Kurz kundër përjashtimit të medieve kritike në Austri
26 Shtator 2018Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York u ndie i detyruar të bëjë një sqarim: "Çdo kufizim i lirisë së shtypit është i papranueshëm", deklaroi ai në New York.
Me këtë Kurz reagoi ndaj një letre të ministrisë së drejtuar nga partia populiste FPÖ, e cila i pati rekomanduar policisë që ta kufizojë në minimum bashkëpunimin me disa gazeta. Agjencia austriake e lajmeve APA bën të ditur se policisë i është kërkuar ta kufizojë komunikimin në masën e parashikuar nga ligji me gazetat "Kurier" dhe "Standard" si dhe me gazetën e majtë javore "Falter". Veç kësaj, në shkresë rekomandohet që në rastin e krimeve dhe këtu veçanërisht të krimeve seksuale të përmendet në mënyrë konsekuente origjina e dorasve. Kancelari austriak theksoi përgjegjësinë e institucioneve qeveritare dhe të institucioneve publike për një gazetari të lirë dhe të pavarur. Ai dënoi çdo kufizim të lirisë së shtypit.
Propozime, jo udhëzime?
Ministria që drejtohet nga ministri i Brendshëm Herbert Kickl (FPÖ) e hodhi poshtë kritikën. U tha se shkresa përmban thjesht "propozime dhe komente pa kurrfarë natyre të detyrueshme ose udhëzuese" dhe nuk është aspak iniciativë e ministrit Kickl. Por "dyshimi se medie të caktuara janë të njëanshme" nuk është "shpikur aspak nga mendja", tha një zëdhënës i Ministrisë.
Opozita e dënoi letrën si "dekret për t'u vënë gojëz medieve të pavarura". Ajo u ankua edhe për përpjekje për "Orbanizimin" e vendit, duke pasur parasysh kufizimin e lirisë së shtypit nga kryeministri i Hungarisë Viktor Orban.