Këshilli i Sigurimit i dha dritën jeshile fillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës
25 Tetor 2005Zyrtarë të institucioneve qendrore të Kosovës, e kanë vlerësuar vendimin e KS-it, i cili i hap rrugën bisedimeve për përcaktimin e të ardhmes së Kosovës, ndërsa ata e kanë cilësuar një vendim historik, për popullin e Kosovës. Vendimi sipas tyre hap rrugën e perspektivës për vendin drejt një të ardhmeje paqësore. Zëdhënësi i presidencës së Kosovës, Muhamet Hamiti, thotë se, tash do të kërkohet shumë punë dhe mend për t'u realizuar pavarësia e cila në fakt sipas tij është e paevitueme.
Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, në reagimin e tij, angazhohet poashtu për pavarësinë Kosovës zgjidhje kjo e cila sipas tij, do të jetë shembull i bashkëjetësës dhe respektimit të vlerave njerëzore. Deklaratën e kryeministrit, Bajram Kosumi, e lexoi drejtori i shërbimit për informim në qeveri, Sylë Ukshini.
"Vlerësoj se ky vendim i rëndësishëm dhe historik për popullin e Kosovës do të hap rrugën e perspektivës për Kosovën drejt një të ardhmeje paqësore. Një Kosovë e pavarur do të jetë shembull i demokracisë qytetare, i bashkëjetesës dhe respektimit të vlerave njerëzore. Ajo do të ndihmojë në krijimin e një qëndrueshmërie në rajon dhe në zhvillimin e përgjithshëm në Kosovë. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës duan dhe do të marrin mbi vete të gjitha përgjegjësitë për ndërtimin e shtetit të ri demokratik të Kosovës ku do të jenë të garantuara të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht nga përkatësia etnike, gjuhësore, fetare".
Delegacioni negociator i Kosovës për bisedimet për statusin, ndërkaq, është duke vazhduar punën në hartimin e strategjisë për bisedime. Mirëpo, prezantimi i platformës do të bëhet pasi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan të emërojë përfaqësuesin e tij për bisedime që sipas njoftimeve ende të pakonfirmurara do të jetë ish kryeministri finlandez, Marti Ahtisari. Grupi negociator i Kosovës thuhet se do të takohet për të dytën herë gjatë kësaj jave.