1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina dhe SHBA lidhin marrëveshje për klimën

11 Nëntor 2021

Dy emetuesit më të mëdhenj të gazrave serë në botë, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, duan të bashkëpunojnë më ngushtë për mbrojtjen e klimës. Ata nënshkruan një deklaratë të përbashkët në Glasgow.

https://p.dw.com/p/42rXr
Fotografi: Christopher Furlong/Getty Images

Kina dhe Shtetet e Bashkuara arritën një marrëveshje për mbrojtje më të mirë të klimës në konferencën e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike në Skoci. I dërguari kinez për klimën, Xie Zhenhua e bëri njoftimin në Glasgow. "Të dyja palët pranojnë se ka një hendek midis përpjekjeve aktuale dhe qëllimeve të marrëveshjes së Parisit për klimën," tha Xie, duke iu referuar kërcënimit të ngrohjes globale.

Në deklaratën e përbashkët, të dyja vendet zotohen të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të trajtuar krizën klimatike, siç u tha gazetarëve i dërguari i qeverisë amerikane për klimën, John Kerry.

Së bashku, "konfirmuam mbështetjen tonë për suksesin e COP26", tha ai. Kjo deklaratë është një hap mbi të cilin të dyja palët mund të ndërtojnë, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres e përshëndeti marrëveshjen si "një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur".

Toka po shkon drejt një ngrohjeje prej 2.7 gradë

Marrëveshja për klimën e Parisit planifikon të kufizojë ngrohjen globale nën dy gradë Celsius, por mundësisht në 1.5 gradë. Megjithatë, sipas Kombeve të Bashkuara, edhe nëse përmbushen të gjitha angazhimet kombëtare për mbrojtjen e klimës, toka aktualisht po shkon drejt një ngrohjeje të fortë prej 2.7 gradë deri në fund të shekullit.

Që nga 31 tetori, afro 200 vende kanë negociuar në Glasgow për zbatimin konkret të Marrëveshjes së Parisit 2015. COP26 do të përfundojë zyrtarisht të premten.

Kina solli zhgënjim me ripërpunimin që i bëri objektivit të saj klimatik pak përpara konferencës botërore të klimës. Vendi më i populluar në botë thjesht konfirmon se dëshiron të arrijë neutralitetin e CO2 deri në vitin 2060. Prandaj, emetimet e gazeve serë të vendit mund të rriten ndjeshëm deri atëherë.

Fakti që presidenti kinez Xi Jinping, ndryshe nga shumë krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish, nuk vizitoi Glasgoun për hapjen e konferencës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, ka shkaktuar gjithashtu shumë kritika. Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe qeveria gjermane i kanë bërë thirrje Pekinit të shtojë përpjekjet e tij për mbrojtjen e klimës.

aud/se (afp,rtr, ap)