1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Janë pikërisht evropianët e jo së fundi gjermanët, që bllokojnë reformën e arsyeshme të FMN-së dhe Bankës Botërore"

8 Tetor 2009

Shtypi për takimin vjetor të Bankës Botërore dhe FMN-së dhe për planet e qeverisë së re greke

https://p.dw.com/p/K1rD
Logo e bankës botërore

Gazeta berlineze "Berliner Zeitung" komenton takimin vjetor të FMN-së dhe bankës Botërore. Citojmë: "Në të vërtetë G-20 vendosi që në të ardhmen vendet në prag të industrializimit të marrin më shumë vota në instancat vendimmarrëse të Bankës Botërore dhe FMN-së dhe vendet e industrializuara më pak. Kjo është konsekuente. Në fund të fundit në ekonomi pesha po zhvendoset dhe kjo shprehet edhe me faktin që në të ardhmen politika globale financiare nuk do të vendoset vetëm nga shtatë, ose tetë fuqitë më të rëndësishme ekonomike, por nga njëzet më të rëndësishmet, pikërisht nga grupi G-20. E megjithatë: ashtu si në vitet e kaluara janë pikërisht evropianët e jo së fundi gjermanët, që bllokojnë këtë reformë të arsyeshme të FMN-së dhe Bankës Botërore. Në vend që të merren me problemet e vërteta në vendet e varfëra, ata bëjnë pazar për pak ndikim vetjak. Edhe kjo është një mënyrë për të treguar se nuk kuptohen shenjat e kohës."

Ndërsa gazeta "Handelsblatt" komenton sot situatën financiare të shtetit grek dhe detyrat e qeverisë së re greke: "Mjerimi nuk është edhe aq faj i rënies ekonomike globale se sa i politikës së shfrenuar të shpenzimeve në Athinë. Nëse kjo mënyrë administrimi do të vazhdojë, vendi kërcënohet nga falimentimi i shtetit. Kjo do të ishte një katastrofë edhe për eurozonën. Socialisti Papandreu synon ta nxjerrë vendin e tij nga kriza: një program koniunkturor miliardësh duhet të rigjallërojë ekonominë e paralizuar dhe të shpëlajë paratë e taksave nga arkat bosh të shtetit. Kjo është një rrugë e rrezikshme, e cila mund ta zhysë vendin edhe më thellë në grackën e borxheve. Për më të tepër Papandreu ka premtuar shumë shërbime sociale: rroga dhe pensione më të larta në administratën publike dhe më shumë para për të papunët."

Autor: Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica