Jung: Zgjidhja më e mirë për Kosovën ajo që përcakton KS
4 Maj 2007Ministri gjerman i mbrojtjes, Franc Jozef Jung, tha se zgjidhja më e mirë për Kosovën është ajo që përcaktohet në KS-it. Ndërsa shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës për momentan, sipas tij, nuk është e pranueshme. Ai tha se plani i ndërmjetësit ndërkombëtar Marti Ahtisari, tash për tash e ka mbështetjen e aleancës veriatlantike dhe BE-së. Në këtë linjë ministri gjerman i mbrojtjes, shpreson që shumë shpejtë do të gjendet zgjidhja për Kosovën.
„NATO-ja dhe BE-ja e përkrahin fuqishëm planin e ndërmjetësit ndërkombëtar Marti Ahtisari. Ekipi faktmbledhës i KS-it ishte në Kosovë dhe është njoftuar me gjendjen në teren. Bisedimet për çështjen e Kosovës po vazhdojnë. Në këtë linjë ishte edhe takimi i grupit të kontaktit në Londër dhe ne shpresojmë se do të arrihet një zgjidhje e mirë për statusin që është shumë i rëndësishëm për Kosovën„, tha Franz Jozef Jung.
Natyrisht ne po mundohemi që sa më shumë të ruajmë një gjendje të qetë dhe stabile në Kosovë dhe presim me padurim rezultatin për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Me këtë rast ministri gjerman apelo tek të gjithë qytetarët e Kosovës, që të kenë durim dhe të presin një zgjidhje nga bisedimet që po vazhdojnë. Jung tha se „është mirë i njoftuar për kundërshtimin që federata ruse i bënë planit të Marti Ahtisarit.“ Mirëpo, pari Rusia është anëtare e Grupit të Kontaktit, ministri ai shpreson se do të arrihet konsensusi i plotë.
Ministri gjerman i mbrojtjes mbrëmë qëndroi në Prizren në vizitë trupave gjermane të dislokuara në jug të Kosovës. Në Kosovë, në kuadër të trupave paqëruajtëse, veprojnë rreth 2000 ushtarë gjerman. Ministri Franc Jozef Jung, gjatë ditës së sotme do të qëndrojë edhe në Prishtinë ku do të takojë krerët ndërkombëtar ata civil dhe ushtarak dhe udhëheqësit politik kosovar shqiptar dhe serb.