1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kasanof kërkon në Kosovë partneritet më efektiv me SHBA

12 Tetor 2024

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, tha se SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t'i përmbushin të gjitha angazhimet që kanë marrë përsipër në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

https://p.dw.com/p/4liCR
Alexander Kasanof dhe Albin Kurti shtrëngojnë duart
I dërguari amerikan për Ballkanin, Alexander Kasanof me kryeministrin KurtiFotografi: Office of the Prime Minister of Kosovo

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof qëndroi dy ditë në Kosovë , ku përcolli mesazhin, se "veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën”. "Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv. Gjithashtu, jam shprehur i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe që Kosova ka arritur të marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit”, tha Kasanof. Zyrtari i lartë amerikan që për herë të parë viziton Kosovën dhe i cili pason në këtë detyrë, Gabriel Escobar, para ardhjes në Kosovë vizitoi edhe Sarajevën dhe Beogradin. 

Të përmbushen angazhimet e marra përsipër

"SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t'i përmbushin të gjitha angazhimet që kanë marrë përsipër në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të tij. Kjo përfshin edhe dërgimin e draft-statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të vendit”, tha Kasanof për një grup gazetarësh në Prishtinë.

Alexander Kasanof takohet me presidenten,Vjosa Osmani, pas flamuri amerikan dhe ai kosovar
Takim i Kasanof me presidenten OsmaniFotografi: Office of the Prime Minister of Kosovo

I dërguari amerikan për Ballkanin Aleksandër Kasanof, në Kosovë ishte në ditën kur u bë edhe ndërrimi i komandës së KFOR-it,  nga gjenerali i ushtrisë turke gjeneralmajor, Ozkan Ulutash te gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani. Në ceremoninë e ndërrimit të komandës ishte edhe komandanti i marinës amerikane për Evropën dhe i forcave të NATO-s në bazën e Napolit, admirali amerikan, Stuart B. Munsch.

Munsch: Kush vepron jashtë dialogut përshkallëzon tensionet

Admirali amerikan ishte i qartë në mesazhin e tij në Prishtinë. Qeveritë që veprojnë në mënyrë të njëanshme jashtë dialogut, përshkallëzojnë tensionet, tha ai. "Duke vepruar jashtë këtij dialogu, duke vepruar pa përkushtim të vërtetë ndaj këtij dialogu ose grindjet për atë që se çfarë duhet të përfshihet apo përjashtohet nga ky dialog, janë veprime që nuk do të arrijnë asnjë siguri kuptimplotë." Admirali Munsch shtoi se kështu qeveritë dëmtojnë në mënyrë të panevojshme emrin e tyre si partnerë të besueshëm ndërkombëtarë”, tha Admirali Munsch.

Qeveria e Kosovës kohët e fundit është kritikuar vazhdimisht nga diplomacia perëndimore për veprime të njëanshme në veri të Kosovës. Qeveria pa koordinim ndërkombëtar, mbylli strukturat paralele serbe në veri, mbylli Postën e Serbisë, ndaloi përdorimin e dinarit  dhe kishte synim edhe hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Ura të mos hapet në këtë kohë

Lidhur me hapjen e urës mbi Ibër, Admirali Munsch, tha se "politika e NATO-s për urën mbi lumin Ibër është që të mos hapet në këtë kohë dhe çështja të trajtohet në dialogun Kosovë-Serbi. 

"Është një çështje politike në këtë pikë, jo një çështje ushtarake. Dhe arsyeja pse nuk do të jetë e hapur tani është për shkak të gjasave se mund të shkaktojë rrezik për mjedisin e sigurt dhe lirinë e lëvizjes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, tha Munsch. Në takimin e Admiralit me presidenten Vjosa Osmani, kjo e fundit tha se "institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të punojnë së bashku me NATO-n në mbrojtjen e vendit dhe paqes, por në të njëjtën kohë në mbrojtjen e sovranitetit, integritetit tonë territorial, pavarësisë si dhe parimeve të sundimit të ligjit”.

Reagimi i Kurtit pas takimeve

Kryeministri Albin Kurti nga ana e tij, pas takimit me Kasanof, në një komunikatë për medie "theksoi  domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila i kontribuon qytetarëve të dy vendeve”.

Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri Kurti trajtoi mundësitë e bashkëpunimit edhe me emisarin e ri Alexander Kasanof si dhe partnerët  evropianë pas zgjedhjeve të mbajtura dhe komisionerëve të rinj.

"Përgjatë takimit u trajtua dhe dialogu me Serbinë, ku kryeministri shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit Kurti.

Admirali i NATO-s, Stuart B. Munsch takohet me Vjosa Osmanin, ulur në karrige, në mes tavolina
Takim i admiralit të NATO-s, Munsch me presidenten OsmaniFotografi: Office of the Kosovo Presidency

Diplomacia perëndimore vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të gjitha ҫështjet e hapura t'i zgjidhë në dialog me Serbinë dhe këtë mesazh po  e përcjell vazhdimisht edhe organizata më e fuqishme ushtarake perëndimore NATO. Komandanti i deritashëm i trupave të NATO-os në Kosovë,  gjeneralmajor, Ozkan Ulutash, para largimit tha se “KFOR-i përkrah plotësisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si platformën e vetme për zgjidhje të të gjitha mospajtimeve mes dy palëve”. NATO-ja e ka shtuar trupat e saja në Kosovë gjatë vitit 2023 dhe 2024, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës të banuar me me shumicë serbe. Aktualisht KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë.