Itali: racizëm ndaj ministres me ngjyrë
28 Qershor 201349-vjeçarja Cecile Kyenge, e cila është rritur në Republikën Demokratike të Kongos, në prill të vitit 2013 u bë ministrja e parë me ngjyrë në kabinetin qeveritar italian. Ajo është etiketuar si "majmuni kongolez" ose "pjestare e një qeverie bonga bonga". Të dy këto etiketime erdhën nga pjestarë të partisë kundër emigrantëve Lega Nord (Lega e Veriut).
Javën e shkuar anëtarja e partisë Lega Nord, Dolores Valandro, shkoi më tej duke pyetur "pse dikush nuk përdhunon Kyenge në mënyrë që ajo të kuptojë se si ndjehen viktimat e një krimi të tillë?". Valandro shkruajti një gjë të tillë në Facebook duke theksuar se emigrantët janë përgjegjës për sulmet e dhunshme ndaj femrave në Itali.
Por një gjuhë e tillë shkaktoi reagime të menjëhereshme e madje nga Lega Nord, që i kërkoi dorëheqjen Valandros. Kyenge, e cilja jeton në Itali që prej vitit 1983, thotë se nuk është aspak e trembur.
"Ofendimet dhe kërcënimet kundër meje vijnë për faktin se tani jam e ekspozuar, por këto kërcënime janë kundër të gjithëve atyre që i rezistojnë racizmit dhe dhunës", tha Kyenege në një konferencë për shtyp në Romë.
Racizmi është toleruar
Për vite komente të tilla raciste dhe seksiste janë dëgjuar jashtë politikës, më shumë kjo gjë ka ndodhur në stadiume. Sulmuesi i Milanit dhe i kombëtares italiane, Mario Balotelli, është përballur shumë me këtë fenomen, të cilin italianët e quajnë "pjesë të lojës". Muajin e shkuar Balotelli deklaroi se do të linte fushat e futbollit nëse do të vazhdonte racizmi.
Por tashmë fakti se ministre e integrimit është një afrikane, mund të ndryshojë shumë gjëra. Ndërkohë që vendet Europiane kanë vite që merren me çështjen e integrimit të emigrantëve, në Itali kjo çështje është relativisht e re. Të huajt përbënin rreth 2% të popullsisë italiane në vitin 1990, ndërsa sot vetëm 7.5%.
Por kur pyetet nëse ajo e konsideron Italinë si një vend racist, Kyenge është mjaft e kujdesshme në përgjigjen e saj."Kjo është një pyetje e vështirë. Une e kam thënë gjithënjë edhe më parë që Italia nuk është një vend racist. Është një vend që duhet të dijë më shumë për emigrantët dhe vlerën e diversitetit. Vetëm pasi vendi të ketë kaluar këto procese, atëherë mund të themi nëse është racist apo jo", tha ajo në konferencën për shtyp.
Shenja shprese
Disa gjëra janë duke ndryshuar. "Aspekti pozitiv i kësaj gjuhe raciste është se edhe të tjerët që ndihen të ofenduar reagojnë njësoj si ajo", thotë James Walston, komentator politik dhe ekspert i shoqërisë italiane në Universitetin Amerikan në Romë.
"Kur një antare e Lega Nord tha se Kyenge duhet të përdhunohet, u shokuan jo vetëm liberalët, por edhe drejtuesit e partisë së saj, të cilët e thanë se është një gjë e papranueshme", shton ai.
Walston thotë se rritja e numrit të emigrantëve të kualifikuar, po detyron Italinë të mos tolerojë më racizmin. Ai thekson se tashmë pjesë e parlamentit janë tre deputetë të cilët kanë lindur jashtë Italisë dhe se kryetar bashkie i Viçencës, bastion i Lega Nord, është një emigrant që zëvëndësoi paraardhësin e tij të deklaruar racist.
Muajin e shkuar kur një afrikan me probleme mendore vrau disa italianë në Milano, Lega Nord shkoi menjëherë në zonë për të bërë antarë të rinj, por ata u përzunë nga banorët e irrituar, të cilët i akuzuan se donin të përfitonin nga tragjedia për të rritur urrjetjen ndaj emigrantëve.