Jean-Claude Juncker: Largimi i një evropiani
2 Dhjetor 2019"Nuk po largohem i pikëlluar, as tepër i lumtur, por me ndjenjën se jam përpjekur aq sa kam mundur", deklaroi Jean-Claude Juncker në fjalimin e tij të fundit para Parlamentit Evropian. Gjatë pesë viteve sa ishte në postin e presidentit të Komisionit të BE, ai ka përjetuar "shkëlqimin dhe hijet" e këtij posti, pranoi vet Juncker. Mbi 20 vite ka qenë ai në skenën politike të BE. Fillimisht si ministër i Financave, pastaj si kryeministër i Luksemburgut, më pas si kryesues i Eurozonës dhe në fund shef i administratës së BE. Me 65 vjet Juncker, i cili kishte edhe probleme shëndetësore, tani do të dalë në pension, të shkruaj një libër dhe të lexoj më shumë.
Migracioni
Si presidenti i Komisionit të BE, Juncker është dashur të menaxhojë shumë kriza: Greqia, kriza e Eurozonës, pasojat e krizës financiare, rritja e dobët ekonomike dhe papunësia e lartë. Ndërkohë që BE po përballet ende me pasojat e rënda të valëve të refugjatëve dhe migrantëve përmes rrugëve të Ballkanit dhe Detit Mesdhe. Junckeri ka arritur që së bashku me liderët e disa vendeve të arrijë një marrëveshje me Turqinë dhe Libinë për uljen e valëve të refugjatëve. Por kriza nuk ka përfunduar. Vendet anëtare nuk kanë arritur të merren vesh deri më sot lidhur me propozimet e Komisionit të Junckerit për reformën e sistemit të azilit dhe për shpërndarjen e refugjatëve dhe azilkërkuesve në mbarë BE. Jean-Claude Juncker ka kërkuar solidaritet mes vendeve dhe shpërndarjen e migrantëve.
"Nuk bëhet fjalë këtu vetëm për mirësi por për një partneritet mes Evropës dhe Afrikës, për zhvillimin e Afrikës, investimet atje, hapjen e vendeve të punës në Afrikë. Ky duhet të jetë motivi kryesor. Afrikën nuk mund ta shohim vetëm nga perspektiva e refugjatëve", tha Juncker para PE.
Puthjet e Junckerit
Miqtë dhe kundërshtarët e tij Jean-Claude Juncker i ka trajtuar me një sharm të theksuar. Puthjet e tij, përqafimet për presidentët, kryeministrat, kancelarët por edhe kundërshtarët janë të njohura në Bruksel. "Unë kam puthur edhe Putinin dhe Erdoganin", tha ai në një intervistë me revistën gjermane "Der Spiegel". "Kjo me siguri që nuk ka dëmtuar Evropën", nënvizoi. Humori i tij ka shkaktuar në Bruksel reagime të shumta. Ndonjëherë kapte ndonjë kryeministër për flokë dhe tërhiqte fuqishëm, tjetrin puthte në ballë, kryeministrin hungarez Orban përshëndeste shpesh me fjalët "Halo Diktator!"... Me Orbanin ai nuk kishte raporte të mira, për shkak të shkeljes së rregullave të shtetit juridik në vendin e tij. Në fushatën e fundit Orbani kishte shpërndarë në vend fotografi të shumta me portretin e Junckerit, me thënie armiqësore ndaj tij. Në fund Jean-Claude Juncker pranoi: "Në rastin e Orbanit kam hequr dorë."
Nacionionalizmi
Pushteit i Orbanit në Hungari ishte për Jean-Claude Junckerin dëshmi e një krize të madhe, e cila është thelluar gjatë mandatit të tij - ngritja e forcave nacionaliste në shumë vende të BE: Francë, Danimarkë, Poloni, Gjermani, Belgjikë, Austri, Itali.... Ai thoshte se Evropa duhet të mbrohet nga ky nacionalizëm "stupid". "E dua Evropën", nënvizoi Juncker me një bindje të thellë. Për të birin e një punëtori me metale, të detyruar të punojë për forcat naziste në kohën e Luftës së Dytë Botërore, Evropa ishte një projekt i paqës, në radhë të parë. "Arritja më e madhe e BE është ruajtja e paqës. Kjo nuk është e vetkuptueshme." Kjo duhet t'u bëhet e qartë gjithmonë të rinjve.
Trumpi
Në Uashington Jean-Claude Junckeri është angazhuar që Donald Trump të mos futë dogana ndëshkuese ndaj Evropës. "Trumpi më ka thënë në Shtëpinë e Bardhë se ai ka biseduar me të gjithë liderët vendeve të BE. Unë i thash se BE është e ngarkuar me tregtinë e jashtme. Ai duhet të flasë me mua", tha Juncker, pas një bisede jo të këndshme me Trumpin. Ai i ka dhuruar Trumpit një fotografi me varrezat e ushtarëve ameikanë në Luksemburg, që sipas tij, i ka lënë përshtypje të mëdha. "Talenti më i madh i Jean-Claude Junckerit është gjetja e kompromiseve", theksoi kreu i kristiandemokratëve në PE, Manfred Weber. Të tjerët mendojnë se Junckeri ka qenë një zgjidhje e gabuar, si shefi i populistëve të djathtë në Parlament, Marco Zanni. Junckeri ka lënë pas vete një Evropë të përçarë, shqetësime të mëdha për çështjen e refugjatëve dhe migrantëve, pasiguri të brendshme, shqetësime të mëdha për ekonominë, pohojnë deputetët e Lega-s italilane.
Brexiti
Taktika e përqafimeve e Jean-Claude Junckerit ka dështuar në rastin e Britanisë së Madhe. "Nigel Farage nuk e kam puthur kurrë", tha Juncker pas një beteje retorike për Brexitin. Nigel Farage njihet në Parlament si ithtari më i madh i daljes së Britanisë së Madhe nga BE. Ai ka pasur shpesh fjalime shumë të ashpra kundër Junckerit. "Çfarë po kërkoni këtu ende", tha Juncker. Por më vonë ata janë takuar dhe janë pëqafuar. "Unë vetëm e kam sharë në vesh", tha Juncker. Brexiti është shtyrë ndërkohë për 31 janar 2020. Por presidenti i Komisionit e quan këtë si humbjen më të madhe gjatë mandatit të tij.
Shansi i fundit?
Në fjalimin e tij në kohën e krizës së madhe në BE, Juncker tha se "Komisioni është shansi i fundit" për tejkalimin e krizave. Në aspektin ekonomik ai ka arritur shumë gjëra. Programi i tij për investime në vlerë prej 300 miliardë euro ka funksionuar. Janë hapur vende të reja pune. Bilanci për reforma nuk është tepër i mirë. Kanë mbetur probleme të mëdha me strukturat. Propozimi i Junckerit për bashkimin e Komisinoit dhe Këshillit të BE është shoqëruar nga krerët e vendeve anëtare vetëm më një buzëqeshje. Komisioni nuk arriti të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Junckeri i ka uruar pasardhëses së tij Ursula von der Leyen gjithë të mirat. "Unë nuk jap sugjerime, publikisht jo se jo. E gjitha që do të thosha tani do të ishe më shumë goditje se këshillë", tha Juncker në përfundim ta mandatit.