1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kerry Kosovës në Tiranë: "Vazhdoni të ecni përpara"

Arben Muka14 Shkurt 2016

Përveç apelit për vijueshmërinë e reformave, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, John Kerry diskutuoi në Tiranë edhe për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe për zhvillimet në Kosovë.

https://p.dw.com/p/1HvNs
München Sicherheitskonferenz - John Kerry
Fotografi: Reuters/M. Dalder

Për aq sa u bë publike nga vizita rreth 4 orëshe në Tiranë e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry, pjesa më e rëndësishme ka qenë vijimi i reformave, ku sipas tij, prova është absolutisht e qartë dhe Shqipëria duhet të jetë e kënaqur, që vendi po lëviz në drejtimin e duhur. Kerry u shpreh besimplotë në vullnetin me të cilin është përqafuar legjislacioni që ka lidhje me luftën ndaj korrupsionit, ndaj dhe ai tha se ndihej i inkurajuar që reformat kanë marrë udhë. Në mënyrë specifike ka përshëndetur ligjin e dekrimanlizmit të politikës, një ndërmarrje e cila është mbështetur fuqishëm nga ambasada e SHBA-së në Tiranë. Për Sekretarin amerikan të Shtetit, zbatimi i këtij ligji do të pengojë kriminelët në politikë. Por dhe reforma në drejtësi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e besimit të popullatës në këtë sektor. "Jam i inkurajuar shumë nga paketa e Reformës në Drejtësi që është duke u shqyrtuar për të përmirësuar gjyqësorin dhe për të lejuar një goditje më të madhe kundër korrupsionit. Dëshiroj të theksoj se kjo është diçka që udhëheqja juaj ka ndërmarrë, se ata po punojnë fort në mënyrë që të realizohet dhe janë të përkushtuar për një qeverisje më llogaridhënëse, dhe kjo kërkon  mbështetjen e çdo qytetari. SHBA është absolutisht e përgatitur dhe e gatshme dhe jam këtu ta konfirmoj në emër të presidentit Obama që ne jemi me ju në këtë transformim dhe rrugëtim. Por në fund vetëm shqiptarët mund të miratojnë ligjet e duhura e të ngulmojnë për zbatimin efektiv të tyre".

Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka artikuluar jo vetëm gatishmërinë e mazhorancës, por dhe një afat potencial për miratimin e saj. "Objektivi ynë i përbashkët, edhe për shkak të implikimeve të drejtpërdrejta që ecuria e reformës ka në procesin e integrimit europian, është që marsi të jetë muaji i votimit në Kuvend të paketës së ndryshimeve kushtetuese".

Mesazhi për Kosovën: "Vazhdoni të ecni përpara"

Temë e bisedimeve të shefit të diplomacisë amerikane ka qenë dhe situata në Kosovë. Në një shkëmbim të lirë bisedash me qytetarët John Kerry ka lëshuar një mesazh sintetik për zhvillimet në vendin që e vizitoi disa javë më parë: "Mesazhi im është. Vazhdoni të ecni përpara."

Ndërsa kryeministri Edi Rama duke prezantuar për median aspektin e bisedimeve mbi rajonin tha se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë dialogun e tyre për të shkuar drejt normalizimit. Sipas kryeministrit, ky nuk është një dialog i lehtë, aq më pak është i lehtë implementimi i gjërave për të cilat bihet dakord gjatë dialogut.

"Por është pa diskutim e vetmja rrugë drejt suksesit për secilin dhe për rajonin në tërësi. Ne do ta intensifikojmë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për konsolidimin e zhvillimit demokratik, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje, si një parakusht i sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit rajonal. Në këtë kontekst, Kosova do të vijojë të ketë mbështetjen e dy aleatëve të saj më të ngushtë, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara".

Kundërvënia ndaj Shtetit Islamik


Duke qenë se John Kerry ndaloi në Tiranë fill pas pjesmarrjes në takimin e nivelit të lartë për sigurinë në Mynih, pjesë e agjendës së tij ishte dhe lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Sipas tij mposhtjen e Shtetit islamik, IS, nuk mund ta bënte një vend i vetëm, por “kjo kërkon një koalicion të gjerë, dhe ne e kemi ndërtuar atë dhe Shqipëria, jam krenar dhe mirënjohës ta them, është anëtare themeluese në këtë koalicion. Shqipëria ka qenë aty që nga fillimet, e gatshme për të qëndruar me të gjitha vendet për t'iu kundërvënë IS-it". 

Kryeministri Edi Rama e ka informuar Sekretarin e Shtetit për masat e fundit që ka marrë Shqipëria në luftën kundër terrorizmit "për forcimin e kuadrit ligjor, për punën e agjencive ligjzbatuese, për miratimin së fundmi dhe fillimin e zbatimit të strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm, si dhe për bashkëpunimin rajonal në këtë kuadër".

Është e vështirë që të krijohet kultura e ndëshkueshmërisë


Drejtori i lajmeve në Televizionin News 24, Enton Abilekaj, veçon nga mesazhet e vizitës së John Kerry-t në Tiranë atë për nevojën e kryerjes se reformës në drejtësi. "Ai e shprehu se kjo nuk është e lehtë, sepse është e vështrirë që të kapësh ata që janë bërë të lumtur nga shpërndarja e përgjegjësive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Nënteksti është i qartë se është e vështirë që të krijohet kultura e ndëshkueshmërisë, ashtu siç është e vështirë që reforma në drejtësi të votohet nga ata që kanë frikë nga kjo reformë. Ky mesazh i Sekretarit amerikan të Shtetit ishte kompleks. Nga njera anë mbështeste reformën në drejtësi, por nga ana tjetër ka paralajmëruar kundështarët e saj, që do të konsideroheshin si aktorë negative në këtë ndërmmarje që amerikanët e mbështesin aq fuqishëm. Dhe këtu SHBA duken të pakompromis. Ata në këtë linjë kanë qenë po të kemi parasysh dhe qëndrimet që ka mbajtur javë më parë ambasadori amerikan Lu po për reformën në drejtësi dhe kundërshtarët e saj" - tha Abilekaj për Deustche Welle-n.

Kryeredaktori i së përditshmes "Shekulli", Elton Metaj, shikon në vizitën e John Kerry-t një ndërthurrje interesave mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Sipas tij, për Shqipërinë interesi tek partneri i rëndësishëm amerikan është dinamika e zhvillimeve të brendshme, ku reforma në drejtësi dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve janë në plan të parë. Kurse për SHBA-në kryetemë është lufta kundër terrorizmit në nivel global, përballja e IS-it, zhvillimet në Siri etj. Mes Tiranës dhe Uashingtonit në këtë agjendë problemesh të brendshme dhe ndërkombëtare ka mirëkuptim dhe bashkëpunim, thotë Metaj për Deutsche Welle-n.  "Kjo u konfirmua edhe nga vizita e John Kerry-t. Sipas mendimit tim, ai nuk erdhi thjesht për të bindur palët për dakordësimin dhe votimin e reformës në drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimeve. Kjo duhet parë si simbolike në këtë vizitë. Qëllimi parësor duhet parë te çështjet rajonale dhe më gjerë, ku SHBA kanë nevojë për partneritetin dhe bashkëpunimin me shtetet e tjera, ku përfshihet dhe Shqipëria. Nuk është ndonjë sekret që John Kerry ka marrë konfirmim për bashkëpunim dhe mbështetje nga Shqipëria dhe kjo u duk nga toni dhe përmbajtja e deklaratave që bënë pas takimeve me të si përfaqësuesit e mazhorancës ashtu dhe ata të opozitës".