1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kolegji zgjedhor: Lokalet 2019 më 30 qershor

Ani Ruci'
24 Qershor 2019

Kolegji Zgjedhor në Tiranë nuk njeh dekretin e Presidentit Meta. Më herët e kishte quajtur dekretin “antikushtetues” dhe si të tillë “të paqenë“.

https://p.dw.com/p/3KzsG
Zentrum von Tirana Albanien
Fotografi: Mimoza Dhima

Kolegji Zgjedhor vendosi të hënën (24.06) të mos njohë dekretin e Presidentit Meta për shfuqizimin e 30 qershorit, si datë e zhvillimit të Zgjedhjeve Lokale 2019 në Shqipëri. Ky vendim e bëri të pavlefshëm dekretin e Presidentit Meta, edhe pse ai është i botuar në Fletoren Zyrtare.   

Partia e Unitetit Kombëtar (PUK), e  regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të marrë pjesë në Zgjedhjet Lokale 2019, pas daljes së Dekretit të Presidentit për shfuqizimin e  30 qershorit i kërkoi këtij Komisioni ta ҫregjistronte, në respekt të dekretit të sipërpërmendur. Por KQZ nuk pranoi, pasi më herët e kishte quajtur dekretin "antikushtetues” dhe si  i tillë ishte"i paqenë".  Hedhja poshtë e kërkesës së PUK nga KQZ  solli padinë e kësaj force politike tek Kolegji Zgjedhor ndaj këtij Komisioni lidhur me datën e zhvillimit të Lokaleve 2019. Kryetari  i PUK, Idajet Beqiri, tha të hënën në Kolegjin Zgjedhor:

"Kërkojmë të na hiqet emri nga fleta e votimit. 30 qershori nuk mund të jetë data e zgjedhjeve lokale 2019, pas daljes së dekretit të Presidentit. Kërkojmë ҫregjistrimin e PUK nga zgjedhjet , ” tha Idajet Beqiri, në seancën gjyqësore në Kolegjin Zgjedhor.

Por në fund të seancës ai pranoi se vendimi i Kolegjit Zgjedhor është detyrues.

"Jemi të detyruar të shkojmë në zgjedhje në 30 qershor" tha kryetari i PUK, Idajet Beqiri.

KQZ: Shdekretimi i 30 qershorit, një akt nul

Përfaqësuesit  e KQZ  në seancën gjyqësore të Kolegjit Zgjedhor e argumentuan vendimin e  tyre  me "të drejtën për të votuar të partive të tjera të regjistruara në KQZ. Dekreti i Presidentit Meta bie ndesh me të drejtat e partive të tjera në zgjedhje". Por ata vunë në dukje edhe pamundësinë për të printuar fletë të tjera votimi për 61 bashkitë e vendit  "në kaq pak kohë".

Arsyet  juridike, ku Kolegji Zgjedhor mbështeti të  hënën njohjen e datës 30 qershor si data e zhvillimit të zgjedhjeve lokale 2019, pritet të bëhen të ditura gjatë javës, kur Kolegji do të publikojë vendimin e tij të arësyetuar.

Presidenca:  Vendimi – skeҫi i orkestruar i radhës

Në reagimin e menjëhershëm të  zëdhënësit të  Presidentit Meta, Tedi Blushi, vendimi i Kolegjit Zgjedhor cilësohet, "asnjë suprizë nga skeҫi i orkestruar, i radhës”, duke nënkuptiar mazhorancën socialiste.

Për opozitën, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencën për të bërë nul dekretin e Presidentit. Opozita,  që nuk merr pjesë në Lokalet 2019, po kërkon përmes protestash që prej 4 muajsh largimin e kryemnistrit Rama, rrëzimin e qeverisë së tij për të mundësuar atë  që  ajo e quan "zhvillim të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Opozita këmbëngul që vetëm Gjykata Kushtetuese ka kompetencën për të gjykuar nëse një dekret i Presidentit është ose  jo i vlefshëm. Por Shqipëria aktualisht nuk ka Gjykatë Kushtetuese për shkak të vettingut, që nxorri jashtë sistemit një pjesë të mirë të anëtarëve të saj. Kjo situatë e shtyn marrjen e vendimit për vlefshmërinë ose jo të dekretit të Metës, në një kohë të pacaktuar.

Parlamenti voton më 4 korrik për shkarkimin ose jo të Presidentit Meta 

Në një kohë të pacaktuar mbetet edhe shkarkimi ose jo i Presidentit Meta, i nisur javën e kaluar me kërkesën e 55 deputetëve të PS,me argumentin kryesor se dekreti i shfuqizimit të datës 30 qershor për zhvillimin e Lokaleve 2019 është "antikushtetues”.

Sipas procedurave, kërkesa në fjalë ka mbritur tanimë në Komisionin e Ligjeve. Burime nga ky komision thanë për DW se Presidenti Meta ka refuzuar ftesën e këtij komisioni për të dhënë para tij sqarime për arsyet e nxjerrjes së dekretit.

Procedurat e shkarkimit përmbajnë edhe ngritjen ose jo të një komisioni hetimor parlamentar,lidhur me kometencat që i jep kushtetuta Pesidentit Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve. Të njëjtat burime bëjnë me dije se pritet që kërkesa për shkarkim të votohet në Parlament, në seancën plenare të javës së ardhshme, më 4 korrik.