1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010811 Faultiere Lebensweise

4 Gusht 2011

Ka kafshë, karakteristikat e të cilave i dallon që nga emri: p.sh. qeni i stanit ndihmon bariun të ruajë delet, gjarpri me zile tringëllin.Po parazitët, që në gjermanisht njihen me emrin "Faultiere", janë të tillë.

https://p.dw.com/p/12B85
Kafshë parazite
Kafshë paraziteFotografi: Fotolia/photographee2000

«Ne jemi në një shtëpi majmunësh, ose siç i thonë ndryshe ekuatorium, meqënëse këtu nuk kemi vetëm majmunë, por edhe kafshë të tjera që jetojnë në zonën ekuatoriale. E këtu kemi një çift parazitësh, të cilëve do t'u bëjmë një vizitë.»

Inspektori i kopshtit zoologjik, Jan Swatek është tani në kërkim të dy prej parazitëve, që jetojnë në kopshtin zoologjik të Duisburgut. Ata quhen Mats dhe Frederike. Në tavanin e ekuatoriumit varen lloj-lloj litarësh. Por Matsi dhe Frederike sot me sa duket nuk kanë qejf të varen. Ata janë shtrirë në kafazin e madh të majmunëve. Matsi është strukur në një cep dhe nuk lëviz nga vendi. Kurse Frederike:

«Nuk i themi ne kot kafshë parazite: ai përshëndeti me një gogësimë të madhe dhe sërish i kthehet dremitjes.»

Parazitët jetojnë nëpër pyjet tropikale të Amerikës Jugore dhe Qendrore. Ata e kalojnë gjithë jetën e tyre në kurorat e pemëve, duke u varur kokëposhtë nëpër degë, ose duke u fërkuar ndër biga.

«Nuk mund të thuhet me saktësi se sa orë në ditë fle një parazit. Ata kanë edhe faza aktive në mes. Por mund të thuhet se këta janë gjitarët që i kursejnë më shumë energjitë, në çdo pikëpamje.»

Këto kafshë me gëzof kanë dy përparësi ekologjike: ato rrinë në pjesën e poshtme të degëve dhe janë shumë të ngadalta. Atyre u mjaftojnë ushqimet me pak kalori, pra gjethet dhe frutat, të cilat u rriten, si me thënë, direkt e në gojë. Matsi madje para disa vitesh ka hyrë në histori, sepse me ngadalësinë e tij të jashtëzakonshme as studiuesve nuk u hynte në punë:

«Matsi erdhi tek ne nga universiteti i Jenas. Aty do të studioheshin lëvizjet e parazitëve. Por ai nuk lëvizte ashtu siç e kishin përfytyruar shkencëtarët. Prandaj ata e sollën tek ne, e meqë ne kishim Frederiken si të vetmen femër këtu, i ofruam edhe Matsit një strehë të re.»

Matsi ishte aq dembel sa nuk u interesoi as shkencëtarëve
Matsi ishte aq dembel sa nuk u interesoi as shkencëtarëveFotografi: picture alliance/dpa

Biologët e universitetit të Jenas nuk mbetën pa hulumtuar. Ata studiuan lëvizjet e Juliusit, Evitës e Lisës, që ishin më të shkathët se Matsi. Objekti i hulumtimit ishte se si është përshtatur trupi i parazitëve me të ndenjurit varur. Nga njëra anë, kthetrat e tyre janë si kanxha të mëdha në formë drapri, me të cilat ato varen në degë si të ishin kremastar rrobash. Nga ana tjetër, sistemi muskulor i tyre është përshtatur për jetën kokëposhtë, thotë biologu John Nyakatura nga Universiteti i Jenas.

«Muskuli i kraharorit të njeriut fillon nga dërrasa e gjoksit e deri tek llëra. Tek parazitët është ndryshe: muskuli aty shkon deri tek kyçi i dorës. Kësisoj krahu i tyre rri i tendosur si në lak. Ata nuk kanë nevojë për forcë shtesë për t'u mbajtur tek dega nga ky pozicion kokëposhtë."

Edhe nga ky pozicion parazitët i lëvizin kyçet dhe kockat e tyre pa problem, sikur të ishin duke ecur nëpër degë. John Nyakatura thotë se është njësoj si tek gjitarët e tjerë, vetëm se me kokëposhtë. Por kjo mënyrë të jetuari me kaq pak energji, ka edhe të këqijat e veta. Ata nuk mund të kacavirren më shpejt, madje as kur e ndjejnë veten në rrezik. Për shembull, kur dega thyet, paraziti bie bashkë me të.

«Prandaj gjithmonë i kontrollojnë degët përpara se të varen në to. Në eksperimentet tona kemi parë se ata e testojnë me hundë se a mund t'i zënë besë degës ku do të varen. Po nuk u siguruan më parë për këtë, ata nuk e prekin.»

Në pyjet e shiut, në Amerikën e Jugut parazitët duhet të mbrohen edhe nga shpendët dhe kafshët grabitqare. Por me ngadalësinë e tyre ata nuk janë në gjendje të arratisen, thotë Jan Swatek:

«Megjithatë, një parazit nuk jepet pa luftuar. Ata janë në gjendje të godasin me shpejtësinë e rrufesë me kthetrat e tyre të gjata, por maceve grabitqare sigurisht që nuk ua dalin dot. Prandaj edhe strategjia e tyre është të mos bien në sy, e gjithçka ta bëjnë shtruar dhe me kujdes.»

Kjo mënyrë e qetë të jetuari ka lënë gjurmë edhe në natyrën e parazitëve. Ata nuk e prishin terezinë aq lehtë:

«Ata as nuk gudulisen. Për t'i provokuar, mund t'u përkëdhelësh gëzofin, sepse nuk u pëlqen. Por Matsin as kjo nuk e tund nga vendi.»

Këto krijesa shumë kursimtare me energjitë e tyre, që thjesht nuk duan të bien në sy, u kanë lënë njerëzve përshtypjen sikur ato janë kafshë përtace.

«Unë mendoj se ky emër «kafshë përtace» nuk është pa gjë. Ne kemi një gjysmë ore që po rrimë para kafazit dhe ata nuk kanë lëvizur fare nga vendi. E kanë merituar këtë emër», thotë një vizitor i kopshtit zoologjik. Por në fakt parazitët nuk janë përtacë, ata janë tepër të kujdesshëm!


Autor: Brigitte Osterath/ Anila Shuka

Redaktoi: Auron Dodi