1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Klasa politike në Shqipëri ka nevojë për ndërmjetësimin e Brukselit

Arben Muka20 Dhjetor 2014

Edhe pas marrjes së statusit të vendit kandidat për procesin e integrimit në BE, klasa politike nuk është e gatshme të zgjidhë vetë krizën politike disamujore.

https://p.dw.com/p/1E80J
Fotografi: DW/A. Ruci

Bojkoti i parlamenti nga deputetët e opozitës i nisur në mes të muajit korrik të këtij viti është në pikën kritike. Në rast se edhe në seancën plenare të fundit për këtë vit që zhvillohet ditën e mërkurë, më 24 dhjetor, deputetët e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj të djathtë nuk do të ulen në sallën e parlamentit, atëherë, sipas Kushtetutës, cilido që mungon humb të drejtën e mandatit. Duke provokuar një proces zëvendësimi në listat partiake, si një spirale që do të thellonte edhe më shumë krizën politike në vend.

Por atë që nuk po tejkalon klasa politike shqiptare, e ka marrë përsipër Parlamenti Europian, ku dy grupet kryesore të eurodeputetëve, të djathtët dhe të majtët, kanë caktuar negociatorë në zgjidhjen e krizës, për të bërë të mundur normalizimin e punës së Kuvendit të Shqipërisë.

Eurodeputeti Knut Flenckeinstein në dy ditët e qëndrimit të tij në Tiranë kontaktoi në takime të ndara kryeministrin Edi Rama (PS), kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta (LSI) dhe shefin e opozitës Lulzim Basha (PD). Siç ndodh gjithmonë me misionet negociatore, Flenckeinstein, qëndroi larg medias, duke artikuluar vetëm pak fjali të kujdesshme, me përmbajtje optimiste, se do të “arrihej një marrëveshje mes opozitës dhe mazhorancës.”

Eduard Kukan
Eduard KukanFotografi: DW/Arben Muka

Dialogu konstruktiv rëndësi jetike për procesin e integrimit europian

Në fillim të javës që vjen tre politikanët kryesorë do të kontaktohen nga eurodeputeti Eduard Kukan, që, siç po hamendësohet në qarqet politike, do të përpiqen të dakordësohen për rikthimin e opozitës në sallën e parlamentit, kundrejt hartimit të një draft-ligji për dekriminalizimin e Kuvendit, që do të hartohet me konsensus dhe do të duhet të miratohet brenda fundit të qershorit të vitit 2015.

Përpara misionit negociator, dyshja Flenckeinstein – Kukan, e kanë bërë të qartë objektivin e tyre të përbashkët në udhëtimin Bruksel – Tiranë – Bruksel përmes një komunikate kur shprehen mes të tjerave se “dialogu konstruktiv dhe i qëndrueshëm mes mazhorancës dhe opozitës, së bashku me debatet politike që duhet të ndodhin në parlament, janë me rëndësi jetike për procesin e integrimit”.

Kryetari i PD, Lulzim Basha pas takimit të premten me Knut Flenckeinstein ka theksuar faktin se ky është një proces që kërkon vullent politik, që sipas tij, opozita e ka këtë vullnet dhe e ka nënvizuar që prej shtatorit që opozita do që të jetë në Kuvend. “Procesi është proces komunikimi. I vlen rezultatit që presim, jo vetëm opozita, por qytetarët. Ia vlen të angazhohemi për t'i dhënë fund situatës së paprecedentë. Ishte vullneti politik i mbrapshtë që e solli situatën këtu dhe uroj që vullneti politik t'i japë fund kësaj situate.”

Pozitë e brishtë e demokracisë funksionale shqiptare

Për ekspertin e shkencave politike, prof. asoc. Afrim Krasniqi, misioni i fundit negociues Fleckenstein – Kukan, nuk ka asgjë për të negociuar, përveçse për të konfirmuar, sipas tij, kthimin në normalitet, duke shërbyer si alibi shpëtimi për palët politike. Gjithësesi, më shumë se sa sukses evropian misioni i të dërguarve Brukselit është dështim shqiptar, thotë prof. asoc. Afrim Krasniqi për Deutsche Wellen.

