Koment: Brexit pranë pemës së Krishtlindjes
11 Dhjetor 2018Dita e djeshme politike në Londër ka qenë si një lloj shfaqje teatri nga çmendina. Theresa May që në mëngjes vraponte nëpër televizione së bashku me ministrin Michale Gloën. Qëllimi ishte që të siguronte votat e mjaftueshme për projektin e saj për Brexit dhe që votimi të kalonte ashtu siç donte ajo.
Por vetëm gjysmë ore më vonë May tha se votimi shtyhet, sepse ishte e vetëdijshme që do të përjetonte një humbje katastrofale në votim. Tani mbase do të dërgojë deputetët në festimet e Krishtlindjeve, së bashku me marrëveshjen e saj për Brexit. Urime festat!
Si ndonjë skeç
E gjitha kjo dëshmon se kryeministrja britanike do t'i shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i lejohen, për t'ia arritur qëllimit. Ajo e ka lënë parlamentin të veprojw mw me rezervw, me shpresën se gjatw Krishtlindjeve rreth tryezave festive me punch e gjel deti mund të shtohet frika nga një Brexit radikal dhe si rrjedhojë të zbutet rezistenca ndaj marrëveshjes që ajo ka arritur në Bruksel.
Theresa May ka shtyrë edhe më parë vendime të ndryshme gjatë negociatave për Brexit. Bisedimet në Bruksel janë shtyrë dhe kanë dështuar shpesh, sepse Londra kishte nevojë për konsultime brenda vetes. Në fund të gjitha këto shtyrje kanë sjellë më shumë dëmse sesa dobi për palën britanike.
Teatri absurdit në Londër ka shkaktuar habi në Bruksel. Theresa May e ka humbur edhe atë pak kredibilitet që ka pasur në kryeqytetin evropian. E gjitha kjo duket si ndonjë skeç i Monty Paytonit, ku marrëzia shndërrohet në metodë. May sërish ka premtuar se në parlament do të sjellë Brexitin më të mirë të mundshëm, por këtë nuk e beson askush më.
Vendimi shtyhet
Lojërat e kryeministres në fund mund të dështojnë. Ajo tani kthehet në Bruksel për të kërkuar një strategji daljeje nga situata, në veçanti sa i përket kufirit mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Por ajo sërish do të përballet me rezistencë, madje edhe me mundësinë që dikush ta hedhë poshtë këtë marrëveshje prej 585 faqesh.
Ajo më pas në Londër do të detyrohej të pranojë humbjen. May vërtet i ka bërë të gjitha për të arritur një Brexit me marrëveshje, por a do të mjaftojë kjo? Besohet se rezistenca dhe zemërimi do të shtohet.
Kryeministrja skoceze Nicola Sturgeon e ka quajtur aksionin e Therese May një burracakëri të pështirë. May e ka siguruar kështu pushtetin e konservatorëve. Por vendimi vetëm sa është shtyrë dhe nuk është anuluar përfundimisht.
Qendrimi në pushtet
Fatale për Theresa May është që po humbet kohë pa pasur një vendim përfundimtar për Brexitin. Apo ndoshta zgjidhja më e mirë për dalje nga ky qorsokak është - referendumi i ri.
May po u shkon për shtat njerëzve në partinë e saj, por problemet mbeten. Mbi mirëqenjen e vendit të saj ajo ka vënë interesat e partisë dhe qendrimin në pushtet. Ajo që Theresa May po tregon këtu, është vetëm interesimi për pushtetin e vet dhe shpalljen e kapitulimit politik. Teatër, që shihet me neveri dhe frikë.