1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina shpëtimtarja e Ballkanit? Eufori kineze në Dubrovnik

Andrea Jung-Grimm
14 Prill 2019

Një numër kontratash nënshkruan me Kinën pjesëmarrësit e samitit të grupit 16+1 në Dubrovnik. Ndërkohë që Europa Lindore e Juglindore shpreson që me investimet kineze të marrë hov ekonomia, BE mbetet skeptike.

https://p.dw.com/p/3GjOA
Li Keqiang besucht Kroatien
Li Keqiang shikon ecjen e punimeve të urës së Peljesac-itFotografi: picture-alliance/H. Jingwen
Griechischer Premierminister Alexis Tsipras
Fotografi: Vlada RH

Në Dubrovnik u zhvillua samiti i 8 i grupit 16+1, ku numërohen 12 vende anëtare të BE, pesë vende të tjera si edhe Kina. Në fund edhe Greqia u bë pjesë e këtij grupi, vetë kryeministri grek Aleksis Tsipras mori pjesë në këtë samit, duke e ndryshuar shifrën në 17+1. Kjo iniciativë u krijua në vitin 2012 për të nxitur marrëdhëniet e biznesit dhe investimet kineze në vendet e Europës Qendrore, Lindore e Juglindore.

Shumica e investimeve në Serbi

Për Kinën vendet europianolindore e juglindore janë të rëndësishme për shkak të projektit gjigand infrastrukturor „Rruga e Re e Mëndafshit". Në kuadër të këtij projekti, Pekini kërkon të investojë në projekte miliardëshe si rrugë, shina hekurudhore, rrjete telekomi, aeroporte. Kështu do krijohen korridore të reja ekonomike dhe tregtie drejt Europës, Afrikës, deri në Amerikën Latine. Në vitet e fundit Kina ka investuar miliarda dollarë në Europën Lindore, në formë kredish dhe në formë të projekteve ndërtimore që ka marrë përsipër. Shumica e investimeve kanë shkuar deri më tani drejt Serbisë, më shumë se 10 miliardë dollarë. Pekini ka investuar aty sidomos në industrinë e çelikut, armatimit dhe në infrastrukturë. Pas kësaj vjen në radhë Hungaria me rreth 4 miliardë dollarë, e Polonia me 3 miliardë dollarë.

Kina – shpëtimtare e ekonomisë kroate?

Mikpritësja e samitit, Kroacia është ende larg këtyre shifrave. Investimet kineze në këtë vend kapin vetëm 0,69 miliardë dollarë. Në mediat kroate prej ditësh sundon një lloj euforie. Një lajm i mirë ekonomik pason tjetrin: Ngritja e urës Peljesac? Nuk ka problem. Investime të mëdha në rrugët apo hekurudhën kroate? Edhe kjo do bëhet. Produkte bujqësore kroate në tregun kinez? Ndërkohë e nënshkruar. Duket sikur këto ditë kinezët janë kthyer në shpëtimtarët e ekonomisë kroate. E më e mira: Kantieri i anijeve, Uljanik që ndodhet para falimentimit mund të shpëtohet nga kinezët, shkruan gazeta kroate Jutarnji List që thotë, se i referohet burimeve qeveritare.

Li Keqiang besucht Kroatien
Li Keqiang viziton Kroacinë, 11.4.2019Fotografi: picture-alliance/I. Cagalj

Kina do të vazhdojë politikën e hapjes

Paralelisht me samitin politik në Dubrovnik u zhvillua edhe një forum ekonomik, ku morën pjesë rreth 1000 njerëz të biznesit si nga Kina ashtu edhe Europa. Krahas premtimeve për biznese të majme, në këtë forum u vu në funksionim edhe një platformë e internetit që do të koordinojë kontaktet mes firmave të vogla dhe atyre të biznesit të mesëm të vendeve pjesëmarrëse. Kryeministri kinez që ishte pjesë e samitit premtoi në Dubrovnik një hapje më të madhe të tregut kinez ndaj produkteve e firmave europiane. Për të mos e zemëruar Brukselin skeptik, pjesëmarrësit në samit bënë të ditur, se kontratat e përbashkëta do të paraqiten njëherë në Bruksel.(BE i sheh me skepticizëm këto investime, sepse vendet e varfra të BE përmes kredive që marrin mund të bien në grackën e borxheve dhe të bëhen të varura nga Kina. Pekini mund të rrisë kështu influencën politike. Shën red/dpa)

Samiti tjetër i klubit tanimë 17+1 zhvillohet në Kinë vitin e ardhshëm.