Bota ka nevojë për më pak Trump dhe për më shumë Evropë
23 Shtator 2017A mund t'ia marrë mendjen me diçka ndonjëri presidentit të SHBA? Ndoshta me ndonjë objekt që shkëlqen? Qoftë edhe me ndonjë video për të qeshur në youtube ose me ndonjë pseudoshfaqje fushate elektorale në provincat e SHBA. Sepse kur merret me temat e politikës së jashtme Donald Trumpi, me Korenë e Veriut dhe me Iranin për shembull, atëherë partnerët e tij i zë tmerri. Para së gjithash në Evropë.
Pas viteve të përgatitjes, partnerët e negociatave diskutuan edhe 20 muaj për marrëveshjen atomike me Iranin. Bashkimi Evropian u ndodh në tryezë dhe suksesin e llogariti qartësisht edhe si vepër të tij. Në fund të fundit, këtu dha fryte ajo me të cilën evropianët preferojnë t'i zgjidhin krizat: diplomacia klasike. Që atëherë, Organizata e Energjisë Atomike ka kontrolluar tetë herë, nëse iranianët i plotësojnë vërtet kushtet. Përgjigja gjithmonë qe "Po"! Kaq bindëse qenë rezultatet, sa kancelarja gjermane vetë propozoi që kjo marrëveshje të merret si projekt për ta përdorur për hapat e mëtejshëm në çështjen e Koresë së Veriut.
Konfrontim i drejtpërdrejtë me Evropën
Tani vjen Donald Trumpi dhe kërcënon me prishjen e suksesit më të madh të diplomacisë ndërkombëtare dekadat e fundit. Për se? Për një premtim elektoral të çmendur. Ai e përmend Korenë e Veriut dhe Iranin me një frymë dhe tingëllon sikur të dy duhet të trajtohen me të njëjtën ashpërsi. Që t'i hedhin të dyja këto vende në të njëjtën tenxhere, kjo nuk do t'u ndodhte evropianëve. Ata e dinë se çfarë pasojash shkatërrimtare do të sillte përpara derës së tyre prishja e marrëveshjes atomike me Iranin: destabilizimin e Lindjes së Afërt, një kthim të Iranit në drejtim të Kinës dhe Rusisë, një forcim të forcave antiperëndimore dhe kështu me radhë.
Çfarë mund të bëjë Bashkimi Evropian? Ai me siguri që do t'i përmbahet marrëveshjes - këtë e ka bërë tashmë të ditur kryediplomatja e BE, Mogherini. Pavarësisht nëse SHBA do t'i përmbahen ose jo marrëveshjes. Në praktikë kjo mund të kishte pamjen që amerikanët të vendosin sërish sanksione, por jo evropianët. Me këtë ata do të ishin në kurs të drejtpërdrejtë konfrontimi. Si do të reagonte presidenti i SHBA ndaj kësaj është e paqartë. Njëkohësisht Perëndimi do të humbiste çdo besueshmëri si njësi morale dhe politike dhe dëmet do të linin gjurmë. Kur SHBA dhe BE nuk janë më në gjendje të veprojnë së bashku, ato as i merr më njeri seriozisht. Pra BE nuk do t'i mbetet më gjë tjetër, se të shfrytëzojë atë ndikim që i ka mbetur ndaj qeverisë Trump. Evropianët duhet të përpiqen që t'i mbajnë në marrëveshje amerikanët.
Diplomaci e vështirë
Për sa i përket Koresë së Veriut, shpresat janë më errëta se për Iranin. Këtu ndikimi i evropianëve është shumë i vogël. Bubullimat atomike të Donald Trumpit dhe të Kim Jong Uns-it, BE nuk mundet dhe nuk do t'i ndjekë pas. Kërkesa e BE që këtu të shfrytëzohen vetëm mjete politike dhe diplomatike duket sikur evropianët ta godisnin problemin me pambuk. Kjo megjithatë është rruga e drejtë dhe e vetmja që mund të ndjekë BE. Edhe këtu del sërish në pah sa i madh është bërë hendeku midis Evropës dhe Amerikës në çështje delikate politike.
Një goditje të verbër ushtarake shumë besojnë se presidenti i SHBA edhe mund ta ndërmarrë. Për negociata të barazpeshuara dhe komplekse, burrit të zemëruar në Shtëpinë e Bardhë i mungon durimi, ekspertët dhe kompetenca. Të gjitha këto i ka Evropa.