1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment i FAZ: Takimi i G20-s nuk qe dështim

Klaus-Dieter Frankenberger
11 Korrik 2017

Takimet personale të kryetarëve të qeverive janë më të rëndësishme se kurrë. Veç kësaj ka përparime. Vështrimi u hodh në kantieret e mëdha të politikës ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/2gIPR
Deutschland G20 Gipfeltreffen Ehegatten
Fotografi: Picture alliance/dpa/M. Kappe

Edhe pas këtij takimi të nivelit të lartë në Hamburg dëgjon sërish të thuhet se angazhimi dhe rezultati nuk qenë në një raport të arsyeshëm me njëri-tjetrin. Po të shtosh edhe programin shoqërues në rrugë - demonstrata, të cilat përfunduan në trazira dhe në shkatërrim - e ke edhe më të vështirë që të nxjerrësh një bilanc pozitiv. Megjithatë, takimin e G20-ës në Hamburg nuk mund ta kategorizosh si dështim. Shefat e shteteve dhe të qeverive nga 19 shtete të industrializuara dhe në ekspansion si dhe përfaqësues të BE u takuan në një gjendje të vështirë botërore dhe e hodhën vështrimin në kantieret e mëdha të politikës ndërkombëtare. Që në këtë punë nuk qenë gjithmonë të të njëjtit mendim, kjo është në natyrën e punës. Aq më tepër duhen përshëndetur përparimet.

Në raundet e bisedimeve në Hamburg shumë gjëra u sollën rreth Presidentit amerikan. Donald Trump-i megjithatë nuk e bëri të dështojë takimin, ai nuk u soll si "bad boy". Ai ra dakord me një paragraf në deklaratën përfundimtare, e cila u drejtua qartësisht kundër proteksionizmit, megjithëse përmbante një shtesë relativizuese për instrumentet e ligjshëm për mbrojtjen e tregtisë. Që grindja për kapacitetet e tepruara dhe çmimet e dumping-ut në industrinë e çelikut duhet të zgjidhet në mënyrë multilaterale, kjo gjithashtu duhet të përshëndetet. Të paktën njëherë për njëherë nuk do të ketë ndëshkim dhe hakmarrje.

Në politikën e klimës, të gjithë pjesëmarrësit pranuan objektivin për të pakësuar gazrat e efektit serë. Por në konstelacionin pas vendimit të Trumpit, që ai të dalë nga Marrëveshja e Klimës e Parisit dhe që ta bëjë të lulëzojë ekonominë amerikane edhe me bartës fosilë të energjisë, nuk ka ndryshuar gjë: aleatë Presidenti nuk gjeti për këndvështrimin e tij, ai është i vetëm dhe pranon që prodhuesi i madh i lëndëve të dëmshme, Kina, të jetë pararoja.

Klaus-Dieter Frankenberger (FAZ)
Klaus-Dieter Frankenberger (FAZ) Fotografi: Frankfurter Allgemeine Zeitung

Përsa u përket partnerëve: pas bisedës, Presidenti rus Putin tha se kishte zhvilluar një marrëdhënie personale me Trumpin. Kjo të kujton takimin e parë të Putinit me George W.Bush, kur ai tha se kishte kuptuar shpirtin e rusëve; më vonë, raporti mes Moskës dhe Uashingtonit u bë gjithnjë e më i ftohtë, në mandatin e dytë të Obamas u bë i akullt. Kështu është edhe sot, megjithëse pas zgjedhjes së Trumpit u fantazua shumë për një "pakt të burrave të fortë". Por përzierja ruse në fushatën elektorale amerikane nuk e lejon këtë, aq më tepër kur interesat politike të sundimit janë pengesë. Dakordimi për një armëpushim të pjesshëm në Siri megjithatë është një shenjë shprese, që të gjenden përbashkësi të reja. Ato do të ishin të nevojshme jo së fundi në konfliktin e Ukrainës, gjë që sigurisht parakupton një ndryshim të politikës ruse.

Një qëndrim i qartë dhe jo i keqkuptueshëm në konfliktin e madh me Korenë e Veriut do të ishte gjithashtu urgjentisht i nevojshëm. Por më shumë se një dakordim për ta nxitur regjimin komunist në rrugë diplomatike, që ta ndalojë programin e tij atomik dhe raketor, fuqitë "e interesuara" dhe të prekura nuk arritën. Edhe paraardhësit e Trumpit u përpoqën më kot me këtë regjim. Edhe sikur "durimi i tij strategjik" të ketë marrë fund, ai e hedh vështrimin më shumë se kurrë drejt Kinës. Por udhëheqja e Kinës është e gatshme vetëm për një politikë disiplinimi me gjysmë zemre. Rreziku i shkallëzimit, që është pjesë e programit atomik dhe të raketave të Koresë së Veriut, nuk është eleminuar. Por këtë as mund ta prisje nga Konferenca e Hamburgut.