1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo fort i përshtatshëm patosi për lirinë - Fjalimi i Bushit në Budapest

Miodrag Soriç22 Qershor 2006

Xhon F. Kenedi, Xhimi Karter apo Ronald Regan: të gjithë këta presidentë amerikanë kanë mbajtur dikur në Evropë fjalime parimore mbi temën e lirisë. Në radhë të parë ata apelonin ndaj sunduesve sovjetikë për t´i lënë të lirë kombet në Evropën Lindore. Ata kërkonin të drejtën e vëtëvendosjes së popujve. Ata e kishin të sigurt mbështetjen në botën e lirë për këtë. Po ashtu edhe duartrokitjet në atdheun amerikan. Të enjten (22.06) Xhorxh Bushi u përpoq të ecë në gjurmët e kësaj tradite. Por kjo nuk i shkoi fort mbarë.

https://p.dw.com/p/Aqd9
Xhoxh Bush duke mbajtur fjalim në Budapest
Xhoxh Bush duke mbajtur fjalim në BudapestFotografi: AP

Ndryshimi më i rëndësishëm me kohën e Reganit dhe parardhësve të tij sot është, se Bashkimi Sovjetik, vendi i cilësuar si "perandoria e së keqes", nuk ekziston më. Pavarësisht se kushdo me të drejtë kritikon qeverinë e Kremlinit për shkelje të të drejtave të njeriut është fakt që Rusia ndodhet në rrugën e demokracisë, kurrësesi në atë të diktaturës. Nga ana tjetër apelet për lirinë kanë efekt dhe dëgjohen më shumë, kur oratori i referohet së tashmes.

Presidenti amerikan në të kundërt në fjalimin e tij në Budapest kujtoi kryengritjen e Hungarisë në vitin 1956. Lidhjen me të sotmen Bushi u përpoq ta realizojë duke iu referuar Irakut. Lajtmotivi: irakianët sot po bëjnë të njëjtën gjë si edhe hungarezët në vitin 1956, që luftuan për lirinë. Por një krahasim i tillë s´qëndron, ashtu si edhe shumë krahasime të tjera historike: Pa menduar fare këtu, se ç´mund të ndodhte, nëse irakianët vërtetë do të mund të vendosnin, nëse i mirëpresin ose jo trupat amerikane. Në botën arabe janë të shumtë ata që e konsiderojnë dislokimin e ushtarëve amerikanë në Irak me të njëjtë me pushtimin e Afganistanit nga trupat sovjetike në vitin 1979. Bushi me të drejtë do t´i hedhë poshtë të tilla paralele, sepse pa trupat e ShBA Iraku rrezikonte të zhytej në një luftë civile. E megjithëse është kështu, në fjalimin e Budapestit, Bushi nuk ia arriti që t´i paraqesë trupat amerikane si çlirimatre.

Kjo s´kish të bënte vetëm me fjalimin, që iu referuara pamjeve të njohura bardh e zi. Kjo në radhë të parë ka të bëjë me politikën e ShBA dhe përfaqësuesit më të lartë të saj. Ai që si Bushi pretendon të luajë rolin drejtues për lirinë dhe rrespektimin e të drejtave të njeriut, të paktën duhet të jetë bindës. Amerikanët nuk janë më bindës në atë masë që kanë qenë në vitin 1956. Shumë shpesh kohët e fundit ushtarët amerikanë kanë shkelur të drejtat e njeriut, kanë vrarë dhe kanë keqtrajtuar persona civilë. Nuk mund t´i quash të dyja të mira: rrespektimin e të drejtave të njeriut dhe kampin e Guantanamos. Nuk mund të kërkosh garanci për drejtësinë dhe këtë t´ua privosh të burgosuve të tu. 11 shtatori 2001 s´mund të shërbejë pafund si shfajësim për atë që e drejta ndërkombëtare vlen për të gjitha kombet, por jo për superfuqinë ShBA.

Nëse duhet vlerësuar dikush në Budapest, atëherë i pari është presidenti hungarez Laszlo Solyom. Ai i shkruajti Bushit në librin e kujtimeve: Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar mund të jetë e suksesshme vetëm nëse në çdo hap rrespektohen rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut. Ai ka të drejtë.