080610 Iran IAEA
9 Qershor 2010Para më shumë se 40 vjetësh Irani nënshkroi marrëveshjen për ndalimin e armëve bërthamore duke iu nënshtruar në këtë mënyrë Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore me seli në Vjenë, (IAEA). IAEA kontrollon respektimin e marrëveshjes dhe kujdeset sidomos për shfrytëzimin e energjisë bërthamore vetëm për qëllime civile. Në rastin e Iranit, IAEA ka shumë dyshime, që bëhen me të qarta, që kur japonezi Yukija Amano mori vitin e kaluar drejtimin e kësaj agjensie. Deklaratën e fundit për Iranin, Amano e bëri të hënën (7.6.) gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit të Guvernatorëve të Agjensisë Bërthamore: „Irani është një rast i veçantë, sepse akoma vazhdon të jetë e paqartë, nëse programi atomik iranian ka dimensione ushtarake apo jo. Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe IAEA përmes rezolutave kanë kërkuar sqarime, por deri tani kjo nuk është arritur. Prandaj unë them, se Irani është një rast i veçantë."
Iranit i kërkohet ndalimi i pasurimit të uraniumit - Teherani kundërshton
Studimet shkencore dhe hulumtimet në fushën e energjisë bërthamore janë të lejueshme për shtetet, që kanë nënshkruar marrëveshjen për ndalimin e armëve bërthamore, duke përfshirë edhe pasurimin e uraniumit. Këtij fakti i referohet qeveria në Teheran dhe ajo nuk do të pranojë, që KS i OKB-së disa herë – me presionin e sanksioneve – t'i kërkojë Iranit që të ndërpresë pasurimin.
Ambasadori iranian në IAEA, Ali Asghar Soltanieh, përpiqet që të ngjallë mirëkuptim në Vjenë për qëndrimin e vendit të tij. „Pasurimi do të vazhdojë– dhe ndërkohë ne mbetemi të gatshëm për të biseduar. Propozimi ynë është: mësoni nga e kaluara, mos bëni më të njëjtat gabime. Çdo rezolutë e OKB-së, do të na inkurajojë që të vazhdojmë rrugën tonë dhe do ta ulë gatishmërinë tonë për kompromis. Vetëm duke u ulur në tryezën e bisedimeve ne të gjithë dalim nga qorrsokaku, ku kemi hyrë ne në Nju Jork dhe në Vjenë, duke ruajtur edhe dinjitetin tonë."
Këmbimi i uranit të pasuruar dhe IAEA
Në përpjekje për t' u marrë vesh në konfliktin atomik IAEA i propozoi Teheranit tetorin e kaluar, që të këmbejë uranin e pasuruar në vendin e vet me elementë katodikë për reaktorin e tij për studime mjekësore. Por Irani refuzoi. Në mesin e majit Brazili dhe Turqia i ofruan Teheranit një propozim për kompromis, i cili krahas pasurimit të uraniumit iranian jashtë vendi, do të lejonte edhe vazhdimin e pasurimit në Iran.
Si përfundim shefi i IAEA-së Yukija Amano nuk do të shprehet në lidhje me këtë propozim. Ai tha se pret që të shprehet Uashingtoni, Parisi dhe Moska. Në të njëjtën kohë Amano nuk la asnjë dyshim, se ai pret një shenjë më bindëse të gatishmërisë së Teheranit për bashkëpunim. „Që prej tetorit 2009 kanë ndryshuar disa gjëra. Atëherë Irani kishte afro1.700 kilogram uran me përqindje të ulët pasurimi. Tani ai është më shumë dhe atëherë Irani nuk kishte filluar ende, të rriste përqindjen e nivelit të pasurimit të uraniumit me afro 20 përqind. Ndërsa kjo ndodh tani. Dhe ky përbën një dallim të madh në krahasim me më parë."
Mbetet e hapur, nëse Yukija Amano do të shprehet lidhur me propozimin e Teheranit, Ankarasë dhe Brasilias në mbledhjen e radhës së Këshillit të Guvernatorëve të IAEA-së, që zgjat deri në fund të javës. Por vlerësimi i tij nuk është deciziv për rrjedhën e zhvillimeve në Nju Jork. Duket sikur rezoluta tjetër e OKB-së me sanksione të reja kundër Iranit është vetëm një çështje kohe.
Autor: Jörg Paas/Angjelina Verbica
Redaktoi: Lindita Arapi