1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelari Olaf Scholz udhëton në Paris

Luisa von Richthofen
9 Dhjetor 2021

Si e shohin kancelarin e ri në Francë? Dhe pse një vizitë në brigjet e Senës është më shumë se thjesht mirësjellje?

https://p.dw.com/p/440ob
BM Scholz trifft Emmanuel Macron in Paris
Fotografi: Hans Lucas/picture alliance

Kur prezantuesi e pyeti Olaf Scholzin, gjatë një debati televiziv se ku do të zhvillohej udhëtimi i tij i parë zyrtar si kancelar, ai nuk dyshoi për asnjë sekondë: "Në Paris”. Tani do të ndodhë me të vërtetë: Olaf Scholz-i, kancelari i ri gjerman, do të shkojë në ditën e tretë të mandatit te partneri kryesor evropian i Republikës Federale. Në shtetin fqinj. Në Francë.

Por kjo nuk është hera e parë që Olaf Scholz-i viziton Pallatin Élysée.Ai mbahet mend ende mirë atje si zëvendëskancelar dhe ministër i Financave i Angela Merkelit dhe si partner i homologut të tij francez Bruno Le Maire. Të dy nxitën krijimin e Fondit të Rindërtimit të BE-së për pandeminë COVID. "Tek ne, Scholz-i është mbi të gjitha sinonim i vazhdimësisë dhe parashikueshmërisë”, shpjegon Christophe Arend, deputet i partisë në pushtet (LREM).

Në Francë e lexojnë me kënaqësi programin e koalicionit qeveritar. Edhe nga ana përmbajtësore janë të prirur për mirë ndaj Olaf Scholz. "Mendoj se Parisi do ta ketë lexuar me shumë kënaqësi marrëveshjen e koalicionit, veçanërisht atë që i kushtohet Evropës dhe politikës së jashtme dhe të sigurisë”, thotë Ronja Kempin në një intervistë për DW. Kryesisht sepse qeveria e re gjermane dëshiron të ndërtojë një "Evropë strategjikisht autonome". Me fjalë të tjera, një Evropë të aftë për të vepruar unanimisht në çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Kjo është një kërkesë e vjetër e presidentit francez Emmanuel Macron, e cila deri tani ka hasur në ngurrim nga Berlini.

Në përgjithësi, marrëveshja e koalicionit është në shumë pika një përgjigje e vonuar ndaj dorës së shtrirë të Macronit ndaj Gjermanisë, shpjegon Paul Maurice i IFRI. Sepse për vite me radhë, Franca ishte mjaft e zhgënjyer nga Gjermania e Merkelit. Në shtator 2017, Presidenti Macron prezantoi një plan ambicioz për të ardhmen e Evropës në fjalimin e tij në Sorbonë. "Evropa që ne njohim është shumë e dobët, shumë e ngadaltë, shumë joefikase, por vetëm Evropa na jep hapësirë për manovrim në këtë botë gjatë sfidave të mëdha”. Zgjidhja e propozuar nga Macron: më shumë Evropë.

Shpresa e tij: që Gjermania do të ngrihet, do t'i bashkohet Francës dhe do të ndërtojë një të ardhme të përbashkët evropiane. Por përgjigja nuk erdhi. Kryesisht sepse Gjermania nuk donte të bënte një hap shumë largvajtës drejt integrimit evropian.

06.09.2021
06.09.2021Fotografi: Thomas Imo/photothek.net/picture alliance

Thyerja e tabusë së "integrimit të diferencuar"

"Me qeverinë e re federale, do të jetë e mundur të gjesh gjuhën e përbashkët më shpejt se më parë për çështjet e politikës evropiane," thotë Ronja Kempin. Programi i koalicionit qeveritar paraqet në shtatë faqe ndonjëherë kërkesa radikale dhe projekte investimi për të gjithë Evropën. Nuk mund të përfytyrohet që kjo të mbështetet në këtë mënyrë nga fqinjët evropianë, veçanërisht nëse merret parasysh Polonia ose Hungaria. Në teori, këto shtete mund të bllokojnë reformat.

Por koalicioni pohon gjithashtu se prandaj dëshiron të presë më rrallë për ata që frenojnë: "Ne përsëri do t'i japim përparësi metodës së Komunitetit, por do të ecim përpara me shtetet e veçanta individuale aty ku është e nevojshme", mund të lexohet në marrëveshje.

"Nuk ishte në ADN-në politike të qeverisë së mëparshme," thotë Kempin, "madje që ta konsideronin "integrimin e diferencuar" - thuhej gjithmonë se 27 shtetet anëtare duhej të ecnin përpara me të njëjtin ritëm". Tani e tutje, do të jenë të mundshme grupe më të vogla të vullnetshmish. Është pikërisht kjo risi që pritej në Francë.

Marrëveshja e koalicionit përfundimisht i kushton gjithashtu një rëndësi të madhe marrëdhënieve gjermano-franceze. "Në faqen 136 përmendet Asambleja Parlamentare Gjermano-Franceze”, shprehet me gëzim Christophe Arend, i cili ndodhet në bordin drejtues të kësaj organizate. "Kjo është një shenjë e fortë se qeveria e ardhshme gjermane e merr shumë seriozisht këtë asamble, se ne mund të kapërcejmë pengesat edhe përmes niveleve të tjera të bashkëpunimit".

Deutschland neue Bundesregierung
Fotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Çdo martesë ka pikat e saj të mosmarrëveshjes

Megjithatë, pikat e mosmarrëveshjeve në dukje të pazgjidhshme mbeten. Çështja e mprehtë e energjisë bërthamore, për shembull. Asgjë nuk ndryshon në planet gjermane për fundin e energjisë bërthamore. Koalicioni i ri gjerman i ka vendosur vetes synimin të prodhojë 80% të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë deri në vitin 2030. Në të njëjtën kohë, ai ruan braktisjen e energjisë bërthamore. Në Francë, besohet se qëllimet klimatike mund të arrihen vetëm me energji bërthamore më të mirë moderne.

Parisi e sheh me skepticizëm, nëse jo me frikë, ministrin e ri të Financave, Christian Lindner, një mbështetës të një politike të rreptë buxhetore. Me ardhjen e kreut të FDP-së, reforma e Paktit Evropian të Stabilitetit drejt më shumë fleksibilitetit për sa i përket borxhit publik është edhe më e paarritshme. Edhe këtu, Franca dhe shtetet e Evropës Jugore janë në njërën anë, Gjermania dhe të ashtuquajturit "katër kursimtarët" (Austri, Holandë, Suedi dhe Danimarkë)në kundërshtim të plotë.

Por këto janë grindje të së ardhmes. Para së gjithash, Franca do të marrë presidencën e Këshillit të BE më 1 janar 2022 për gjashtë muaj. Dhe në prill, Franca do të mbajë zgjedhje, rezultati i të cilave nuk dihet ende. Prandaj ka një dritare të vogël prej tre muajsh, gjatë së cilës Franca dhe Gjermania mund të nisin projekte të mëdha evropiane. Edhe për këtë arsye udhëtimi i Olaf Scholz-it në Paris është më shumë se një vizitë mirësjelljeje në brigjet e Senës. Koha për një Evropë të re nuk pret.