1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ka të ardhme "ari i zi"?

Dagmar Vitek26 Shtator 2005

Në Kongresin e 18-të botëror të naftës, menaxherë dhe politikanë të mbledhur në Afrikën e Jugut, konsultohen mbi të ardhmen e burimeve të naftës dhe gazit.

https://p.dw.com/p/ArNw
Platformë nafte në det
Platformë nafte në detFotografi: AP

Çmimet e naftës do të vazhdojnë të mbeten të larta, sepse siç deklaroi presidenti i Këshillit Botëror të Naftës, Eivald Roren: "Ditët, kur ne kemi paguar 18 apo 20 dollarë për barrel naftë, nuk do të kthehen më. Ne kemi arritur një nivel të ri çmimesh dhe me të, do të na duhet të ambientohemi në të ardhmen. Natyrisht, do të ketë luhatje të çmimeve, por na duhet të ambientohemi me nivelin e lartë të çmimit."

Tregu përcakton çmimin

Tek e fundit tregu përcakton çmimin, theksoi Roren. Nisur nga fakti që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka llogaritur, që mosndryshimi i politikës së energjisë gjatë 15 viteve të ardhëshme do ta rrisë në 70 për qind kërkesën për naftë dhe gaz, çmimet do të rriten. Kjo tendencë mund të ndryshojë vetëm nëse shtetet dhe koncernet naftëxjerrëse do të investojnë masivisht për teknologjitë e reja, për rritjen e kapaciteteve të rafinerive të tyre. Në një rast të tillë ndoshta mund të ruhen çmimet aktualë të naftës.

Roren: "Problemi janë rafineritë. Ka mjaft naftë dhe ne mund të depozitojmë naftë me bollëk. Por vështirësia qëndron tek mungesa e kapaciteteve të rafinerive."

Nuk ka mungesë gazi dhe nafte në tokë, por për të shuar etjen e botës për këto dy lëndë të para, janë të nevojshme investime të mëdha për teknologjitë moderne, thotë shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Një studim i llogarit rezervat e naftës rreth shtatë deri në tetë bilionë barrel. Burime të reja, ndonëse me disa rezerva ekologjike, mund të hapen në Arktik dhe në thellësinë detare deri në 4.000 metra. Gjithashtu të gjitha fushat naftëmbajtëse deri më sot janë shfrytëzuar vetëm në rreth 30%. Por teknikat e reja duhet të marrin parasysh problemin e dioksidit të karbonit.

Çdo të ndodhë pas 2030?

Deri në vitin 2030, Këshilli Botëror i Naftës dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë nuk parashikojnë vështirësi furnizimi, çështja është, se çfarë do të ndodhë pas vitit 2030? Dy të tretat e rezervave të njohura, por të pashfrytëzuara të naftës ndodhen në Lindjen e afërt dhe të mesme, kryesisht në trikëndëshin Arabi-Iran-Irak. Por për shkak të luftës dhe luftrave politike për pushtet këto janë burime të pasigurta. E qartë, gjë që nuk është e re, është se duhet kërkuar për burime të reja dhe alternativë të energjisë, pasi edhe një politikë radikale kursimesh për energjinë do të mund ta ulte vetëm me 10 për qindhopin e kërkesës gjatë viteve të ardhëshme. Megjithatë, Presidenti i Këshillit Botëror të Naftës të ardhmen për furnizimin mbarëbotëror me energji, vazhdon ta shohë tek nafta dhe gazi.

Roren: "Më shumë se 60% të energjisë sonë ne e marrim prej naftës dhe gazit, e kjo do të vazhdojë të mbetet kështu edhe për shumë vjet. Por edhe nafta dhe gazi janë burime të shterrueshme, ndaj edhe pse nuk mund të them që ndodhemi në një fazë tranzicioni për disa dhjetëvjeçarë për zhvillimin e alernativave të reja, një gjë është e qartë: edhe për shumë vjet ne do t´i përmbahemi naftës dhe gazit si dy burimet kryesore të energjisë."