Katari premton më shumë të drejta për punëtorët
15 Maj 2014"I ashtuquajturi sistemi aktual në fuqi, Kafala do të zëvendësohet me një sistem që bazohet në kontratat e punës", tha një zyrtar i qeverisë në Doha. Sistemi Kafala i cili aplikohet edhe në vende të tjera arabe të Gjirit Persik parashikon para së gjithash që punëtorët e huaj nuk mund as të futen e as të largohen nga shteti pa një "garantues". Në përgjithësi "garantues" është punëdhënësi. Në këtë mënyrë punëtori i nënshtrohet një raporti robërues: Punëdhënësi ka të drejtën të mbajë pasaportën dhe të vë kushte në mënyrë të njëanshme të punës dhe të pagesës.
Për shkak se Katari po ndërton stadiumet dhe ndërtesa të tjera për Kampionatin Botëror të Futbollit 2022 kryesisht me punëtorë të ftuar nga vendet e Azisë, opinioni publik ndërkombëtar filloi të kritikoj sistemin Kafala. Para së gjithash sindikatat janë të indinjuara ndaj sistemit plaçkitës. Tani sipas një njoftimi të qeverisë, punëtorët e huaj do ta kenë më të lehtë që brenda Katarit të ndërrojnë punëdhënsin apo të largohen nga vendi. Punëdhënësit që marrin peng pasaportat e punëtorëve të tyre do të dënohen me gjobë.
FIFA vlerëson paralajmërimet për reforma
Përderisa Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave ITUC i kritikuar reformat e shpallura si të pamjaftueshme, Shoqata Botërore e Futbollit, FIFA ka përshendetur planet e Katarit. "Njoftimi është një hap i madh në drejtimin e duhur drejt një ndryshimi të qëndrueshëm të kushteve të jetesës së punëtorëve në Katar", tha presidenti i FIFA-s Joseph S. Blatter. Ai e pret me gëzim zbatimin e reformave në muajt e ardhshëm. Të dielën FIFA kishte anuluar një udhëtim në Katar në shenjë reagimi ndaj një raporti për abuzimet në Katar.
Vdekjet në vendpunishte
Në vitin 2010 Katari kishte fituar të drejtën për mbajtjen e Kampionatit Botëror të Futbollit. Që atëherë, sipas sindikatave ndërkombëtare, rreth 1200 punëtorë të huaj kanë humbur jetën në kantierët e ndërtimit në shtetin e Gjirit Persik. Qeveria e Katarit i konteston këto shifra. Punëtorët janë kryesisht nga Nepali, India dhe Bangladeshi. Sipas njoftimeve, ata shpesh duhet të punojnë me orë të tëra në Katar në vapë të madhe, pa pushim. Për më tepër, ata strehohen shpesh në banesa që nuk plotësojnë as kushtet elementare për jetesë.