“Një vend prej vitesh në NATO dhe që sapo mori ftesën e vendit kandidat nuk është në gjendje të krijojë normalitet, dialog dhe as mirëbesim midis mazhorancës dhe opozitës. Vetë misioni është konfirmim i pozitës së brishtë ku ndodhet demokracia funksionale shqiptare dhe i paaftësisë së klasës politike për të mësuar e reflektuar nga gabimet e të kaluarës. Bojkoti i fundit parlamentar ishte i sforcuar, pas sens dhe shumë larg motiveve thelbësore që lidhen me rrethana specifike për demokracinë, siç ishin vitet 1996-2001. Çdo bojkot më tej ka qenë dhe mbetet pa sens dhe pa argument thelbësore”.

Sipas tij, zgjidhja e vetme mbetet reflektimi nga liderët politikë, nga dy palët, - mazhoranca për të qenë më modeste në retorikë, më transparente në vendimmarrje dhe më institucionale në raport me përgjegjësitë kushtetuese, dhe opozita për të qenë më realiste në vlerësime, më e reformuar në sjellje, më përfaqësuese në parime dhe më e përgjegjshme ndaj sovranitetit qytetar dhe interesit publik.

“Këto sfida nuk imponohen dot nga asnjë mision negociues, por lidhen me nivelin e kulturës politike dhe vizionin për të ardhmen. Që gjërat të ecin më mirë dhe vendi të përparojë pres që çdo palë politike, rivale apo partnere, të takohet periodikisht me njëra tjetrën, të dëgjojë, dialogojë e krijojë besim më shumë, në mënyrë që demokracia të bëhet funksionale dhe që Shqipëria politike të ndahet nga sëmundja e periodike e tranzicionit, - ku prodhon pafund kriza, nuk zgjidh asnjë, kërkon alibi e ndërmjetësim të huaj dhe njëherësh mban peng premtimin e kahershëm për sjellje, ndryshim e integrim real në Evropën e Bashkuar”.

Klasa politike e paaftë t'i zgjidhë vetë problemet e brendshme

Diskussionsveranstaltung "Russland - EU" in der Landesvertretung Hamburg
Knut FleckensteinFotografi: DW/N. Jolkver

Gazetari Fatos Hakorja e shikon misionin ndërmjetësues Fleckenstein – Kukan si një nevojë e Shqipërisë për Brukselin edhe pse e ka marrë statusin e vendit kandidat, dhe kjo sipas tij për shkak të mungesës së besimit mes palëve. Hakorja beson se angazhimi i dy përfaqësuesve të Parlamentit Europian, nga rradhët e së djathtës dhe të majtës, do të jetë i mjaftueshëm, për t'i dhënë zgjidhje ngërçit të krijuar që prej 10 korrikut të këtij viti, me bojkotimin e kuvendit nga opozita. PD e kërkon prej kohësh përfshirjen e Brukselit, si garant, thotë Fatos Hakorja për Deustche Wellen.

“Por Parlamenti Europian u angazhua vetëm pas rreth 6 muajsh, kur vijimi i bojkotit mund ta fuste politikën në një spirale krize të paparashikueshme, me djegien e mandateve të deputetëve të opozitës, diçka që do të ndodhte për herë të parë në Shqipëri. Më shumë se presion, angazhimi i eurodeputetëve Kukan e Fleckenstein është një sinjal se Bashkimi Europian nuk ka ndërmend ta braktisë Shqipërinë dhe tregues se klasa politike është e paaftë t'i zgjidhë vetë problemet e brendshme”. Hakorja vë në dukje se ky nuk është rasti i vetëm i bojkotit të parlamentit në Shqipëri.

“Ashtu si çdo herë tjetër, ai ia arriti dy qëllimeve kryesore: së pari, detyroi mazhoranëcn të ndryshojë qasjen ndaj opozitës duke respektuar të drejtat e saj kushetuese dhe së dyti, tërheqjes së vëmendjes së ndërkombëtarëe ndaj sjelljes së mazhorancës, të cilën opozita e akuzon që vazhdimisht për arrogancë, arbitraritet dhe veprime antikushtetuese. Arritja e këtyre dy qëllimeve, e përligj bojkotin edhe kësaj herë, por gjithësesi, duhet parë produkti që do të sjellë marrëveshja që pritet të lindë nga ky bojkot”.