1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Juncker: Rreziku i Brexitit pa marrëveshje 'shumë real'

18 Shtator 2019

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker njoftoi gjatë një debati në Parlamentin Evropian të mërkurën se rreziku i një Brexiti pa marrëveshje është ende "shumë real".

https://p.dw.com/p/3PnRO
Frankreich Jean-Claude Juncker im EU-Parlament
Fotografi: AFP/F. Florin

"Koha po mbaron," tha ai në debatin plenar mbi temën e të ashtuquajturës marrëveshje divorci të Mbretërisë së Bashkuar me Bashkimin Evropian.

Junckeri u takua me kryeministrin Boris Johnson në Luksemburg të hënën, hera e parë që të dy patën një takim formal që kur Johson u bë kryeministër në korrik.

Johnsoni mbetet optimist se Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga BE me marrëveshje, por ai ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se Brexiti do të ndodhë në këtë datë edhe pa marrëveshje dhe pavarësisht që një ligj britanik i kërkon atij të bëjë një shtyrje të afatit të Brexitit, po të mos jetë rënë dakord për një marrëveshje.

Juncker gjithashtu i tha parlamentit, "një Brexit pa marrëveshje mund të jetë zgjedhja e Mbretërisë së Bashkuar, por ajo kurrë nuk do të jetë e jona".

Kjo ndodhi në një njëjtën ditë, kur kreu i Federatës së Industrive Gjermane, Joachim Lang, bëri të ditur se zgjatja e afatit të daljes së Britanisë së Madhe nga BE do t'u shkaktonte bizneseve gjermane "shpenzime të panevojshme".

"Asnjë lidhje emocionale" me klauzolën për Irlandën

Pika kryesore e mosmarrëveshjes në negociata mbetet e ashtuquajtura klauzolë irlandeze. Johnsoni e ka refuzuar zgjidhjen, e cila u propozua për herë të parë në marrëveshjen e ndërmjetësuar me ish-kryeministren Theresa May, por negociatorët e BE thonë se ai ende nuk ka ofruar një zgjidhje të zbatueshme si zëvendësim.

Klauzola e Irlandës, e njohur si backstop është përshkruar si një rrjet sigurie për të shmangur një kufi me kontrolle të forta midis Irlandës, e cila do të mbetet anëtare e BE-së, dhe Irlandës së Veriut, e cila do të largohet nga blloku me pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar.

"Unë i thashë kryeministrit Johnson se nuk kam asnjë lidhje emocionale me klauzolën backstop," i tha Junckeri Parlamentit Evropian. "Por e sqarova se kam një lidhje intime me angazhimet e tij. Unë i kam kërkuar kryeministrit të paraqesë, me shkrim, alternativa."

Jean-Claude Juncker dhe Boris Johnson  në Luksemburg
Jean-Claude Juncker dhe Boris Johnson në LuksemburgFotografi: picture-alliance/AP Photo/F. Seco

Kryenegociatori i BE për Brexitin, Michel Barnier, tha se "ne kemi nevojë për zgjidhje legale të zbatueshme. Nuk është e mjaftueshme të shpjegosh pse duhet hequr klauzola e Irlandës."

Lideri i Partisë Brexit dhe mbështetësi i shquar i Brexitit, Nigel Farage tha gjatë debatit që Barnier "po na mban të bllokuar brenda, ky ishte objektivi i Barnier që nga fillimi".

Gjatë debatit të së mërkurës, dolën në pah zhgënjime te eurodeputetët, të cilët thonë se po lodhen duke pritur propozime konkrete nga Westminster-i.

Deputeti gjerman Manfred Weber, drejtuesi i Grupit Parlamentar të qendrës së djathtë EPP në Parlamentin Evropian, e përshkroi Brexitin si "budallallëk" dhe shprehu pakënaqësinë e tij për mbylljen aktuale të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.

"Brexitasit pretenduan se Westminsteri do të rifitonte kontrollin, por tani ata e mbyllën atë," tha ai gjatë debatit.

Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar do të vendosë në ditët në vijim nëse vendimi i Johnsonit për të mbyllur përkohësisht parlamentin ishte i paligjshëm.

Pas debatit të së mërkurës, Parlamenti Evropian ka vendosur të miratojë një rezolutë, e cila të përshkruajë shqetësimet e Parlamentit në lidhje me daljen e afërt të Mbretërisë së Bashkuar nga BE, e planifikuar aktualisht për në 31 tetor.

ed/sms (Reuters, AFP)