Kina po krijon fakte të kryera në Ballkan
15 Shtator 2017Ballkani nuk ka emër të mirë tek evropianët e tjerë që e lidhin me konflikte etnike, korrupsion, varfëri dhe të gjitha llojet e të këqijave të tjera. Shpesh këto janë stereotipe që nuk u përgjigjen realiteteve të Evropës Juglindore. Megjithatë, jo çdo imazh negativ i Ballkanit është një karikaturë keqdashëse. Mungesa e pavarësisë së mediave në shumë vende të rajonit, pavarësisht se cila qeveri është në pushtet dhe manipulon opinionin publik, është, për shembull, jo një stereotip, por një dukuri e përditshme.
Një fakt tjetër që lidhet me Ballkanin janë shtetet e tij të vogla. Mali i Zi p.sh. nuk ka as një të pestën e banorëve të Berlinit. Por të vogla janë edhe Estonia, Luksemburgu apo Finlanda. Dhe problemi me shtetet e Ballkanit nuk është se janë të vogla, por se janë të dobëta ekonomikisht. Rëndësia e pakët politike dhe ekonomike si dhe pozicioni i tyre midis Rusisë, Turqisë dhe Evropës së pasur Veriperëndimore e bën rajonin të prekshëm ndaj përpjekjeve për manipulim. Shumë është shkruar tashmë për manovrat e Rusisë për të trazuar gjendjen aty, ose për rikthimin e Turqisë në Ballkan.
Ndikim në rritje i Kinës
Një studim i ri hedh dritë tani për një fakt tjetër që deri tani qe anashkaluar: jo fshehurazi, por pa zhurmë Kina është bërë një investitor i rëndësishëm në Evropën Juglindore. Ekonomisti gjerman Jens Bastian, i cili jeton në Athinë, analizoi për disa muaj i ngarkuar nga "Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim" angazhimin ekonomik të kompanive kineze në Ballkan. Dhe edhe pse ai paralajmëron që të mos bëhet panik, Bastian gjithashtu thekson ndikimin e shpejtë ekonomik të Kinës në rajon dhe shtron pyetjen për dimensionin politik të këtij ndikimi.
Ndër të tjera, ai paralajmëron që Ballkani mund të bëhet gjithnjë e më i varur politikisht nga Pekini përmes kredive të bankave kineze.
Investime në infrastrukturë
Për vite, Kina ka investuar në infrastrukturën e transportit, veçanërisht tek portet, rrugët dhe rrjetet hekurudhore, në vendet e Evropës Juglindore. Shembulli më i famshëm është porti i Pireut. Ky po përjeton një bum qëkurse sipërmarrja kineze "Cosco Pacific" siguroi në vitin 2009 koncesionin për kalatat e kontejnerëve për 35 vjet. Greqisë kjo i sjell vende të reja pune. Dhe në Greqi gjatë dhjetë vjetëve të fundit nuk ka pasur ndonjë investim tjetër që të ketë qenë më i rëndësishëm.
Në Serbi me paratë kineze po ndërtohet një linjë hekurudhore mes Beogradit dhe Budapestit si dhe një autostradë. Zakonisht bankat kineze i miratojnë kreditë për projekte të mëdha ndërtimi, nëse kredimarrësi ngarkon me zbatimin e projektit një sipërmarrje kineze dhe punëson punëtorë kinezë. Kjo do të thotë që ekonomisht prej kredive përfiton kryesisht vetë Kina, si p.sh. në rastin e urës së Danubit në Beograd që përfundoi në vitin 2014. Serbia mori një kredi prej 260 milionë eurosh nga një bankë kineze, por ajo u ndërtua nga një sipërmarrje kineze.
Koloni kineze para portave të BE-së?
A po kërcënon kështu rreziku që rajoni të shndërrohet në një koloni kineze para portave të BE-së? Jo, kjo është e ekzagjeruar. Studimi i balancuar paralajmëron me të drejtë kundër alarmizmit. Aktualisht BE-ja dhe fqinjët e saj mbeten deri tani partneri më i rëndësishëm për Ballkanin. Investimet dhe kreditë kineze janë vetëm një shtesë e mirëpritur dhe shpesh e dobishme - si p.sh. Porti i Pireut. Por avancimi kinez në Ballkan gjithashtu tregon, se nëse BE-ja nuk është e interesuar për rajonin, atëhere këtë do ta bëjnë të tjerët. Nga ana tjetër nuk ka asnjë vend tjetër në botë ku BE-ja të merret kaq seriozisht sa në Sarajevë, Tiranë, Beograd apo Shkup. Nëse BE-ja ka ndikim diku jashtë vendit dhe mund të arrijë diçka, atëherë në Ballkan. BE-ja thjesht duhet ta dojë këtë.
Michael Martens/FAZ