1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koha për ta ndryshuar botën

Karin Jäger
2 Shkurt 2018

Skandali i makinave me naftë, ndryshimi i klimës, zhdukja e specieve. E çfarë po ndryshon? Asgjë. Christiane Kliemann ka hequr dorë nga puna në OKB dhe po jep një shembull, se si humbja e luksit mund të jetë një fitim.

https://p.dw.com/p/2rwJ6
Christiane Kliemann, Referentin für Tiefenpsychologie und Degroth
Fotografi: DW/K. Jäger

Christiane Kliemann është një njeri i komunikueshëm. Por 50 vjeçarja ka edhe parimet e saj: "Gotat plastike në mencë! Kjo nuk shkon." Ajo jo vetëm kritikon, por menjëherë jep një propozim për përmirësim: "Përse nuk ka çdo punonjës filxhanin e vet, që mund ta mbushë në automatin e kafesë?" Teknikisht kjo do të ishte e mundur. Automati e njeh nëse poshtë rubinetit ndodhet një filxhan apo nëse i duhet të nxjerrë një gotë plastike.

Christiane Kliemann eviton përdorimin e plastikës, para një viti ajo hoqi dorë edhe nga makina, refuzon fluturimet me avion dhe po ashtu ka hequr dorë edhe nga puna në Sekretariatin e OKB-së për Klimën (UNFCCC). Nëna e katër fëmijëve përkohësisht u zhvendos nga shtëpia e madhe që kishte dhe nisi të banojë në një rimorkio-shtëpi. "Unë besoj, që çdo njeri e ka një ndijesi të thellë për të pasur një jetë me kuptim. E secili ka dëshirën, që të kontribuojë me diçka kuptimplotë në shoqërinë dhe në mjedisin e tij."

Me këtë synim ish-gazetarja pati aplikuar për punë në OKB, por atje shumë shpejt konstatoi, që tema të caktuara ishin tabu si "Rritja ekonomike dhe strukturat kapitaliste." Një përvojë vendimtare ajo e pati më 2012. Bashkësia ndërkombëtare nxori bilanc në Rio për procesin 20 vjeçar të OKB-së për mjedisin, ndryshimi i klimës dhe biodiversiteti.  "Për mua tronditës ishte konstatimi, se gjendja në të gjitha sferat ishte përkeqësuar. Në vend që të thuhet: Ne kemi bërë gabime dhe tani propozojmë rrugë të reja, vendimmarrësit duke iu referuar së ardhmes vazhdojnë ndërkohë të mbajnë sistemin e dëmshëm."

Si shembull aktivistja e mjedisit përmend rritjen e vazhdueshme të emisioneve si dhe shpërblimin nga qeveria federale gjermane më 2009 për ata që blinin një makinë të re, për të hequr nga qarkullimi makinat e vjetra. I ashtuquajturi "shpërblim për mjedisin" synonte të nxiste blerjen e modeleve të reja të makinave, por u "prodhuan shumë makina pa cilësi, u konsumuan shumë energji e burime për prodhimin e makinave të reja", thotë aktivistja.

Christiane Kliemann
Christiane KliemannFotografi: DW/K. Jäger

Shkaku është dogma e rritjes ekonomike, struktura e ekonomisë e orientuar nga kapitali. Frika, se mund të shkatërrohen tregjet e me këtë edhe ekonomia, i bën pjesëmarrësit, që të reagojnë gjithnjë e më shpejtë për ta mbajtur ekonominë në funksionim. Por shembulli i Greqisë tregoi, se pasojë e pretendimit për rritje ekonomike është kaosi social. Zgjidhja nuk mund të jetë ndalimi i rritjes ekonomike, por vetëm transformimi në tërësi i sistemit. Degrowth ose ulja e ritmit të zhvillimit ekonomik në dobi të njeriut dhe mjedisit janë nismat për një ndryshim të sistemit, që përfaqëson Christiane Kliemann. Ky sistem merr parasysh nevojat e përgjithshme, drejtësinë sociale dhe qendrueshmërinë ekologjike.

Për t'u bërë ballë mungesës së burimeve, ndotjes së mjedisit dhe varfërisë ithtarët e lëvizjes Degrowth kërkojnë një tatim më të fuqishëm të udhëtimeve me avion që dëmtojnë mjedisin dhe konsumojnë energjinë e burimet, shfuqizimin e  lehtësimeve fiskale për makinat për përdorim zyrtar, zgjerimin e qarkullimit publik dhe të rrugëve të biçikletave. Në këmbim duhet që mbështetet ligjërisht ekonomia lokale, për të krijuar mundësi për rrugë më të shkurtëra transporti dhe për një prodhim në zona më pranë konsumatorëve në afërsi të zonave rurale. Duhet të ruhen sipërfaqet e gjelbëra dhe edukimi për mjedisin duhet të fitojë më shumë peshë në orët e mësimit shkollor dhe atij parashkollor.

Masa të tilla, beson Christiane Kliemann, kanë si efekt anësor tkurrjen e ekonomisë.  "Ne mund t'ia dalim me kthesën, vetëm nëse heqim dorë nga mentaliteti i konkurrencës dhe mësojmë të mendojmë në mëyrë kolektive, solidare e kooperuese, të orientuar se bashkarisht mund t'ia dalim në këtë planet."