Itinerari i qarkullimit të drogës për në Europë
7 Mars 2021Alexander është në mesin të 40-ve i punësuar dhe jeton në Berlin-Mitte. Ai është konsumator kokaine. Dikur, thotë ai, ka konsumuar afërsisht dy herë në javë. Që prej lockdown-it si rrjedhojë e koronavirusit konsumon më shpesh, i thotë Alexandër DW në telefon: "Me siguri katër herë në javë."
Ai çdo mbrëmje ka shokë për vizitë në shtëpi, gjë që në fakt aktualisht në bazë të rregullores ndaj koronavirusit në Berlin është e ndaluar. "Njerëzit mërziten shumë ", thotë ai. "E ç'bëjnë ata kur mërziten? Marrin narkotikë për t'u argëtuar."
Party në dhomën e ndenjes
Përpara pandemisë Alexander dhe shokët e tij takoheshin nëpër bare. Atje ata ndonjëherë merrnin fshehurazi kokainë. "Kur je një grup prej tetë vetësh në ndonjë lokal, jo të gjithë shkojnë njëherësh në tualet", thotë ai. „Por kur je në shtëpi e merr kokainën në tavolinë, të gjithë njëkohësisht. Kështu e merr më shpejt e si rrjedhojë të gjithë marrin edhe në sasi më shumë."
Ende nuk ka shifra zarytre se si ka ndryshuar konsumi i drogës gjatë pandemisë së koronavirusit. Kontakte të kufizuara, kufij të mbyllur dhe aeroporte të boshatisur u kanë krijuar shumë kokëçarje bandave kriminale. Shumë ekspertë kishin parashikuar, që do të binte tregtia dhe konsumi ilegal i drogës.
Gjetje rekord në port
Tashmë më pak kokainë në treg? Jo, përkundrazi, thotë Alexander nga Berlini. Mjafton një telefonatë, e për 20 deri në 30 minuta „taksinë e kokainës" e ke tek dera. "Më shumë se treçerek ore nuk pret", thotë ai njësoj si me Lieferandon apo servisin e picave në shtëpi. Edhe çmimet kanë mbetur të qendrueshme, thotë ai.
Këtë e vërteton edhe René Matschke. Puna e tij është që të pengojë furnizimin e „taksive të kokainës". Matschke është drejtues i Zyrës së hetimit të Doganën e Hamburgut. "Vendet kryesore të zbarkimit të kokainës janë gjithmonë portet e mëdha", i thotë Matschke DW-së.
Në portin e Hamburgut mbërrijnë çdo ditë mbi 23.000 kontejerë. Bashkëpunonënjsit e Matschkes veçojnë kontejerë të dyshimtë, që vijnë nga Amerika e Jugut, kanë kaluar një itinerar të caktuar dhe janë tregtuar prej firmave të dyshimta. Në magazinat e mëdha hetuesit e doganës i kontrollojnë këto kontejerë përmes impianteve me rreze Rëntgen.
Gjithmonë ata gjejnë kokainë, ndonjëherë të paketuar në çanta sporti, ndonjëherë të fshehur mes thasëve të mëdhenj apo në ushqimet e ngrira. "Sasia që kemi sekuestruar sot, nuk është gjetur asnjëherë më parë", thotë Matschke. "Gjatë dy viteve të fundit kemi gjetur deri në dhjetë ton. Vitet më parë kemi sekuestruar tre deri në pesë ton në vit në të gjithië Gjermaninë."
Por javën e kaluar Matschke prezantoi sasinë më të madhe të konstatuar ndonjëherë: 16.000 kg. kokainë në ambalazh metali, që në fakt duhej të kishte qenë allçi. Kaq shumë kokainë nuk është sekuestruar ndonjëherë gjatë një hetimi në Europë.
Përse në Europë?
Europa ndërkohë është tregu më joshës për bandat kriminale, thotë Jeremy McDermott për DW. Drejtori i Organizatës InSight Crime bën fjalë për një „linjë trasnporti kokaine për në Europë".
"Çmimet në Europë janë shumë më të larta dhe rreziku shumë më i ulët se në Amerikën e Jugut apo të Veriut", thotë McDermott, i cili me ekipin e tij në Medellín në Kolumbi analizon krimin e organizuar në Amerikën e Jugut. "SHBA çdo vit shpenzojnë miliarda dollarë për luftën e tyre kundër drogës. Ata kanë një ushtri të tërë në veprim për luftimin e drogës."
Orientimi në Europë është për bandat „thjeshtë një lehtësim i arsyeshëm i biznesit". McDermott beson, se tregu europian i kokainës do të rritet edhe më tej, „veçanërisht në Europën Lindore".
