1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo armëve kimike të Sirisë në Shqipëri

Pandeli Pani15 Nëntor 2013

SHBA thanë pas fjalimit të Ramës se e respektojnë vendimin e Shqipërisë që shkatërrimi i arsenalit të armëve kimike të Sirisë të mos bëhet në territorin e saj.

https://p.dw.com/p/1AIZz
Fotografi: Andi Agaraj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i dha fund ankthit të mijëra shqiptarëve, të cilët po protestonin prej tri ditësh për t'u thënë "Jo armëve kimike të Sirisë në Shqipëri". Në një konferencë për shtyp, kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria nuk do të përfshihet në operacionin e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë.

Ndërsa pritej që qeveria shqiptare të bënte publike vendimin e saj protestat e qytetarëve arritën kulmin mëngjesin e sotëm, në Tiranë dhe në shumë qytete të vendit. Protestuesve që kishin qëndruar në bulevardin para Kryeministrisë gjatë gjithë natës, iu bashkuan në mëngjes grupe qytetarësh, studentësh, nxënësish dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit, të cilët protestuan kundër shkatërrimit të arsenalit të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar. Shumica e qytetarëve u organizuan përmes rrjeteve sociale, si "Facebook" e "Twitter".

Tirana Protest Chemiewaffen
Fotografi: DW/A. Muka

Spargatë mes besnikërisë dhe shqetësimit

Në fjalën me të cilën ju drejtua kryeministri Rama qytetarëve vihej re spargata mes besnikërisë politike ndaj SHBA-ve dhe shqetësimit në rritje të popullsisë shqiptare dhe protestave të saj kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë. Rama vuri në dukje meritat e SHBA-së për shqiptarët dhe tha se deri tani kishte qenë fjala vetëm për një kërkesë të përgjithshëm të SHBA-së për të cilën fillimisht ishte shprehur në parim jo kundër.

Rama tha se ai do që Shqipëria të jetë një partnere e besueshëme e NATO-s në krah të SHBA-së, por se Shqipëria nuk ka as teknologjinë për shkatërrimin e armëve kimike dhe as mundësi transporti për këto armë, dhe se për këtë arsye duhet të përgjigjet negativisht kërkesës.

Edi Rama
Edi RamaFotografi: dapd

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë pas fjalimit të Ramës se e respektojnë vendimin e Shqipërisë që shkatërrimi i arsenalit të armëve kimike të Sirisë të mos bëhet në territorin e saj. "Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët, si dhe me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike dhe Kombet e Bashkuara për të siguruar eliminimin e armëve kimike të Sirisë," thuhej në një deklaratë të ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Në deklaratë theksohej se "ne besojmë se eliminimi i armëve kimike siriane do të përfundojë brenda afatit për të cilin është rënë dakord."

Mungesë besueshmërie

Sidomos pas tragjedisë së Gërdecit apo diskutimeve për depozitimin e mbeturinave dhe të plehërave në Shqipëri, bëri që çështja e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë të shkaktonte diskutime dhe emocione jo vetëm në radhët e ushtarakëve dhe të specialistëve. Ish-kryeministri Sali Berisha i kishte vënë vetes qëllim që ta bënte Shqipërinë qendër për trajtimin e mbeturinave dhe të plehërave, sidomos nga Italia. Dhe kjo në një kohë që vetë Shqipëria mezi përballon problemin e plehërave dhe mbeturinave të veta. Edi Rama i ka kritikuar gjithmonë këto importe dhe menjëherë pas marrjes së detyrës e shfuqizoi ligjin e paraardhësit të tij për plehërat. Në rast se Rama do t'i thoshte po importimit të armëve kimike siriane, kundërshtarët e tij do ta interpretonin pa dyshim këtë si dëshmi për mungesë besueshmërie.

Gerdec
GerdecFotografi: AP