Koment: Alarm pas ekseseve natën e Vitit të Ri në Këln
6 Janar 2016Të dehur në masë dhe të mbrojtur prej natës ata u fusnin duart grave nën funde e bluza. E kjo ndodhi në Këln në mënyrë masive. Lidhur me dorasit nuk ka asnjë dyshim. Ata ishin të rinj, burra dhe me pamje afrikano-veriore-arabe. Asnjë dyshim, që debati për migracionin dhe refugjatët arrin një nivel të ri përshkallëzimi. Në rrjetet sociale po bëhet batërdia. Ekseset seksuale u bënë publike me shumë vonesë. E nuk ishte policia, që e nxorri në shesh këtë, por ishin gratë, viktimat, që me kallëzimet e tyre e vunë në lëvizje diskutimin, që e rrezikon në masë paqen sociale.
Kjo për arsyen se turma e shfrenuar e burrave para katedrales bën pjesë pikërisht në kontekstin e çështjes së refugjatëve, që ndërkohë dominon kundrejt të gjitha temave. Ky rast e polarizon shoqërinë gjermane si asnjëherë më parë. Prejardhja gjeografike dhe mënyra e abuzimit kanë efektin e një katalizatori në shoqërinë tonë të acaruar.
Fryma mund të ndryshojë për keq
E kjo na mungonte pas vitit historik 2015. Mbi 1.1 milionë refugjatë e vlerësojnë kaq shumë Gjermaninë, sa ata duan patjetër të evakuohen këtu - dhe kjo vetëm brenda një viti. Me sforcim të madh qeveria prej muajsh përpiqet të ekuilibrojë harmoninë e cënuar shoqërore në vend. Përkrahësve të shoqërisë së hapur u duhet vazhdimisht të mbrohen ndaj sulmeve prej kampeve ksenofobe latente dhe atyre që dalin hapur.
Pas Këlnit kërcënon që fryma të ndryshojë për keq. Nëse ushqehen paragjykimet kundër "të huajve", atëherë as që nuk dëgjohen më paralajëmrimet nga përgjithësimi. Agresivitetit i nxitjes së urrejtjes kundër refugjatëve dhe azilantëve në rrjetet sociale është i pashoq. Ksenofobia ka sërish koniunkturë.
Kush vjen në fakt këtu në vend?
Por kjo dukuri nuk duhet ta zhvendosë vëmendjen nga fakti, se prej një kohe të gjatë nuk është perceptuar problemi i migrantit kriminel. Me refugjatët me siguri që nuk kanë ardhur vetëm baballarët familjarë të zellshëm. Dorasit para katedrales ishin të rinj dhe burra, e po kështu është edhe shumica dërmuese e të ardhurve ndër refugjatët. Problemi, që me refugjatët kanë hyrë në Gjermani edhe normat mashkullore të legjitimimit të dhunës së botës islame, është realitet jo vetëm më 2015. Kjo edhe për shkak të rritjes së popullsisë përmes imigracionit nga vendet islame. Kërkohet mënyrë e re të menduari, dhe të vepruari.
Policia e mbingarkuar
Por kërkohet edhe forcimi i policisë. Si mund të ndodhë që dhjetra gra u lanë të pambrojtura përballë sulmuesve të tyre? Asgjë nuk është më demoralizuese se sa përgjigja e një polici me përvojë, që e shpreh pa doreza pfuqinë e mbrojtësve të rendit: ne nuk mundemi më, krimet vetëm administrohen. Me gjasë në asnjë rast të vetëm nuk do të arrihet të jepet ndonjë dënim, druan sindikata e policisë. Për një përndjekje efikase penale mungon personeli. Një konstatim i tillë nuk shkon më absolutisht me kushtet e ndryshuara shoqërore në vend.
Dëbim! – Përse jo?
E vështirë të kuptohet është edhe rregullorja e dëbimit. E tejkalon çdo masë për një mendje të shëndoshë, kur migrantë edhe pse me rekorde të përsëritura penale nuk mund të dëbohen. Kujtdo që bën skandal në ndonjë lokal të lagjes, i ndalohet hyrja. Këtej e tutje ata që ngrenë flakadan nuk do të lejohen nëpër stadiume. Refugjatë dhe azilkërkues në të kundërt duhet të kryejnë ndonjë vrasje që të mund t'i kthesh. Pas ngjarjeve në Këln gjithnjë e të paktë do të jenë gjermanët që do të kenë mirëkuptim për një situatë të tillë ligjore.
Ju mund të shprehni mendimin tuaj në fund të këtij artikulli. I mirëpresim komentet tuaja.