Klapper: Shpresa për largim nga polarizimi në Shqipëri
4 Maj 2021DW: Znj.Klapper, cili është opinioni juaj për procesin zgjedhor, në tërësi, për Zgjedhjet Parlamentare 2021, që u zhvilluan në Shqipëri më 25 prill? Cilat janë sipas jush aspektet pozitive dhe mangësitë e tij?
Stine Klapper: Besoj se është shumë pozitive që të gjitha partitë relevante politike dhe disa parti të reja kanë marrë pjesë dhe ne kemi parë një fund të bojkotit të parlamentit dhe zgjedhjeve që ishte shumë problematike në vitet e kaluara. Gjithashtu, pjesëmarrja ishte mjaft e lartë nëse shikoni numrin e njerëzve në vend që votuan, gjë që është shumë pozitive. Ka disa akuza/pretendime dhe ankesa për parregullsi dhe ato duhet të hetohen, por në përgjithësi kemi parë një ditë zgjedhjesh paqësore, të mirë organizuar dhe me një rezultat të qartë. Polarizimi i lartë i peizazhit politik, sigurisht që ka kontribuuar në një fushatë elektorale plot tensione. Do të ishte mirë të shihet më shumë konkurrencë idesh dhe ofertash programatike dhe më pak shkelje personale dhe referenca urrejtjeje gjinore.
DW: Në raportin paraprak të Misionit të Vëzhguesve Ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, blerja e votës u konsiderua një shqetësim serioz. A ndikoi blerja e votës në integritetin dhe besueshmërinë e këtyre zgjedhjeve?
Stine Klapper: Sigurisht, blerja e votave nuk duhet të ndodhë fare. Nëse ka ankesa, ato duhet të hetohen.
DW: Çfarë mendoni për përfshirjen e rinisë në këto zgjedhje? A u inkurajua brezi i ri për të marrë pjesë në procesin zgjedhor?
Stine Klapper: Mendoj që është shumë e rëndësishme të inkurajohen të rinjtë dhe të rejat të votojnë. Çdo votë ka rëndësi. Unë kam vlerësuar fushatat e ndryshme për të motivuar të rinjtë të votojnë, veçanërisht ato nga organizatat e shoqërisë civile. Ne, në Friedrich Ebert Stiftung, Tiranë, (Fondacioni Friedrich Ebert) kemi qenë shumë të kënaqur që, së bashku me partnerë të tjerë, kemi mundur të mbështesim nismën e Kongresit Rinor Kombëtar për t'iu drejtuar kandidatëve për deputetë në një program televiziv javor për të bërë të njohura dhe ndarë shqetësimet e brezit të ri. Gjithashtu fushata "Unë votoj sepse…" nga organizata "Qëndresa Qytetare” ishte për shembull, një ide e shkëlqyer për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve në zgjedhje.
Partitë gjithashtu u përpoqën t'i drejtoheshin elektoratit të ri, por ato me siguri mund ta intensifikonin këtë. Në përgjithësi, besoj se ka një numër të madh të rinjsh dhe të rejash që dëshirojnë të dëgjojnë më shumë për idetë politike sesi në të ardhmen të garantohet përparimi në vend sesa fyerjeve të ndërsjella mes aktorëve politikë. Dhe të gjithë e dimë: përfaqësimi ka rëndësi - kjo do të thotë që është e rëndësishme për të rinjtë dhe të rejat të shohin moshatarët e tyre duke kandiduar në listat e partive. Ka shumë të ngjarë që më shumë kandidatë të rinj për deputetë që garojnë në vende premtuese në listë, të rrisin pjesëmarrjen e votuesve nga rinia.
DW: Me përfundimin e procesit të numërimit të votave dhe shpalljen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të emrave fitues të kandidatëve, të atyre që do të jenë deputetë në Parlamentin e ri, u mbyll procesi zgjedhor për Parlamentaret 2021. Fituese e tyre, për të tretën herë rradhazi është PS. Cilat janë sipas jush arsyet e fitores të saj?
Stine Klapper: Është e vështirë të përmblidhen të gjitha arsyet e mundshme. Sipas sondazheve, një pjesë e konsiderueshme e elektoratit vlerësoi axhendën e qartë pro-evropiane të qeverisë. Sukseset lidhur me këtë axhendë tregojnë që qeveria dhe në veçanti kryeministrikanë menaxhuar krizat e shumta të viteve të kaluara, veçanërisht pasojat e tërmetit në vitin 2019 dhe krizën e pandemisë Corona. Në të njëjtën kohë duket se jo shumë votues i shohin këto kapacitete apo karakteristika në lidershipin e partive të tjera. Kështu që, shumica e votuesve nuk patën besim që alternativat politike do të ishin më të interesuara ose më të afta për të zgjidhur problemet që nuk janë adresuar deri më tani dhe kanë provokuar pakënaqësi si p.sh. pabarazitë shoqërore. Për më tepër, partitë e vogla dhe të reja tradicionalisht nuk marrin numër të lartë të votave edhe nëse ato paraqesin programe të hollësishme.
DW: PD nuk e ka njohur ende rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Çfarë zhvillimesh mund të ndodhin në PD, tanimë partia kryesore e opozitës në parlametin e ri të Shqipërisë?
Stine Klapper: Nuk mund të parashikoj zhvillimet në PD. Shpresoj shumë që aktorët kryesorë politikë në vend të gjejnë një mënyrë për të kapërcyer polarizimin e ashpër partiak-politik. Një konkurrencë politike më konstruktive do të ishte e rëndësishme për të ngritur mekanizma të qëndrueshëm të vendimmarrjes dhe ato për kontrollin dhe ekuilibrin mes pushteteve. Kjo do të çonte gjithashtu në më shumë besim prej qytetarëve në institucionet demokratike dhe në Parlament, më të rëndësishmin prej tyre. Demokracitë kanë nevojë për kundërshtim të fortë brenda parlamentit dhe politikëbërje gjithëpërfshirëse. Shpresoj të shohim më shumë nga të dyja në mandatin e ardhshëm.
DW: Çfarë pritmërishë keni nga qeveria Rama 3 që Shqipëria të përmbushë kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian për të hapur negociatat e pranimit dhe patur përparim në demokraci?
Stine Klapper: Qeveria e ardhshme do të vazhdojë rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Kjo do të kërkojë reforma gjithëpërfshirëse në shumë fusha të ndryshme. Shpresoj që këto reforma të zbatohen edhe pse disa mund të zgjasin shumë, të kërkojnë shumë burime dhe mund të hasin në rezistencë nga aktorë të caktuar. Popullsia mbështet integrimin evropian pasi e di që përfshin një konsolidim të demokracisë dhe sundimit të ligjit por gjithashtu edhe progres social-ekonomik. Prandaj shpresoj që të gjithë aktorët politikë, jo vetëm qeveria, do të vazhdojnë të mbështesin reformat e nevojshme.