në Bosnje; që roli i tij ka një rëndësi të posaçme; që Bosnja ka nevojë për një politikë më të fortë nga bashkësia ndërkombëtare. Ka kaq shumë reforma dhe ligje që presin për implementimin në parlamentet jo-funksionuese të vendit, kjo për shkak se kriteret etnike ende kanë prioritet dhe përcaktojnë jetën e përditshme përmes bllokadave.
Në këtë pikë bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet më fort dhe t'i japë më shumë mbështetje zyrës së përfaqësuesit të lartë dhe shefit të saj. Si shembull përmend ligjin kundër mohimit të gjenocidit dhe glorifikimit të krimeve të luftës. Askush që ka ndërgjegje dhe empati, nuk mund të ketë gjë kundër këtij ligji, por parlamentarët në Bosnje nuk ia dalin të kalojnë as këtë ligj.
Gjermania partnere
Në librin tim të ri „Paqja e humbur në Bosnje" kam shkruar shpesh për një momentum të rëndësishëm në histori: nëse në të njëjtën kohë takohen personalitete të mirë në politikë, mund të bëhen ndryshime të mëdha. Që bota tani mund të përshëndesë presidentin e ri, Joe Biden, që gjatë luftërave të Jugosllavisë në vitet 90-të ishte gjithmonë në anën e duhur, duhet të ketë domethënie edhe për Bosnjen.
Siç shkruan ambasadorët e SHBA dhe Britanisë së Madhe këtë javë në një blog të përbashkët, ata kërkojnë „partnerë me vullnet" për t'i ndihmuar Bosnjes. Me kandidaturën e Christian Schmidt Gjermania tregon, se është e gatshme të jetë një partnere e tillë.
Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë nga viti 1982 deri 1992 ministër Federal i CDU-së për Postën dhe Telekomunikacionin. Ai dha dorëheqjen në shenjë proteste kundër qëndrimit të qeverisë gjermane në luftën e Bosnjes. Në vitet 2006/07 ai qëndroi si Përfaqësues i Lartë dhe i ngarkuar i BE-së në Bosnje-Hercegovinë.