Itinerari brazilian
Prodhimi në vendet si Kolumbia, Bolivia apo Peruja vazhdon të jetë i lartë. Prej andej janë etabluar disa itinare për në Europë, thotë McDermott. "Itinerari më i prerferuar është nga Kolumbia në portet braziliane." Por deri atje kokaina kalon në katër deri në pesë duar.
"Atje nevojitet një bandë tjetër, që të kujdeset për ta futur kokainën në kontejerin e caktuar për në Europë. Për këtë me gjasë duhet t'u paguhet ryshfet punonjësve të portit dhe të doganës." Ndryshe nga dikur sot në biznes janë të përfshirë grupe kriminale nga vende të ndryshme.
Në Europë kontejerët merren në dorëzim nga një ekip tjetër, që i dërgon ato në depot e tranzitit. Në këtë hallkë shpesh janë të angazhuara bandat holandeze në portet kyç të Roterdamit dhe Anversës.
Në një depo tranziti malli ndahet. „Një ngarkesë ka shpesh disa pronarë dhe shumë blerës të ndryshëm", thotë McDermott. "Ata e marrin mallin dhe e transportojnë atë në të gjithë Europën."
Në këtë mënyrë droga gjen rrugën për tek shpërndarësit e vegjël për të mbërritur p.sh. edhe deri tek Alexander në Berlin. Gjithsej 12 milionë europianë kanë marrë një herë kokainë, vlerëson EMCDDA, Qendra Europiane e Vëzhgimit për Drogën dhe Vesin e Drogës në Lisbonë.
Edhe Laurent Laniel nga EMCDDA mendon, se kokaina në Europë është duke u përhapur që prej disa vitesh. Kjo ka pasoja thotë ai për DW: „Ne duhet të jemi të përgatitur se mund të ketë më shumë korrupsion dhe më shumë dhunë në Europë."
Të paktën në prote dhe aeroporte nisur nga sasitë e zbuluara bëhet e qartë, që bandat mund të kenë rekrutuar me ryshfete punonjësit. „Ka gjithnjë e më shumë shenja për raste korrupsioni në autoritetet hetimore dhe në sistemin e drejtësisë. Ne natyrisht nuk jemi si në nivelin e Amerikës së Jugut. Por mund të ndodhë, që të ketë persona të veçantë në administratë e në politikë në Europë që përfitojnë prej tregtisë me kokainën."
Dhomë torturash në kontejer
Sa më shumë kokainë vjen në Europë, aq më shumë para është në lojë thotë Laniel. Kësisoj rritet edhe gatishmëria e bandave për përdorimin e dhunës. Ai thotë, se është zbuluar një dhomë torturash në një anije kontejerësh në Holandë, që është një shembull se me çfarë brutaliteti vepron krimit i organizuar në Europë.
Edhe në Hamburg ka pasur të shtëna në qarqet e bosëve të drogës, thotë René Matschke nga dogana e Hamburgut, "Gjatë kontrolleve ne gjejmë vazhdimisht edhe armë." Madje edhe punonjës të doganës e të policisë janë kërcënuar.
Si duhet të reagojë shteti? T'i shpallë luftë drogës, si në SHBA? Jo, thotë Jeremy McDermott nga InSight Crime në Medellín. "Ne duhet të kemi një qasje gjithëpërfshirëse, jo vetëm represion, ndalime dhe arrestime."
Gjermania duhet të bashkëpunojë me partnerët, me SHBA-në dhe shtetet mike në Amerikën Latine. "Shoqëria civile duhet të forcohet për t'u ofruar alternativa fermerëve të kokainës. Nëse bëhen përpjekje për ta kufizuar tregtinë e drogës, duke kontrolluar kontejerët në Hamburg, kjo nuk do të ketë efekt të madh."
Konsumatori Alexander në Berlin e konsideron veten si hallkën e fundit të një zinxhiri të gjatë. Nëse ai do të heqë dorë nga konsumimi i kokainës, atëherë kjo nuk do të ndryshojë gjë, thotë ai. "Nëse malli është këtu, është njësoj si me derrin e therur. Nëse mishi është në tryezë dhe unë nuk e ha, derri gjithësesi është i therrur e nuk ngjallet më."
Po si është puna me shëndetin e tij? Konsumimi rregullisht i kokainës mund të dëmtojë enët e gjakut dhe organet, mund të bëhet ves, të lerë pasoja psiqike e të shkaktojë sëmundje psiqike, tërheqin vëmendjen mjekët. "Natyrisht që ndonjëherë është e dyshimtë se çfarë injekton", thotë Alexander. Sidoqoftë ai ka ndërmend që sapo të marrë fund lockdown-i ta pakësojë konsumin e kokainës.