KE: Kosova pak përparim - kërkohet angazhim i shtuar
7 Tetor 2020Situata e paqëndueshme politike në Kosovë, zgjedhjet e jashtëzakonshme, ndërrimi i shpeshtë i qeverive dhe përballja me pandeminë COVID-19, ka bërë që Kosova të ketë pak përparime në rrugën e saj drejt intergrimit në Bashkimin Evropian. Kështu konstatohet ndër të tjera në Raportin e Progresit për Ballkanin Perendimor, pjesa për Kosovën. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të parakohshme në Kosovë ishin konkurruese, por, këtu përjashtohen vendbanimet me shumicë serbe. Procesi i numërimit të votave tregoi dobësi dhe kjo çështje duhet të trajtohet me urgjencë, thuhet në raport. Po ashtu Kosovës i kërkohet që të gjallërojë proceset e reformës, të rritë angazhimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të vazhdojë reformat në administratën publike.
Pozitive: Heqja e tarifës ndaj mallrave serbe
Në Raportin e Progresit Kosova vlerësohet pozitivhst përsa i përket angazhimit në dialog me Serbinë ku përmendet edhe heqja e tarifës ndaj mallrave serbe që mundësoi rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi. "Heqja e tarifave 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës ishte vendim i rëndësishëm, të cilën Bashkimi Evropian e ka mirëpritur”, thuhet në raport. "Kosova ka treguar përkushtim dhe angazhim në këtë proces por duhet të bëj më shumë përpjekje thelbësore dhe të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për të mundësuar arritjen e një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme me Serbinë”, thuhet në raport dhe ku potencohet qartë se "një marrëveshje e tillë është thelbësore dhe urgjente për Kosovën e Serbinë në rrugën e tyre drejt intergimit evropian”. Në Raportin e Progresit për Kosovën serish ritheksohet pa hezitim se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, ndërsa, Komisioni thuhet në raport mbetet i përkushtuar për liberalizimin e vizave.
Reagimi i politikës
Raporti i Progresit për Kosovën, nga udhëheqësit e institucioneve të këtushme është cilësuar real që adreson çështjet për të cilat sipas tyre, po punohet vazhdimisht. Për kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, "Raporti tregon se është bërë progres”. "Krimi dhe korrupsioni mbetet problem në vete, por ju e keni parë se brenda vetëm katër muajve qeverisje është larguar nga diskursi publik fjala korrupsion. Në javët e fundit, keni pa veprime të fuqishme të policisë që s'i kemi parë në dhjetë vitet e fundit. Rezultate të tilla nuk kemi parë që disa qeveri me radhë. Kosova e ka menaxhuar mirë pandeminë, po largohet nga lista e vendeve me rrezik të lartë”, vlerësoi kryeministri Hoti.
"Ne tani në Qeveri i kemi vendosur strukturat e nevojshme në zyrën për integrime evropiane, brenda zyrës së kryeministrit. Do të ketë mbikqyrje të plotë të ministrive dhe agjencive që ndërlidhen me sfidat që janë paraparë në këtë raport”, tha kryeministri, duke shtuar se brenda disa ditëve sipas tij, "do të përgatitet një plan veprimi, që do të miratohet në qeveri, për të adresuar rekomandimet e nxjerra dhe të dhënat në këtë raport”.
Edhe kryetarja e kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, që e pranoi Raportin e Progresit nga shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, bëri të ditur se "secili komision parlamentar do t'i qaset në mënyrë specifike rekomandimeve të raportit”. Kreu i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, foli për financimin e projekteve, të cilat BE-ja do t'i bëjë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ku shifra arrin në 9 miliardë euro. Për kryeministrin e Kosovës nga ky financim, pjesa për Kosovën do të përfshijë "autostradën Prishtinë- Merdar, hekurudhën Prishtinë-Merdar, projektin e Ibër Lepencit, të fazës të dytë, gazpërçuesi që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, dhe një listë e gjatë e projekteve që kanë të bëjnë me menaxhimin e ujërave të ndotura”.