Izraeli dhe Hamasi për zgjatjen e ndalimit të luftimeve
27 Nëntor 2023Marrëveshja për ndalimin e luftimeve shikon mundësitë që ndalimi i tyre të zgjatet në këmbim të lirimit të 10 pengjeve të tjera në ditë, ka bërë të ditur, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu pas një bisede me presidentin amerikan, Joe Biden. "Kjo do të ishte për t'u përshëndetur." Netanjahu tha se ka bërë të qartë, se pas kësaj pauze luftimet do të fillojnë sërish. Pas përfundimit të marrëveshjes, Izraeli do të vazhdojë "me të gjithë fuqinë" luftën kundër Hamasit.
Edhe organizata terroriste e Hamasit synon të zgjasë ndalimin e luftimeve, sipas të dhënave të veta. Qëllimi është në këmbim të pengjeve të lirohen të burgosurit palestinezë nga burgjet izraelite, deklaroi organizata militante islamiste.
Edhe SHBA e mbështesin një zgjatje të ndalimit të luftimeve. Kështu mund të lirohen më shumë pengje dhe të ofrohen më shumë ndihma humanitare për njerëzit në nevojë në Gaza. Edhe ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna u shpreh për një hap të tillë. Do të ishte "mirë, ndihmuese, dhe e nevojshme", zgjatja e ndalimit të luftimeve, deri sa të gjitha pengjet, edhe ata francezë, të lirohen, tha ajo apër televizionin BMF.
Ndërkohë presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier në një vizitë në Izrael siguroi presidentin e Izraelit për solidaritetin e Gjermanisë. Zëdhënësja e presidentit gjerman shkroi në shërbimin online, X "solidaritet jo vetëm me Izraelin si viktimë e terrorit,por edhe me Izraelin që mbrohet", pas takimit të presidentit gjerman, Steinmeier me presidentin izraelit, Herzog.
Herzog e vlerësoi vizitën e presidentit gjermab, si "simbol për aleancën e ngushtë mes dy vendeve tona". Përgjegjësia morale e Gjermanisë dhe etike tregohet "në këto kohë në fjalë dhe në vepra", tha Herzog.
la/ag